SHUMË DËSHTIME, PAK ARRITJE NË KULTURË PËR 10 VJET

  • 17 February 2018 - 11:05
SHUMË DËSHTIME, PAK ARRITJE NË KULTURË PËR 10 VJET

NJË DEKADË PAS SHPALLJES SË DEKLARATËS SË PAVARËSISË

Në 10 vjet shtet, filmi "Shok" ka qenë arritja më e madhe

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Në film, në operë, në balet, në teatër, në këngë, në vallëzim etj., nuk kemi avancuar, me përjashtim arritjet individuale në promovime jashtë vendit, si ato me origjinë nga Kosova, Rita Ora e Dua Lipa, apo edhe Era Istrefi me vendbanim e origjinë nga Kosova

Për 10 vjet shtet, Kosova nuk arriti t'i departiazon institucionet kulturore. Nuk ka pasur sundim të ligjit as në funksionimin e institucioneve kulturore, as në shpalljen e konkurseve publike për drejtorët e tyre. Për muaj e tejkalim edhe viti, kemi qenë jo rrallëherë me ushtrues detyre në institucionet kulturore dhe ato vartëse të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Nepotizmi, partiakizmi, klanizmi, i ka përcaktuar zakonisht çmimet për veprat më të mira, për përcaktimin e jurive etj. Ngjarjet e ndryshme kulturore janë përcjellë me mungesë kreativiteti, me organizatorë amatorë e të njëanshëm, të cilët kanë mbajtur njëri-tjetrin në aktivitete kulturore të mbështetura nga paratë e shtetit dhe kanë bërë pjesëmarrës shoqi-shoqin, shoqja-shoqen. Për 10 vjet shtet, kemi dështuar në kritikë kinematografike, kulturore, letrare, sakaq miqtë kanë shkruar për njëri-tjetrin me porosi dhe nuk kanë lënë në ato aktivitete kulturore të organizuara, të qarkullojnë vlerat e reja kulturore. Në film, në operë, në balet, në teatër, në këngë, në vallëzim etj., nuk kemi avancuar, me përjashtim arritjet individuale në promovime jashtë vendit, si ato me origjinë nga Kosova, Rita Ora e Dua Lipa, apo edhe Era Istrefi me vendbanim e origjinë nga Kosova. Këto të fundit, edhe nëse mund t'i diskutoni për shije muzikore, të paktën për diçka s'mund t'i bëni të diskutueshme: se ndikojnë në promovimin e Kosovës, si shtet i ri dhe me shumë nevojë për lobim direkt dhe indirekt. Më e mira do të ishte zhvillimi ekonomik, si lobimi më i mirë, por ja që kozmetika ka efektet e veta diplomatike në secilin variant. Në 10 vjet shtet, filmi "Shok" ka qenë arritja më e madhe, i nominuar për Oskar, por ja që kemi 10 vjet, me dështim për prodhim të filmit artistik e të metrazhit të gjatë. Kemi dështuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, madje edhe atë të Qendrës Historike të Prizrenit e të Shtëpisë Memoriale "Adem Jashari". Disa dështime të tjera po i imëtojmë më tej:

10 VJET PA INSPEKTORATIN PËR TRASHËGIMI KULTURORE

Kosova ka pasur inspektorë për shumë fusha, por jo edhe për trashëgiminë kulturore. Pavarësisht se me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore është paracaktuar inspektorati dhe inspektorët e trashëgimisë kulturore, MKRS vetëm në këtë muaj, ka njoftuar opinionin publik për emërimin e ca inspektorëve. Nëse Ligji në fund mban datën e kohës së UNMIK/REG/2006/52 06.11.2006, ndërsa në krye të faqes së parë, datën e vitit 2008, atëherë i bie se rrafsh 10 vjet nuk është zbatuar neni 4.12, i cili thotë: "Inspektorët e caktuar nga Ministria, në pajtim me një akt nënligjor bazuar në këtë ligj, vlerësojnë kushtet dhe gjendjen e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe ndërmarrin masat e duhura për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. 4.13. Pronari, poseduesi ose shfrytëzuesi i trashëgimisë kulturore të mbrojtur është i obliguar të mos pengojë inspektimin që kryhet sipas nenit 4.12." Po ashtu, as në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës nuk e kemi numrin e mjaftueshëm të inspektorëve, as vullnetin politik, as përgjegjësinë institucionale në nivel maksimal, për të mbrojtur trashëgiminë kulturore. Në 10-vjetorin e Pavarësisë, Kosova edhe Qendrën Historike të Prizrenit e ka dëmtuar shumë, e cila mbeti ndër të fundit si e ruajtur, ndërsa në këta muaj të dekadës festive, rrezikohet edhe shembja e Shtëpisë së Jasharëve në Prekaz, për të cilën ne shkruajtëm në kolumnen e fundit. 

