Ligji për trashëgiminë i kohës së UNMIK-ut

  • 24 January 2018 - 09:08
Ligji për trashëgiminë i kohës së UNMIK-ut

DRAFTIMI I PROJEKTLIGJIT TË RI KA NISUR SHUMË VJET MË PARË

Bërja e ligjit të ri për trashëgiminë kulturore nuk pritet të ndodhë deri në fund të këtij viti, pavarë- sisht se draftimi i Ligjit për trashëgiminë ka nisur shumë vite më parë. Aktualisht ka një ligj për trashëgiminë, i hartuar më se një dekadë më parë, por rrethanat e reja pas pavarë- sisë dhe trajtimi i trashëgimisë kërkojnë një ligj të ri, i cili do të plotësonte kushtet ligjore për fushën e trashëgimisë. Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, që është edhe sponsoruese e këtij projektligji, thonë se ministria është duke punuar dhe rreth mesit të këtij viti pritet të marrë miratimin e Qeverisë dhe më vonë do të shkojë në Parlament. Ndërsa, ekspertë të fushës japin mendime të ndryshme rreth vonesave në miratimin e ligjit të ri për trashëgiminë. Sami Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka paraparë në Planin e Punës hartimin e koncept-dokumentit për trashëgiminë kulturore, i cili sipas procedurës për hartimin e akteve ligjore duhet t'i paraprijë Projektligjit për trashëgiminë kulturore."Afati për aprovimin e koncept-dokumentit për trashëgiminë kulturore në Qeverinë e Republikës së Kosovës është i paraparë për tremujorin e dytë të këtij viti dhe pas aprovimit të tij Ministria do të hartojë Projektligjin dhe të njëjtin do ta procedojë për aprovim në Qeverinë e Republikës së Kosovës", ka thënë Hoxha.

Sugjerimet e profesionistëve

Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se domosdo duhet miratuar Ligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore, i cili që disa vite po "pret në rend" si propozimligj, pasi kjo fushë ligjërisht ende është e mbuluar me një ligj para 12 vjetësh. Propozimligjin, ka thënë ai, duhet rishikuar edhe një herë, domosdo duhet ndryshuar dhe plotësuar ligjin aktual, duke përfshirë edhe elemente të reja që i imponon shekulli i ri dhe ekonomia e tregut me Partneritetin PublikoPrivat dhe të dërgohet në Kuvend për miratim, pasi pa kornizë ligjore as synimet progresive strategjike dhjetëvjeçare nuk mund të realizohen. Më tej Vokshi ka thënë se fusha e trashëgimisë kulturore ende funksionon me ligjin e vjetër të kohës së protektoratit ndërkombëtar (UNMIK 2006),gjegjësisht 2008 pas shpalljes së Pavarësisë. Ndërsa, ka thënë se disa herë kishte tentime të ndryshohet dhe plotësohet ky ligj, por po mungon guximi shtetëror dhe profesional që kjo problematikë të trajtohet, si në tërë botën e civilizuar, me ligje progresive. Po sipas tij, vendi qëmoti ka nevojë për një ligj të ri, pasi në këto vite (12) ka pasur ndryshime dhe zhvillime të reja, të cilat duhen përcjellë. Me siguri çështjet e trashëgimisë kulturore do të ishin avancuar me miratimin e një ligji të ri, i cili si projektligj i ka kaluar të gjitha hallkat legjislative qëmoti. Me siguri, me përfshirjen e sugjerimeve të profesionistëve në grupet punuese që kanë punuar edhe në legjislacionin e kaluar të Kuvendit të Kosovës.

Nevoja për një ligj të tillë ndihet edhe më shumë

Dr. Bashki Lajçi, etnolog, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se është e habitshme se si deri me sot ky projektligj nuk është miratuar, edhe pse dihet rëndësia e tij në përcaktimin e masave ligjore për inventarizim, hulumtim, dokumentim, konservim, restaurim, administrim, pasi siç ka thënë ai, duke qenë se trashëgimia jonë kulturore tash për tash gjendet në një gjendje jo të mirë, nevoja për një ligj të tillë ndihet edhe më shumë."Ndaj, çdo zvarritje në këtë drejtim është e pakuptimtë në promovimin e trashëgimisë kulturore. Duke qenë se trashëgimia jonë kulturore tash për tash gjendet në një gjendje jo të mirë, nevoja për një ligj të tillë ndihet edhe më shumë", ka pohuar dr. Lajçi. Kurse Dilaver Kryeziu, studiuesi dhe koreografi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se e gjithë kjo është neglizhencë e Ministrisë së Kulturës dhe padituri profesionale, që trashëgimia të ketë një ligj të fuqishëm dhe shumë profesional. 

(Kosova Sot)