PA NDONJË ORGANIZIM CILËSOR NË 550- VJETORIN E VDEKJES SË SKËNDERBEUT

  • 20 January 2018 - 10:54
PA NDONJË ORGANIZIM CILËSOR NË 550- VJETORIN E VDEKJES SË SKËNDERBEUT

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

DISA 'IDEUCA' PËR ORGANIZIME NË "VITIN E SKËNDERBEUT"(1)

Diplomatikisht, mund të shfrytëzohet figura historike e Skënderbeut

Viti 2018 i organizimit të kujtesës historike për Skënderbeun, në fakt gjithçka do të duhej përcaktuar si agjendë informuese që në vitin 2017! Ngjarjet e mëdha e të vogla organizohen paraprakisht, e veçanërisht ato të mëdha 

P ër nder të shpalljes "Vit i Skënderbeut" në hapësirën shqiptare në përgjithësi, do të shkruajmë tri kolumne radhazi. E para, si do ta organizohesha për "Vitin e Skënderbeut", po të isha si institucionet e Kosovës; kolumna e dytë, do të bëjë fjalë për kujtesën kolektive, perceptimet dhe përplasjet brendashqiptare lidhur me figurën e Skënderbeut; ndërsa kolumna e tretë dhe e fundit do të merret me diçka të patrajtuar më herët, si e shohin Skënderbeun pakicat etnike në Kosovë, e veçanërisht turqit e Kosovës, serbët, e kështu me radhë. Heroi i përmasave lokale dhe i kontinentit evropian si frymëzim antiosman po i mbush 550 vjet të vdekjes. Jemi në vitin 2018 dhe ai nga shënimet e deritashme historike thuhet se ka vdekur në vitin 1468. Zakonisht në përvjetorët e veçantë me dekada, shekuj e mijëvjeçarë, shtetet organizojnë në mënyrën më speciale këto kujtesa historike, sikur më ra ta theksoja këtë edhe diku tjetër (sa herë them diçka më parë diku, nuk e paraqes diçka si të re diku tjetër, sepse në këso rastesh, në shkencë quhet vëtë- plagjiaturë, aq e përhapur sot në mesin e studiuesve dhe të tjerëve!) Fatkeqësisht, në Kosovë e Shqipëri, deri më tash, nga informacionet që janë dhënë, nuk ka ndonjë organizim cilësor, të qartë dhe komunikim të duhur për informim të publikut të gjerë. Si do ta bëja këtë organizim? Ja disa 'ideuca'('ideuca', analoge me prapashtesat për zvogëlim a ironizim të 'njeriucit, filozofucit..."): 1. Isha mobilizuar me të gjitha institucionet kulturore e arsimore në mënyrën më të veçantë të mundshme, por jo brenda vitit të Skënderbeut, por ca vjet ose të paktën ca muaj më herët. Viti 2018 i organizimit të kujtesës historike për Skënderbeun, në fakt gjithçka do të duhej përcaktuar si agjendë informuese që në vitin 2017! Ngjarjet e mëdha e të vogla organizohen paraprakisht, e veçanërisht ato të mëdha!; 2. Do të bëja bashkëpunimin ndërinstitucional: Qeveri-MKRS(Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport)- MASHT(Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji)-ASHAK(Akademi e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës)- GAK(Galeri e Arteve të Kosovës)- TKK&TQK(Teatri Kombëtar i Kosovës bashkë me teatrot kryesore të qyteteve)-FK(Filarmonia e Kosovës)- BK(Baleti i Kosovës)-AVKKAVKQ(Ansambli i Valleve dhe Këngëve të Kosovës "SHOTA" bashkë me ansamblet lokale të valleve dhe këngëve nga qytetet e ndryshme)- QKK(Qendra Kinematografike e Kosovës); pastaj të gjitha bashkëpunimet ndërshqiptare, p.sh., Akademia e Shkencave të Kosovës me atë të Shqipërisë; Galeria e Arteve të Kosovës me atë Kombëtare të Shqipërisë; TKK me Teatrin Kombëtar dhe teatrot e tjera të qyteteve të Shqipërisë, e tjerë e tjerë; 3. Organizimin e orëve letrare vetëm për Skënderbeun, sikur një e tillë në qytetin tim prej nga vij; punëtorive të studiuesve dhe kritikëve letrarë për analiza të veprave të deritashme se si është përfytyruar dhe shpërfytyruar figura e Skënderbeut; botimet e librave me poezi e studimeve kritike mbi figurën e Skënderbeut dhe figurave përreth tij; 4. Shpalljen e konkursit për projektet kulturore nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, me bazë tematike figurën e Skënderbeut, ku Organizatat