Zero punë e task-forcës së Qeverisë

  • 24 November 2017 - 09:07
Zero punë e task-forcës së Qeverisë

Themelimi i task-forcës nga Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në institucionet kulturore ndërkombëtare në qershor të vitit 2016 ishte parë si një mundësi që do të shpejtonte anëtarësimin Kosovës, por edhe të institucioneve kulturore kombëtare në unionet e ndryshme botërore që mbledhin institucione kombëtare të vendeve të ndryshme, posaçërisht në UNESCO. Por, më shumë se një vit nga themelimi i saj, përjashto të paktën dy raste, lobimi i kësaj task-force nuk ka sjellë rezultatet e pritura, sidomos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Për më keq, sipas tyre, MKRS-ja si kryesuese e kësaj taskforce s'ka qenë edhe shumë transparente për të njoftuar opinionin për punën e këtij institucioni.

Askush nuk jep përgjegjësi për asgjë

Arkitekti Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se kur më 1 qershor 2016 MKRS-ja themeloi një task-forcë për anë- tarësim në UNESCO, e organizata të ngjashme ndërkombëtare që e mbulojnë fushën e kulturës, mendohej që ky mekanizëm i nivelit qendror do të punojë me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë për të avancuar çështjet kryesore për anëtarësime. "Nuk kisha prirje të përkrah ato parashikimet e disave që me skepticizëm i shikonin ato veprime shtetërore, që si duket dolën të vërteta, së paku me mosaplikimin e Kosovës për t'u anëtarësuar në UNESCO tash së fundmi", ka thënë ai, duke shtuar se opinioni kurrë nuk u informua se çka punoi task-forca e themeluar mu për këtë qëllim, e cila, siç ka thënë ai me forcën e argumenteve të shumta teknike dhe faktike duhej të arsyetonte kërkesën për anëtarësime. Por, si duket, pak ka punuar apo asgjë, pos për promovime mediatike. Pastaj, ka vazhduar ai, sa është punuar në përgatitjen e dosjeve për aplikim duke filluar nga përkrahja institucionale, karakteristikat teknike, legjislative, kapacitetet teknike, formimin e grupeve të punues me ekspertë, përpilimin e planit të punës, planin e konservimit, planin e menaxhimit, si dhe planin e shfrytëzimit promovimit të monumenteve, si dhe fushave të tjera nuk jam në dijeni."Sipas asaj sa kanë qenë transparente për të njoftuar opinionin për punën e tyre, si dhe ndërmarrjen e hapave konkretë në këtë periudhë nuk jam në dijeni, por rezultatet e punës së tyre janë baras me një zero të madhe, e për këtë askush nuk jep përgjegjësi, pasi askush nuk po u kërkon këtë. Si shoqëri po pësojmë ma së shumti", ka thënë eksperti Vokshi.

Plaçkitjet kulturore nga Serbia

Edhe shkrimtari Dan Ibrahimi ka rezerva ndaj punës së task-forcës nga Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në institucionet kulturore ndërkombëtare. Sipas tij, puna e kësaj force është për çdo kritikë. "Puna e task-forcës në fjalë është mizerie, madje për mendimin tim është një vendim koti. Vetë organet normale të shtetit duhet të bëjnë punën e tyre si taskforcë e përtej saj. Po fundi i fundit mua më dhemb mosinvestimi në zhvillimin kulturor brenda vendit, duke e ditur se pa shpërfaqje të vlerave kulturore përbrenda s' ka si të reflektosh kulturë jashtë", ka pohuar Ibrahimi. Ai ka thënë se pranimi ose mospranimi në institucione kulturore ndërkombëtare nuk do të thotë shumë, sepse, sipas tij, fundja edhe s'mund të bëjnë më shumë institucionet tona tani për tani."Unë i qortoj për çështjen e plaçkitjes kulturore nga Serbia dhe për të cilën gjë kanë mundur të bëjnë më shumë, duke kushtëzuar kontaktet me Serbinë, por në vendimet që varen nga vota ruse e kineze është tjetër gjë", ka potencuar shkrimtari Ibrahimi. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së lidhur me punën dhe vlerësimin e institucioneve mbi punën e kësaj force. Kujtojmë se gjatë 2016 Muzeu i Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare ishin anëtarësuar në institucionet simotra me ndihmën dhe lobimin e kësaj force. Task-forca e Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në Institucionet kulturore ndërkombëtare është themeluar më 1 qershor të vitit 2016, nga Qeveria e Kosovës, pas propozimit të MKRS-së.

(Kosova Sot)