AJSHE GËRVALLA - NËNËLOKJA E MADHE QË RRITI TRIMAT E KOMBIT

  • 21 January 2018 - 12:13
AJSHE GËRVALLA - NËNËLOKJA E MADHE QË RRITI TRIMAT E KOMBIT

GRATË TRIMËRESHA

"Jo, nuk m'u ka mbyllur dera me ferrë...Në shtëpi i kam edhe dhjetë burra të tjerë" 

SHKRUAN: PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA

Një kaptinë të veçantë në historinë e popullit shqiptar pa dyshim zënë edhe gratë. Ajo asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë që i ndodhën gjatë historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me to, por lirisht mund të thuhet se ishte pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet që u ndërmorën për daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha pagoi çdo gjakim të lirisë. Ajo me dashurinë që kishte për lirinë gjeti mënyra dhe mundësi për t'u aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e popullit, herë në mënyrë direkte, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të lartë ishte aty ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit. Pas vitit 1945, gruaja shqiptare ishte po ajo grua e Rilindjes Kombëtare, vetëm ca më e avancuar në kuptimin e ngritjes arsimore. Ajo nuk mundi të qëndronte duarkryq, duke i parë sulmet e njëpasnjëshme dhe masakrat e shumta, që ndodhnin ndaj popullsisë shqiptare. U angazhua duke treguar trimëri të rrallë në organizatat nacionaliste dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e qëllimeve më të larta kombëtare. Numri i tyre që dolën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe lirinë aq shumë të pritur ishte i madh. Vepruan ato, në mënyrë të organizuar, por edhe aty ku e lypte nevoja. Me formimin e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në kuadrin e saj, në komitete komunale të NDSH-së, si formë organizimi, u aplikuan edhe komitetet e grave të NDSH-së, që vepronin kryesisht me gra, ndonëse ato vepronin edhe në forma të tjera, ngase në disa pjesë të Kosovës organizimi i tyre nuk ishte edhe aq i mundshëm. Vlen të përmendim procesin gjyqësor në Prizren të Marie Shllakut, ku më 24 nëntor u ekzekutua me tre bashkëvendës të saj. 

SHAMIA E BARDHË QË E MBANTE NË KOKË

Një rrugë të vështirë dhe me plot sakrifica e vazhdoi edhe nënëmadhja Ajshe Gërvalla, e cila ishte e lindur në Kryeshec, komuna e Deçanit. Për nënën Ajshe kisha dëgjuar shumë herët, por pas viteve të tetëdhjeta, pasi kishte ndodhur vrasja makabër e bijve të saj, ajo në një mënyrë të thjeshtë dhe padiktueshëm u bë edhe nënë e jona dhe e mbarë popullit shqiptar. Ishte viti 1994 kur u takova për herë të parë me nënën Ajshe. U takuam në përvjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe mikut të tyre, Kadri Zekës. Në fshatin Bresalc ishte organizuar manifestimi i përvjetorit. Nëna Ajshe si rëndom kishte zënë një vend meritor të sallës dhe thënë më ndryshe rrezatonte amësi dhe trimëri. Ajo të bënte për vete në qysh me takimin e parë. Por nuk ishte e rastë- sishme, se gjatë viteve të aksionit për pajtimin e gjaqeve, në emër të nënë- madhes, anekënd Kosovës u falën shumë e shumë gjaqe, kjo plagë ende e pashëruar e popullit tonë. Në të dhënat biografike që i kam hasur (e që janë të pakta, sa i përket nënës Ajshe) thuhej se ajo ishte bija e Jusuf Buzhalës, i cili për shkak të rrethanave të rënda politike e ekonomike detyrohej që të shpërngulej për Pejë. Nëna Ajshe ishte martuar e re dhe thuhej se fisnikëria, virtytet dhe trimëria e saj erdhën dhe u bënë më të shprehura, kur u martua me trimin e njohur, Bardhosh Gërvallën. Familja Gervalla ishte një familje me tradita atdhetare. Dhe ishte absurde të mos binte në sy të okupuesve. Andaj pushtetarët ndaj familjeve dhe individëve të tillë ishte e pamundur që të mos merrnin masa të jashtëzakonshme presioni. Një gjë e tillë ndodhi edhe ndaj familjes ku ishte martuar vajza krenare e Buzhalajve. Më 22 maj 2004, me rastin e vdekjes së nënës së madhe, për "Epokën e Re" shkruante Rrahman Jashari se "Nëna Ajshe, një nënë që i shtoi namin truallit dhe figurës së femrës shqiptare ndër shekuj, ishte burim frymëzimi për shumë atdhetarë në përpjekjet sublime për liri". Ndërsa, unë do të shtoja se karakteristikë e imazhit të saj nëpër vite ishte shamia e bardhë që e mbante në kokë. Nëna lajmëronte paqen nëpërmes shamisë, por ajo atdheut i kishte falur edhe dy bijtë e saj trima: Jusufin e Bardhoshin, që i quante se ata ishin bijtë e Kosovës, bijtë e shqiptarisë. 