Joqeveritare Kulturore dhe artistët e ndryshëm, do ta pasuronin me ide, aktivitete, organizime më alternative, më bashkëkohore, më kreative, personazhin e Skënderbeut, pasi që janë të ndikuara edhe nga trendët e rinj globalë, ndikimet e internetit e tjerë e tjerë, e jo të dominon vetëm kjo fryma glorifikuese dhe e tejkaluar. Natyrisht, të liheshin në projektet kulturore-artistike të shpallura për subvencionim nga MKRS, edhe tema/subjekte/aktiviteite alternative, të mos bëhej në 'monotoni absolute', gjithçka veç për një personazh, por me mbizotërim të subjektit historik Skënderbe; 5. Dramatizimin e shfaqjeve për Skënderbeun, duke u bazuar në veprat e mëhershme apo më të reja; nxitjen e dramaturgëve të rinj për të shkruar ndonjë dramë bashkëkohore rreth Skënderbeut, për të pasuruar dramaturgjinë kombëtare, jo aq të larmishme dhe të motivueshme; 6. Realizimin e ekspozitave me piktura, instalacione, skulptura të Skënderbeut, qoftë duke i ekspozuar veprat e deritashme për Skënderbeun, afreskat, fotografitë, gravurat etj. Një aktivitet i tillë u bë, por jo edhe sa do të duhej me të gjitha gjinitë e tjera të arteve figurative; 7. Organizimin e vizitave nga shkollat shqiptare në Krujë, shikimin e filmit të "Skënderbeut" dhe më pas dëgjimin e kritikave për atë film, pasi që në të thuhen edhe gjëra të pavërteta historike, duke i ndihmuar të rinjve të kenë edukim kritik kinematografik dhe njohjen me rrethanat e asaj kohe. Ky film ka shumë ndikim se si e shohim sot Skënderbeun, që mund të dallon me arkivat!; 8. Organizimin e një punëtorie ku do të analizoheshin vetëm skulpturat e deritashme për Skënderbeun; si trajtohen artistikisht, si janë realizuar deri më tash dhe pse imitohet i njëjti format, i njëjti portret e realizim artistik, duke u shndërruar në kopje të një- pasnjëshme nga një skulptor në tjetrin, sikur e thoshte një koleg i respektuar, i lidhur fortë emocionalisht me librat, në një emision televiziv; 9. Organizimin e një festivali njëjavor me filma të animuar dhe animacione të çfarëdollojshme mbi figurën e Skënderbeut; 10. Nxitjen e të rinjve e të rriturve që njohin video-lojërat kompjuterike, për të krijuar video-lojëra për Skënderbeun, duke e bërë Skënderbeun në mënyrë kreative, por jo rrëshqitje në paragjykime e racizëm, sikur sharrojnë ca njerëz, ndaj popujve të tjerë, si ndaj turqve e të tjerëve, por me disa të dhëna të pakontestueshme, mbështetur në faktet e pranueshme deri më tash, dhe në këtë mënyrë, fëmijët gjejnë mënyra më atraktive për të mësuar historinë. Pse duhet të jetë personazh i fëmijëve në dhomat e tyre, vetëm Spajdermeni, Betmeni, por jo edhe Skënderbeu?! Nuk po them se nuk kanë dallime këto figura, sepse disa mund të jenë të rrezikshme të kalohet në racizëm, nacionalizëm patetik, por me kujdesin e duhur, edhe bëhet një gjë e tillë, edhe shmanget urrejtja ndaj të tjerëve. 11. Organizimi i konferencave shkencore nga ASHAK, Instituti i Historisë etj., rreth Skënderbeut, por duke e ftuar edhe Oliver Shmitin e historianë të tjerë nga bota, në mënyrë që ta mësojmë secilën perspektivë mbi të kaluarën dhe Skënderbeun, sikur e thashë në një emision televiziv gjatë kësaj të enjte në mbrëmje. Akademia e Kosovës dhe e Shqipërisë, po ashtu mund të bashkëpunojnë në këto tryeza dhe natyrisht të jenë shkencore, e jo publicistike; të jenë tryeza publicistike, por me tip tjetër të përmbajtjes dhe zhanrit: "Skënderbeu në publicistikën shqiptare", dhe aty mund të jenë të gjithë publicistët apo nga çfarëdo pozicioni tjetër letrar, gazetaresk etj. Mirëpo, kur thuhet diçka 'shkencore', të jetë shkencore; kur thuhet 'publicistike', 'letrare', të jenë publicistike, letrare etj. Jo të ndodh sikur ngjau gjatë ndaljes së kryeministrit Ramush Haradinaj nga francezët dhe reagimit për ndalimin e tij, duke