Sekretet dhe favoret e spiuneve seksi nga Rusia

  • 20 February 2018 - 18:07
Sekretet dhe favoret e spiuneve seksi nga Rusia

KRITIKË E FILMIT 'RED SPARROW'

Dominika dhe Edgerton kanë një 'kimi' adekuate në ekran

Veterani i filmit 'Hunger Games', Francis Lawrence, ribashkon forcat me yllin Jennifer Lawrence për një film rreth spiuneve ruse seksi

F ilmi i regjisorit Francis Lawrence, "Red Sparrow" ndonjëherë duket se targeton llojin e fansave të aktores Jennifer Lawrence, të cilët mendojnë se filmi i lëshuar së fundmi, "Mother!", nuk ua kushtoi vëmendjen e duhur bukurive trupore të aktores. Çka do të ishte një film spiunazhi, pa pasur femra të bukura? Do të ishte diçka i ngjashëm me John Le Carre, gjë që ky film nuk është aspak. Duke u bazuar te balanca jo lehtë e arritshme midis spiunazhit të llojit "mos i beso askujt" dhe sensacionalizmit, filmi "Red Sparrow" ka të ngjarë që të josh një numër të madh shikuesish, por vetëm pak prej tyre do të mbeten të kënaqur në tërësi. Bazuar në një roman me të njëjtin emër, të shkruar nga ish-operativi i CIAs, Jason Matthews, skenari i Justin Haythe's heqë pjesë të mëdha të librit, përkundër gjatë- sisë epike të filmit. Nuk e kemi më theksin te sinestezia e heroinës, në të cilën ajo lexon personalitetet e caqeve të veta, sikur të kishin kode me ngjyra. Dhe, derisa libri ia kushton një vëmendje të madhe dietës së personazheve (çdo kapitull mbaron me nga një recetë), filmi ka, me gjasë, vetëm një skenë ku njëri prej personazheve e ushqen vetveten dhe, kjo skenë nuk ta hapë aspak apetitin. 

Njeriu i pamoralshëm

Në vend të kësaj, Haythe dhe Lawrence përqendrohen te një program me gjasë fiktiv, "Sparrow", në të cilin rekrutët e rinj dhe atraktivë të Shërbimit rus të inteligjencës, SVR, shkojnë në shkollë vetëm për t'u trajnuar në mënyrat e joshjes. Në këtë shkollë, Charlotte Rampling edukon si meshkujt, po ashtu edhe femrat. "Çdo qenie njerë- zore është enigmë nevojash", iu thotë ajo atyre, duke insistuar se, duke ditur si ta plotësojë atë nevojë të padukshme, operativi mundet që të nxjerrë sekretet dhe favoret nga caqet e huaja. Jennifer Lawrence, me personazhin e saj, Dominika Egorova, një balerinë yll, karriera e së cilës shkatërrohet nga një aksident në skenë, dërgohet në shkollën "Sparrow" nga xhaxhi i saj, Vanya (Matthias Schoenaerts), një njeri i pamoralshëm i cili renditet lart në rangjet e SVR-së. Cili xhaxha do ta dërgonte mbesën e vet në një kamp të tillë? Kjo pyetje shtrohet disa herë këtu, por enigmë më e madhe është pse Dominika do të shkonte në një vend të tillë. 

Mungesa e ngrohtësisë

Nëse i biem shkurt, do të mund të themi se ajo mendon se ka rënë dakord rreth 'një nate' me qëllim të joshjes dhe mashtrimit të një personi, në mënyrë që Vanya më pas, do t'i ndihmonte nënës së saj të sëmurë. Pasi që ajo natë rezulton me një vrasje, Vanya i thotë mbesës se ajo tani di tepër shumë dhe se do ta vrasin, nëse nuk pranon që të bashkëpunojë në tërësi. Në "shkollë" studentët mësohen që të humbin ndjenjat në lidhje me trupin e tyre ("trupi juaj i takon shtetit") dhe të bëjnë atë çka ju thuhet. Dominika pranon. Nate Nash (Joel Edgerton) është një njeri i CIA-s të cilit i duhet që të largohet nga Rusia, pasi gati e zënë duke u takuar me një oficer të lartë të inteligjencës ruse. Ai tani gjendet në Budapest dhe Dominikës i duhet që të shkojë atje, ta fitojë besimin e tij dhe ta mësojë identitetin e informatorit të tij. Edhe pse Dominika dhe Edgerton kanë një 'kimi' adekuate në ekran, skenarit i mungon çdo ngrohtësi në lidhje me raportin e tyre. Mary-Louise Parker, në rolin e tradhtares amerikane, sjell një qëndrim të nevojshëm 'në djall me të gjithë' edhe pse paraqitja e saj është jo aq e gjatë. Rolet në këtë film i luajnë Jenifer Lawrence, Joel Edgerton, Matthias Schoenaerts, Jeremy Irons, MaryLouise Parker, Charlotte Rampling, Ciaran Hinds; derisa regjinë e ka bërë Francis Lawrence. Skenarin e ka shkruar Justin Haythe, derisa kompozitor është James Newton Howard.

(Kosova Sot)