DJEMTË TRIMA TË NËNËS AJSHE

Më 1 tetor 1945 u lind heroi i kombit, Jusuf Gërvalla, ne fshatin Dubovik të Deçanit. Ai fillimisht ishte poet, romancier, këngëtar dhe atdhetar i përkushtuar gjer në çastet e fundit të jetës, e cila u pre në mes nga gjakatarët serbë. Gjyshi i Jusuf Gervallës ka qenë kaçak i njohur, i cili luftoi kundër forcave pushtuese serbe. Vitet të cilat i jetoi ai në Kosovë ishin me plot luftë dhe me plot sakrificë. Por, pas daljes nga Kosova në jetën e tij fillon një etapë e re, e mbarsur me kobë dhe fatkeqësi. Ai si i ri, mbi supet e veta e kishte ndier rëndë peshën e skllavërisë, andaj edhe ishte krejt e pritur që ai të angazhohej në lëvizjen atdhetare ilegale. U angazhua dhe punoi deri në çastet e fundit të jetës për lirinë e Kosovës dhe trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Udbashët sllavë e kishin hetuar veprimtarinë dhe angazhimin e madh të tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare dhe në një mënyrë ciklike po iu prishte llogarit të bëra gabimisht për Kosovën. Ata, pas këtij zbulimi nuk rrinë duarkryq. Vendosin që në një mënyrë ose tjetër, ta arrestonin ose ta likuidonin në një afat sa më të shkurtër. Dihej se në vitet e shtatëdhjeta e tetëdhjeta ilegalja shqiptare ishte shumë e organizuar, andaj edhe qëllimet e hetuesve kishin arritur t'i zbulonin dhe Jusuf Gërvalla informohet me kohë dhe me ndihmën e shokëve, arratisët dhe ilegalisht kalon kufirin për t'u vendosur tek i vëllai që ndodhej në Gjermani, ku më herët kishte shkuar vëllai Bardhoshi. Rezistenca shqiptare që vepronte në perëndim pati fat që në radhët e veta pati edhe atdhetarin e devotshëm, organizatorin e mirëfilltë të veprimtarisë ilegale atdhetare. Me angazhimin e Jusufit në veprimtarinë atdhetare në diasporë, ai angazhohej kryesisht në organizimin e tyre që në rrugën e nisur të rezistencës, që të jenë sa më unikë dhe më të bashkuar. UDB-ja jugosllave ishte tej mase e shqetësuar. Andaj rrjeti i krimit dhe i kriminelëve me të madhe u sensibilizua. U dërguan me urgjencë edh jashtë shtetit gjithandej ku vepronte Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre. Dhe, nuk shkoi gjatë, një ditë të ftohët janari (17 Janar 1982), nënë Ajshja mori lajmin e zi, se në vendin e quajtur Untergrupenbach afër Shtutgardit ishin likuiduar atdhetarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët në historinë e re të popullit shqiptar mbeten si figurat më madhore të Kombit tonë. Në librin "Fati i luleve...", të Kadri Rexhës thuhet edhe kjo se "Nënë Ajshja këtu në Dubovik, lajmin do ta marrë nga lajmet e Radio Prishtinës, që kohëve të fundit i kishte kaluar në një shprehi për të dëgjuar lajmet. Besa, siç thotë më vonë, kisha edhe një parandjenjë të keqe se do të ndodhë diçka e papritur dhe e zezë" për të vazhduar më tej dhe vazhdimisht duke vu në spikamë krenarinë dhe papërulësinë e nënës para armikut. Në momentin kur merr lajmin tragjik për djemtë e saj, ajo të nesërmen shkon në burgun e Pejës për ta ngushëlluar të birin Hysenin. Gardianët dhe roja e burgut ishin të informuar mirë dhe dinin çdo gjë për ngjarjen që kishte ndodhur një ditë më parë. Me një vetëkënaqësi të papërmbajtur, e ironizonin nënën e kombit, siç do të shkruante Kadri Rexha, në librin e lartpërmendur, në momentin kur do i shprehin ngushëllime udbashët e fëlliqur, duke iu drejtuar me fjalët se "a mërzitesh për djemtë që t'u vranë". E nëna me mençurin që kishte do t'iu përgjigjet "Jo, nuk m'u ka mbyllur dera me ferrë...Në shtëpi i kam edhe dhjetë burra të tjerë. Pastaj tërë shokët e djemve të mi i kam në vendin e tyre. Tash po e marr vesh se paskam pasur djem, ndryshe nuk do të ngrihej një shtet në këmbë për të m'i vrarë...", përfundon nëna.

KADRIU ISHTE JO VETËM GAZETAR I MIRË

Veprimtaria liridashëse dhe atdhetare e heronjve në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pengonte shërbimet jugosllave brenda dhe jashtë vendit. Ata, që të tre, në mes veti kompletoheshin e harmonizonin veprimet, saqë një lëvizje atdhetare do t'i nevojiteshin vite për të pasur këso kuadrosh në radhët e tyre. Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe kishte krijuar raporte të shkëlqyeshme edhe me organizata të tjera të shteteve të huaja që luftonin për liri dhe pavarësi të popujve të tyre. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një luftë të pamëshirshme kundër rezistencës shqiptare, që me një përkushtim të madh u organizua dhe ia doli që ta kurorëzoi me sukses. Dhe vërtet nënë Ajshja ngeli pa dy djemtë e saj, por një shqiptari ishte e saja dhe i qëndroi pranë deri në ditët e fundit. Nënëmadhja, Ajshe Gërvalla, vërtet shkoi në amshim, por gratë trimëresha dhe nënat që lindin trima ato nuk vdesin kurrë, në kujtimet, në dashurinë dhe në historinë e kombeve. (fusnota jane hequr per shkak te natyres se gazetes).

(Kosova Sot)