u organizuar një konferencë në Kosovë, duke e quajtur 'shkencore', me titull banal: "Si të lirohet Ramush Haradinaj". Ku ka konferencë shkencore si të lirohet Ramush Haradinaj, ore bre?! Ndoshta duhej formuluar ndryshe, duke dhënë pikëpamjet e tyre, juristët, avokatët, gjykatësit etj., por jo edhe të banalizohej cilësori 'shkencore', për çdo lloj konference, që nuk kualifikohet në asnjë mënyrë shkencore; 12. Organizimi i një karnavali për Skënderbeun, duke u veshur sikur për Hallovin, ose ndonjë ngjarje tjetër, me maska të Skënderbeut, duke dalë nëpër qytete, mijëra njerëz, të rritur, fëmijë etj., duke u vizatuar me figurën e tij; duke i vënë brirët e cjapit mbi kokë e tjerë e tjerë. Kjo do t'i jepte 'shpirt' qyteteve tona të vdekura kulturalisht, nxitjen e turizmit brendashqiptar dhe jashtë nesh; nxitjen e zhvillimit të bizneseve të vogla dhe shpenzimeve të konsumatorëve për shpenzime në gjëra tradicionale etj. Sikur e kam shkruar edhe njëherë tjetër, më vjen shumë keq kur vizitorët që shkojnë në Turqi, vendet afrikane, Kinë e gjetiu, të ofrojnë lloj-lloj suveniri mbi heronjtë e tyre nga historia, letërsia, mitologjia etj., dhe ua ofrojnë turistëve, ndërsa ne nuk kemi suvenire të pranueshme artistike, sikur do të ishte suvenire të vogla xhepi, për t'i vënë në shtëpitë tona, të bëra në mënyrë artistike dhe pa ngarkesa të tipit të artit dosido. Do të rrinte shumë mirë Skënderbeu si suvenir, sikur qëndrojnë mrekullueshëm dervishët fluturues në dyqanet e Turqisë, duke nxitur aq shumë vizitorë të huaj, të marrin diçka më vete, nga traditat lokale. Kemi parë me sytë e tanë sikur e kemi thënë diku tjetër, se si dhjetëra kinezë blinin suvenire me dervishët fluturues në aeroportin e Turqisë dhe i merrnin kujtimet e vizitave të tyre në shtëpitë e tyre në Kinë, por edhe merrnin materiale kulturore të traditës turke, sikur janë dervishët fluturues, aq tërheqës për turistët e vendasit; 13. Nxitjen e hulumtimeve shkencore se si e shohin Skënderbeun edhe popujt fqinj, pakicat etnike brenda Kosovës, perspektivat e tyre, sepse askush nuk duhet të frikësohet nga të vërtetat dhe perceptimet diversive. Madje, kjo e bën edhe më të madhërishme festimin si vit të Skënderbeut, kur edhe kemi mësimin e perspektivave të larmishme mbi një personazh aq kompleks, aq historik, e po aq edhe mitik, romantik, e të mbushur me lloj-lloj patetizmi nga historiografi me qëllime ideologjike e të kohës; 14. Nxitjen e këngëve dhe teksteve për Skënderbeun; 15. Nxitjen e vizitave diplomatike gjatë këtij viti të Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke u përpjekur që kulturalisht të organizohen edhe shumë ngjarje në Itali, Vatikan, Francë e kudo tjetër, për të marrë poenë diplomatikë, duke u thirrur edhe në ndonjë të kaluar të veçantë në mes popujve tanë dhe historisë së feudalizmit të zhvilluar. P.sh., aq lidhje të veçanta miqësore e armiqë- sore ka pasur Skënderbeu me Venedikun, Napolin, Romën, sakaq kanë dominuar raportet e mira diplomatike. Pse të mos shfrytëzohen këto lidhje të hershme historike, për të nxitur Vatikanin në njohjen e Republikës së Kosovës? Të mos shkohet aq direkt, por të paktën, të nxitet ndonjë takim me Papën, për të folur vetëm rreth Skënderbeut, të ftohet në vizitë gjatë këtij viti në Kosovë etj. Pra, diplomatikisht, mund të shfrytëzohen figurat historike, sidomos Skënderbeu, pavarë- sisht rezultatit që varet nga shumë rrethana të tjera politike, por të mos mungojnë përpjekjet. Ambasadat e Kosovës jashtë vendit, duhet ta shpallin po ashtu, sidomos në Itali, Francë, Kroaci etj., vitin e Skënderbeut; të organizojnë ngjarje kulturore me këtë tematikë, duke ftuar edhe ekspertë lokalë, artistë, historianë etj. Kjo është diplomaci kulturore-historike, por nuk është klishe romantike-nacionaliste!
(Kosova Sot)