Kultura, nën kthetrat e politikës

  • 23 January 2018 - 09:09
Kultura, nën kthetrat e politikës

RRETHET E NGUSHTA KLANORE PO I DËMTOJNË ARTISTËT E VËRTETË

Kultura kosovare, pavarësisht specifikave dhe rëndësisë, nuk ka mundur t'i shpëtojë 'kthetrave' të politikës. Me pak përjashtime, pjesa dërmuese e mbështetjes financiare për projekte të ndryshme bëhet me ndërhyrje politike. Emërimet e drejtuesve të institucioneve kulturore publike, me pak përjashtime nuk janë bërë pa ndërhyrje politike, për vite me radhë. Situata që po kalon vendi, ekonomia e dobët, papunësia dhe situata katastrofike për zhvillim të artit dhe kulturës po "thyen" artistët tanë, duke i detyruar të bëhen të dëgjueshëm ndaj politikës. Një situatë e tillë, nga njerëzit e kulturës po konsiderohet si një kokëçarje më shumë për komunitetin artistik, i cili ka mjaft vështirësi për mbijetesën. Pasi një artist e ka të vështirë të mbijetojë pa pasur një punë primare për të siguruar mjetet e nevojshme për familjen dhe ajo çfarë mbetet përdoret për krijimtari artistike. Ilir Muharremi, kritik arti, profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ndërhyrjet politike gjithmonë sjellim pasoja për artin dhe kulturën. 

Qëllimi i politikës në art është propagandë historike

Muharremi ka thënë se shpesh dëgjohet thënia se: arti dhe politika së bashku krijojnë fuqinë. "Thelbësore në art është përsosmëria e ekzistencës, lindja e përsosmërisë dhe plotësisë, shpesh është edhe pohim, mohim, bekim apo hyjnizim i ekzistencës. Qëllimi i politikës në art është propagandë historike, por arti i mirëfilltë e ndërron këtë lëvizje ngaqë politika flet për moralin e morali e dëbon të bukurën, por në esencë politika është imoralitet prapa perdes së moralit", ka thënë ai. Ndërsa publicistja Dafina Smajli, pedagoge muzike, thotë se politika aktuale sot është e ndikuar shumë nga ekonomia. E njëjta, sipas saj, mund të thuhet edhe për artin, pasi, ka potencuar më tej, politika është një produkt, e qytetarët e absorbojmë çdo ditë. Duke elaboruar këtë problem, Smajli ka përmendur një shembull që ilustron shumë mirë sistemin e cinizmit neo-liberal. "Kur disa vjet më parë Presidenti i Bankës Botërore vizitoi Slloveninë, u prit nga një grup i vogël i aktivistëve, të cilët në shenjë të "mikpritjes" hodhën vezë mbi të. Kështu, protokolli slloven kishte duart plot punë për t'i "pastruar" mysafirët e lartë. Pastaj vjen komenti i Presidentit të Bankës Botërore: "Ky është një tregues i lirisë së shoqërisë sllovene, ku njerëzit mund të shprehin lirshëm mendimet e tyre", ka potencuar ajo, duke shtuar se kryeministri i Qeverisë në mënyrë implicite falënderoi aktivistët për veprimin e tyre, sepse me këtë ata bënë që Sllovenia të pozicionohet në mesin e vendeve më të zhvilluara demokratike. Para veprimeve të tilla, ka thënë ajo, bie çdo art, çdo artist dhe krijues. Në këto rrethana, shton Smajli, mundësia e ndërhyrjes artistike është shumë e ngushtë, kur është fjala për kanibalizëm institucional. "Pasoja përfundimtare e kësaj strategjie është se artistët duhet të bëjnë vetëcensurë dhe kështu të shpërdorojnë veprën e tyre artistike. Debati për ndikimin e politikës në art nuk mund të përkufizohet me një linjë të prerë dhe as të themi se ky është tregim i përfunduar", ka potencuar muzikantja Smajli. Më tej, ajo ka potencuar se arti dhe politika janë si qeni dhe macja, pa marrë parasysh se sa të ndërlidhura dhe të mbështetura nga njëra- tjetra janë (si kafshë shtëpiake). Duke potencuar se në instancën e fundit secili duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë njëra ose tjetra. 

Paraja publike shkon tek të afërmit e ndonjë zyrtari

Ndërkaq, krijuesi Bujar Meholli, ka thënë për "Kosova Sot", se politika në vendin tonë, fatkeqësisht, ka hyrë edhe në kulturë, duke i lëshuar rrënjët e saj. Gjë që, siç ka thënë ai, s'do të duhej të ndodhte assesi, për shkak se i bën dëm kulturës dhe shoqërisë sonë. "Pasojat janë goxha të mëdha, kur politika bëhet ndikues në zhvillimet kulturore. Sot, nëpër institucionet kulturore has në njerëz që janë futur nga njëra apo tjetra parti politike - pa e çarë kokën se a e meritojnë ata njerëz atë pozitë të caktuar?!", ka pohuar ai, duke shtuar se, në anën tjetër kanë mbetur jashtë njerëz adekuatë, të cilët s'janë me këtë apo atë parti dhe kjo kushton! Paraja publike shkon tek të afërmit e ndonjë zyrtari apo ngjashëm, por assesi te ndonjë i ri ambicioz që përsiatet të ndryshojë diçka për të mirë. Atij i vriten ëndrrat dhe demotivohet! Ndërsa, konkurset publike më duhet të them - që janë batuta mjaft interesante!", ka pohuar ai. Edhe Avni Rudaku, studiues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot se ndërhyrjet politike gjithmonë janë joefikase, me lidhje jo të domosdoshme profesionale dhe më pastaj dëmton atmosferën ndërkolegiale në punë. Organizatat, institucionet etj., ka thënë ai, të cilat nuk punojnë me parimin e meritokracisë, por me lidhjet politike, partiake, klanore, farefisnore etj., nuk kanë performancë të mirë në secilin variant të mendimit. 

(Kosova Sot)