Amulli në shfaqjen e koncerteve të muzikës serioze nëpër komuna

  • 13 December 2017 - 09:15
Amulli në shfaqjen e koncerteve të muzikës serioze nëpër komuna

MUNGESA E KONCERTEVE DHE PERFORMANCAVE ARTISTIKE SKENIKE MUZIKORE NËPËR QYTETET KOSOVARE

Meholli: Problem mbetet edhe mosinteresimi i publikut për këtë lloj muzike

"Në shumicën e këtyre teatrove po mbretëron një amulli dhe një shthurje e atyre gjërave që duhet bërë për një shfaqje, por më e keqja është se atyre u mungojnë shumë kushte, nuk ka nxehje, ka papastërti, shkurt janë teatro të lëna pas dore", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" Ahmet Brahimaj, drejtori i Baletit të Kosovës 

Performimi i muzikës artistike serioze nëpër qytetet kosovare (përjashto Prishtinën) mbetet një nga problemet me të cilat nuk merret thuajse askush. Që nga paslufta, në raste të rralla qytetarët e qyteteve të ndryshme nuk përcjellin ndonjë koncert simfonik, shfaqje skenike muzikore në qytetin e tyre. Nëse duan ta shijojnë këtë muzikë, ata duhet të vijnë në Prishtinë, në koncertet e Filarmonisë së Kosovës, ose shfaqjet e Baletit. Në rastin më të mirë, të vizitojnë festivalet tashmë tradicionale "Remusica", "Chopin fest", e ndonjë tjetër, që kryesisht mbahen në Prishtinë. Mungesa e sallave adekuate, gjendja aspak e mirë infrastrukturore e teatrove profesioniste nëpër rrethe, mosmbështetja, neglizhenca e çështje të tjera janë arsye që qytetarët e qyteteve kosovare vazhdojë të privohen nga përjetimi 'live' i koncerteve artistike.

Teatrot e lënë pas dore

Ahmet Brahimaj, drejtori i Baletit të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shfaqjet që ky institucion, i cili herë pas here i mban nëpër qytetet kosovare, bëhen me sfida të shumta, të cilat, siç ka thënë Brahimaj, vijnë për shkak të neglizhencës dhe mosinteresimit të menaxhmenteve komunale për pritjen e institucioneve mysafire. Ndërsa ka pohuar edhe gjendjen aspak të mirë infrastrukturore, me të cilën përballen sot teatrot e qyteteve, me ndërtesa të vjetra, salla të vogla, e në shumë raste edhe mosmirëmbajtjen jo të mirë. Tutje Brahimaj ka thënë se ka ndodhur shpeshherë që kur Baleti ka shkuar në ndonjë komunë për të performuar është ballafaquar me neglizhencë nga menaxhmentet e teatrove përkatëse, mospërgatitjet e sallave ku duhet të performojnë artistët, papastërtinë në ambiente dhe mosnjoftimin-reklamimin të shfaqjeve për publikun vendas."Në shumicën e këtyre teatrove po mbretëron një amulli dhe një shthurje e atyre gjerave që duhet bërë për një shfaqje, por më e keqja është se atyre u mungojnë shumë kushte: nuk ka nxehje, ka papastërti, shkurt janë teatro të lëna pas dore", ka shtuar Brahimaj për "Kosova Sot", duke shtuar se, pavarë- sisht problemeve, gjithmonë kanë gjetur një publik, i cili pëlqen dhe është i interesuar për muzikë artistike dhe shfaqjet e Baletit. 

Puna e Filarmonisë dhe koncerteve është problem i madh për shoqërinë tonë

Bujar Meholli, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se mosorganizimi i koncerteve serioze nëpër komunat kosovare mbetet problem , e po ashtu edhe interesimi i publikut për këtë lloj muzike. Sipas tij, puna e Filarmonisë dhe koncerteve është problem i madh për shoqërinë tonë. Kjo sepse, ka shtuar ai, nuk ka arritur ende të instalohet kjo kulturë dhe kosovarët nuk tregojnë ndonjë interesim. "Këtë lloj muzike, që në kulturën evropiane është pjesë e pandashme e shoqërisë, te ne nuk e njohim. Na ka përfshirë muzika pa kurrfarë vlere dhe fatkeqësisht shoqëria jonë këtë po e kërkon, çka për mua është e dhimbshme", ka thënë ai, duke shtuar se duhet bërë shumë punë që të ndryshohet kjo situatë e rëndë që na ka pllakosur si shoqëri. Por, pavarësisht të gjithave, interesimi i publikut për këtë lloj muzike gjithnjë e më shumë vazhdon të rritet.

Kosova ende nuk ka ndonjë sallë të veçantë koncertale

Dafina Smajli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se koncertet e Filarmonisë së Kosovës, që të paktën një herë në muaj organizohen, janë të hapura për publikun dhe që ka interesim të jashtëzakonshëm për to. Por, për fat të keq, sipas saj, rol shumë të rëndësishëm në funksionimin e institucioneve të tilla luan fakti se Kosova ende nuk ka ndonjë sallë të veçantë koncertale, duke detyruar institucionet e ndryshme që koncertet t'i mbajnë në Sallën e Kuqe, apo në ndonjë sallë hoteli, që kanë kushte minimale për zhvillimin e një koncerti të muzikës serioze."Në 10 vitet e fundit numri i të interesuarve për të përcjellë një koncert të Filarmonisë 100 % ka ndryshuar pozitivisht, edhe vetë kam qenë prezent në shumë raste dhe nuk kam pasur vend që të ulem, por më është dashur që të shijoj ato pak minuta në këmbë. E njëjta vlen edhe për festivalet 'Dam', 'Chopin', të cilat ndiqen me goxha interesim", ka potencuar ajo për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)