TEATROT NË 10 VJET SHTET

Teatrot në Kosovë nuk kanë arritur ta kenë funksionalitetin e pritshëm nga aktorët e publiku. Shumica e teatrove në Kosovë ballafaqohen me probleme të funksionimit, menaxhimit, organizimit, cilësisë etj. Shumë teatro politizohen skajshëm, sakaq vetëm në njërin nga teatrot e qytetit, pesë herë shpallet e rishpallet konkursi për drejtor të përgjithshëm dhe artistik të teatrit. Pavarësisht se një pozitë e tillë përcaktohet me konkurs publik, ajo mbetet pozitë e partiakizuar ekstremisht. Në 10 vjet shtet, nuk kemi arritur ta departiakizojmë teatrin, ta funksionalizojmë atë, ta ringjallim dhe ta pasurojmë jetën teatrore, të paktën në 7 komunat më të mëdha. Po ashtu, cilësia në teatrot e qyteteve, performanca, dramatizimi, inskenimi, koncepti regjisorial e tjerë e tjerë, mbesin shumë të dobëta dhe pa ndonjë tejkalim të teatrit tradicional, me ndonjë përjashtim aty-këtu. Në 10 vjet shtet kemi dështuar t'i japim fëmijëve shfaqje teatrore, për nivelin e tyre mendor, emocional dhe bihejvioral, duke u reduktuar me ngjarjet e vetme shkollore, me ato vjershat e shkruara nga prindërit apo familjarët e nxënësve, e të paraqitura të shkruara nga vetë nxënësit e të lexuara e të mësuara me britma. Shumica e fëmijëve nuk kanë oferta teatrore, të rregullta, sistematike e të përmuajshme (apo edhe të përvitshme) në komunat e Kosovës, përjashtuar aty-këtu Teatrin e Kukullave në Prishtinë. Për 10 vjet shtet nuk kemi ndonjë legjislaturë të mirëfilltë mbi teatrot, duke ngelur në duar deputetësh që nuk kanë fare interesim për përpilime ligjesh më profesionale, më përmbledhëse e më të qarta, pa kuptime të dyfishta dhe funksionalizim të teatorve të qyteteve.

10 VJET PA KINEMA

Kinematë janë privatizuar, tjetërsuar dhe janë defunksionalizuar. Shumica e qyteteve tona kanë mbetur me jetë të varfëruar kinematografike. Filmat i shijojmë privatisht dhe personalisht (përjashtuar kinemanë private në hyrje të Prishtinës), por jo sa për të krijuar kulturë dhe edukim estetik te fëmijët ta duan kinemanë. Qendra Kinematografike e Kosovës, me përjashtim të pjesëmarrjes në disa ngjarje me rëndësi për filmin, festivale, nominimi për "Oscar" me filmin e metrazhit të shkurtër, nuk ka arritur ta ketë rolin e vet siç duhet. Së fundi, madje është informuar opinioni publik përmes disa asociacioneve joqeveritare se, ishte shpallur konkurs i brendshëm më 29 dhjetor 2017 për drejtorin e ri, me afat pak ditësh, në kohën e ndërrimit të moteve, dhe më pas ministria sërish ka shpallur konkurs publik, ashtu siç parashihet me ligj. Dështimi në funksionalizimin e kinemave ka bërë që Kosova në 10 vjet shtet, të mos ketë kulturë të gdhendur publike e kinematografike, ndonëse me kinemanë e fundit private, ka rindezur gjakun e të rinjve, të çifteve etj., për të parë filma në ekrane të mëdha. Kosova për 10 vjet shtet, nuk ka arritur ndonjë sukses në shtrirjen, funksionalizimin, organizimin dhe menaxhimin e kinemave në vend, ndonëse rezultati i vetëm i dukshëm dhe i prekshëm, me përmasa edhe ndërkombëtare, ka qenë nominimi i filmit të metrazhit të shkurtër "Shok" për çmimet e njohura "Oscar". Madje, edhe për atë, më shumë suksesi është vlerësuar nga regjisori britanik Jamie Donoughue.

