Dhuna fizike ndaj aktorit Veton Osmani, TEATRI NUK MERR ASNJË MASË

  • 13 February 2018 - 09:44
Dhuna fizike ndaj aktorit Veton Osmani, TEATRI NUK MERR ASNJË MASË

GJYKATA THEMELORE E PRISHTINËS DËNON UDHËHEQËSIN, ARTISTIN E TKK-SË, AGON MYFTARIN, DHE AKTORIN SHKËLZEN VESELI PËR SULM NDAJ AKTORIT

Berisha: Në momentin që do të njoftohemi do të mblidhet KD për të diskutuar situatën

Duke i shpallur penalisht fajtorë për dhunën fizike dhe dëmtim të lehtë trupor ndaj aktorit Osmani, Gjykata ka dhënë një urdhër ndëshkimor për Myftarin dhe Veselin, duke i dënuar me nga 500 euro gjobë secilin, por edhe duke i hapur rrugë të dëmtuarit, Osmanit, për të hapur një kontekst civil në gjykatë ndaj Myftarit dhe Veselit

Udhëheqësi Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftari, dhe aktori i Trupës rezidente, Shkëlzen Veseli, janë gjetur fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës për sulm fizik ndaj aktorit Veton Osmani, që ka ndodhur në maj të vitit 2017. Duke i shpallur penalisht fajtorë për dhunën fizike dhe dëmtim të lehtë trupor ndaj aktorit Osmani, Gjykata ka dhënë një urdhër ndëshkimor për Myftarin dhe Veselin, duke i dënuar me nga 500 euro gjobë secilin, por duke u dhënë afat prej tetë ditësh që të kundërshtojnë vendimin. Ndërsa, duke i hapur rrugë të dëmtuarit Osmani për të hapur një kontekst civil në gjykatë ndaj Myftarit dhe Veselit. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga udhëheqësi artistik i TKK-së lidhur me rastin dhe aktvendimin e marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 28.12 2017, por që palëve u është dorëzuar tek javën e kaluar, ndërsa zyrtarë të MKRS-së dhe KD-së në një prononcim për "Kosova Sot" kanë thënë se veprimet e tyre pasi të njoftohen zyrtarisht me aktgjykimin do të merren konform ligjeve në fuqi. Kurse aktori i Trupës rezidente, Osmani, është shprehur se do të vazhdojë rrugën për të kërkuar të drejtën përmes një kontesti civil ndaj sulmuesve, duke pohuar se sulmi përveç lëndimit psikik dhe fizik ka ndikuar edhe në punën e tij si pjesë e Ansamblit të Teatrit.

Aktgjykimi i GJTHP-së

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 28.12. 2017, ka marrë aktgjykimin duke i shpallur udhëheqësin artistik Myftarin dhe aktorin Veselin faktorë për sulmin fizik dhe dëmtim të lehtë trupor ndaj Veton Osmanit. Sipas këtij aktgjykimi, më 25.05. 2017, rreth orës 14:30, në bufenë e TTK-së, Veseli, pas një mosmarrëveshjes të çastit, me të dëmtuarin Osmani, me dashje dhe me qëllim që t'i shkaktojnë lëndime trupore e ka kapur për fyti dhe më pas i pandehuri Myftari e ka goditur me grushte në shpinë të dëmtuarin Osmani, i cili pas goditjeve rrëzohet në dysheme, duke marrë lëndime të lehta trupore."Me këtë, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale 'Lëndim i lehtë trupor' nga neni 188 par. 1, pika 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Andaj gjykata në bazë të neneve 41, 43. 46, të KPRK-së si dhe neneve 365 e 495 të KPP të RK-së, të pandehurve u shqiptohet 'dënim me gjobë'", thuhet ndër të tjerash në aktgjykim. Përveç gjobës prej 500 eurove të dënuarit, sipas aktgjykimit, duhet të paguajnë edhe paushallin dhe shpenzimet e procedurës penale për ekspertizën mjekoligjor. Duke u dhënë afat prej tetë ditësh palëve për ankesë. 

Përgjigjet e institucioneve

Në anën tjetër, zyrtarë të MKRS-së nuk kanë dashur të komentojnë për rastin, por kanë thënë se çdo veprim që do të marrin do të jetë konform ligjeve në fuqi. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se MKRS-ja ende është njoftuar me përmbajtjen e aktgjykimit apo përfundimeve të Gjykatës lidhur me këtë rast."Në momentin që të njoftohemi, do të informohemi nga Këshilli Drejtues i TKK-së si organ epror i zyrtarit që është apostrofuar. Ministri Gashi dhe MKRS-ja mbeten të përkushtuara në çdo rast të zbatohen drejt dhe efektivisht ligjet dhe rregullat në fuqi", ka thënë Hoxha. Kurse Burbuqe Berisha, kryetare e Këshillit Drejtues të së TKK-së, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se KD-ja ende nuk ka ndonjë informacion lidhur me këtë aktgjykim, por në momentin që do të njoftohet do të mblidhet për të diskutuar për situatën. "Vendimin do të merret konfrom ligjeve në fuqi", ka thënë ajo.

Lëndimi i aktorit

Ndërsa i dëmtuari, aktori Veton Osmani, pasi ka konfirmuar vendimin e marrë nga Gjykata e Themeloren në Prishtinë, ka thënë se si me asgjë nuk e ka provokuar sulmin që ka ndodhur kundër tij dhe se një gjë të tillë e ka konstatuar edhe gjykata kompetente. "Jam shumë i indinjuar që menaxhmenti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë rast, gjë që jep indikacione se sulmi ka qenë i orkestruar dhe i paramenduar paraprakisht", ka pohuar ai. Më tej Osmani ka thënë se nuk i di arsyet që është sulmuar, por me sulmin e ndodhur ka pësuar lëndim psikik, moral dhe fizik, gjë që siç ka thënë më tej ai ka ndikuar si në punën e tij, të përditshme si pjese e Ansamblit të Teatrit, e po ashtu edhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore brenda institucionit, gjë që ka reflektuar edhe në punën e tij si aktor. Sipas tij, sikur menaxhmenti të kishte ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj kryesve të sulmit, me siguri se pasojat do të ishin më të vogla dhe se do të ndjehej i mbrojtur nga institucionet përkatëse. 

(Kosova Sot)