Befasitë më të mëdha të nominimeve BAFTA gjatë vitit 2018 - Kulturë - Kosova Sot
Befasitë më të mëdha të nominimeve BAFTA gjatë vitit 2018

Befasitë më të mëdha të nominimeve BAFTA gjatë vitit 2018

NDARJA E KËTYRE SHPËRBLIMEVE DO TË KRYESOHET NGA AKTORJA JOANNA LUMLEY

Aktorja 60-vjeçare, Frances McDormand, e cila të shtunën mori shpërblimin Globi i artë për rolin në filmin "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri", ishte e nominuara kryesore për kategorinë e aktores më të mirë të shpërblimeve filmike britanike BAFTA, të cilat u bënë të ditur të martën. Ndarja e këtyre shpërblimeve do të kryesohet nga aktorja Joanna Lumley, ku McDormand do të garojë kundër fytyrave të njohura, si Margot Robbie ("I, Tonya"), Saoirse Ronan ("Lady Bird") dhe Sally Hawkins ("The Shape of Water").

Befasoi me nominimin për filmin "Film Stars Don't Die"

 Humbësja e madhe në këtë kategori ishte zonja Judi Dench, e cila këtu nuk mori nominim, për dallim nga nominimet për Globin e artë dhe për çmimet SAG për performancën e saj në filmin "Victoria & Abdul". Annette Bening befasoi me nominimin për filmin "Film Stars Don't Die", derisa në mesin e aktoreve që nuk u nominuan, ishte edhe Meryl Streep, për rolin e saj në filmin "The Post". Në fakt, filmi i regjisorit Steven Spielberg, që u nominua për Globin e Artë, u injorua në tërësi nga nominimet për çmimin BAFTA. Në përgjithësi, filmi "Three Billboards" - i cili flet për tentimin e një nëne për ta ndriçuar vrasjen e së bijës - mori nëntë nominime për çmimin BAFTA, duke përfshirë edhe kategorinë e filmit më të mirë.

Filma që u injoruan

Dy nominime më shumë i mori filmi "The Shape of Water", i cili kryeson me 12 nominime, duke përfshirë edhe nominimin për filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë (Guillermo del Toro). Pati edhe disa filma të njohur, që u injoruan sa iu përket nominimeve për BAFTA në kategorinë e filmit më të mirë, si fituesit e Globit të Artë, "Lady Bird" dhe "I, Tonya", edhe pse që të dy këta filma u nominuan në kategorinë e skenarit më të mirë. Filmi i regjisorit Ridley Scott, "All the Money in the World" u nominua vetëm në kategorinë e aktorit më të mirë dytësor, për performancën e aktorit Christopher Plummer. Filmi biografik për Winston Churchillin, "Darkest Hour", me në rolin kryesor Gary Oldman, ka marrë nëntë nominime BAFTA, derisa filmi me ngjarje nga Lufta II Botërore, "Dunkirk", mori tetë nominime.

(Kosova Sot)

8 orë e 2 minuta më parë
18/09/18