10 VJET SHTET PA OBJEKT PËR OPERË DHE BALET

Po bëhen 10 vjet shtet dhe Kosova ka mundur ta ketë objektin e shtëpisë për operë dhe balet. Ka pasur aq shumë zvarritje, aq shumë 'pingpong' edhe pas studim fizibilitetit, ka pasur aq shumë polemika koti në nivel qendror e lokal, sakaq edhe sot nuk e kemi akoma të përfunduar këtë objekt. Në 10 vjet shtet, Kosova ka pasur suksese në muzikën klasike, në pjesëmarrje të shumë instrumentistëve dhe këngëtarëve në koncertet evropiane, aziatike etj., por nuk ka arritur shteti të jetë serioz në krijimin e kushteve të volitshme për muzikë klasike. Muzika klasike në Kosovë është avancuar tej mase, nëse e krahasojmë me periudhën para 20 vjetësh, kur kjo muzikë identifikohej edhe me 'muzikë serbe' në veshët e disave - sepse ajo muzikë transmetohej në kanalin 3 të Serbisë dhe keqkuptohej, sakaq thuhej se ajo nuk na takon neve - por vazhdon të mos ketë stadin zhvillimor të pritur. Po ashtu, prej një botëkuptimi se muzika klasike është vetëm për funerale e të vdekurit, ka ndryshuar mjaft shumë në ditët e sotme, por jo edhe në nivele të dëshiruara, nëse krahasojmë fuqinë e saj 'shëndetësore', shpirtërore, edukative, intelektuale, estetike... Muzika klasike po ecën! Në 10 vjet shtet, i kemi instrumentet e blera nga Japonia dhe i kemi të reja, por vetëm jemi pa objekt.

10 VJET ME DËSHTIME PËR ANËTARËSIM NË UNESCO

Kosova, ndoshta me elita të përgjegjshme politike, kulturore e shkencore, do të mund të kishte arritur të anëtarësohej në UNESCO. Ndoshta edhe fati nuk ka qenë i përputhshëm me rendin global, ndryshimet e forcave dhe superfuqive, rritjen e antiamerikanizmit etj. Dështimi mund të mendohet edhe si rezultat i vendimit të fundit të SHBA-së të ndalin financimet për UNESCO-n, duke ndikuar edhe kjo në vendimin për t'u tërhequr nga anëtarësimi në UNESCO. Sidoqoftë, në 10 vjet shtet, si dështim, mund të llogaritet edhe mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Kjo do të na sillte të mira materiale dhe profesionale.

10 VJET SHTET ME EDUKIM TË DOBËT ESTETIK

Se shija kultivohet, askush nuk mund ta mohon me fakte. Nëse shohim mënyrën e përgjithshme të jetesës, shfrytëzimin e kohës së lirë vetëm në kafene, koncerte minimaliste e të organizuara dobët, dominim të medieve me këngë e këngë- tarë shumë amatorë në interpretim, këndim e tekste, do të mund të konstatonim se për 10 vjet shtet, kemi dështuar si medie, si shkolla, si universitete, si institucione kulturore, ta shtojmë dhe ta kultivojmë edukimin estetik në përgjithësi. Nëse shohim programet televizive, formatin e tyre, organizimin, pjesëmarrësit, ne shohim se Kosova nuk ka bërë ndonjë emancipim që ia vlen ta përmendim për këto 10 vjet. Kiçi dhe shundi kulturor në muzikë, seriale vendore e të huaja, në komedi televizive etj., ka mbizotëruar. Nuk kemi pasur këto 10 vjet ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm të artit pamor, sa për ta shënuar si tregim suksesi. Artet pamore megjithëse shënuan një progres për pak vjet me ca emra, sërish e shohim se ka stagnime dhe nuk ka tendenca të reja bashkëkohore, sa për ta ndryshuar mënyrën e të menduarit në shoqëri për të bukurën, të madhërishmen, stepjen, artin në përgjithësi, përjashtuar dy-tre emra që kanë arritur të kenë impakt edhe jashtë Kosovës.

FUND

Kosova për 10 vjet shtet, është më mirë se para Pavarësisë në hartimin e ca ligjeve, si p.sh., Ligjin për sponsorizime në fushën e kulturë, rini dhe sportit, ndonëse kanë dështuar bartësit e institucioneve për të promovuar këtë ligj te bizneset. Por në disa ligje, vetëm ka degraduar legjislatura për teatrot. Ligji për teatrot, i riu, është më pak cilësor se ligji i vjetër apo paraprak, të paktën, sa për t'ia lënë në përgjegjësi teatrot e qyteteve MKRS-së, e jo komunave. Kur u pati bërë ligji i ri, MKRS-ja për ta larguar përgjegjësinë nga vetvetja, thirrej në ndryshimin e ligjit për teatrot. Pas Pavarësisë së Kosovës, më shumë kemi dështime të kinemave, sesa para saj. Menjëherë pas luftës, ka filluar procesi i privatizimit, por nuk kanë qenë krejt kinematë e mbyllura, të paktën mundoheshin të mbijetonin. Për 10 vjet shtet, kulturalisht, nuk kemi ndonjë arritje sa për ta mbajtur në mend dhe sa për të na shkundur shpirtërisht!

(Kosova Sot)