PARAJA E PUBLIKUT NUK GUXON TË BËHET RRUSH E KUMBULLA

  • 24 February 2018 - 10:36
PARAJA E PUBLIKUT NUK GUXON TË BËHET RRUSH E KUMBULLA

ME SHKAS THIRRJEN PUBLIKE NGA MKRS-JA PËR PROJEKTET KULTURORE PËR VITIN 2018

Të shqyrtohen me kujdes të gjitha projektet kulturore

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Nëse artisti apo OJQja promovon fashizëm, nazizëm, ekstremizëm të dhunshëm, natyrisht se duhet të diskualifikohet që në fillim të procedurës së aplikimit për fonde publike, qoftë edhe i jashtëzakonshëm në formën artistike të realizimit. Pra, kriteri i parë i plotësimit të kushteve me standarde krijuese evropiane dhe botërore, është i ndërtuar gabimisht në aspektin gjuhësor, teknik e përmbajtjesor.

Në faqen zyrtare të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport është bërë publike thirrja për përkrahjen financiare të projekteve kulturore për vitin 2018, sikurse thuhet, për organizatat e regjistruara si OJQ, si dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës. "Vlera totale për projektet kulturore për këtë vit është e planifikuar është 750,000.00 mijë euro. MKRS fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektetidetë me karakter: • Profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtjesor i respektojnë standardet krijuese evropiane dhe botërore; • Promovues, i cili ka për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendor në skenën artistike ndërkombëtare; • Stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative; • Tradicional, përmes të cilave do të promovohen vlerat kulturore; • Inovativ, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues; • Kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik; OJQ-të dhe individët, në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet / programet e tyre për promovimin e kulturës, në fushën e kinematografisë, teatrit, muzikës, arte vizuale, industri kreative, diversitet kulturor dhe dialog, diplomaci kulturore, aktivitete letrare, bibliotekari." (Shih faqen zyrtare elektronike të MKRS-së!) Në fillim të këtij teksti të cituar, që përshkruan karakterin e projekteve, është e pakuptueshme se ç'domethënie ka "standardet krijuese evropiane dhe botërore". Nuk ka standarde në kulturë e art, por ka vlera lokale apo universale, parciale apo të përgjithshme. Ne besojmë se është e gabueshme të kërkosh standarde evropiane në aktivitetin krijues, por 'vlerat evropiane'. E kërkuam fjalën 'standard' në një nga fjalorët elektronikë shqip-shqip dhe gjetëm disa nga këto përshkrime: "1. Send i përgatitur me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara, i cili shërben si gjedhe për mallrat që prodhohen në seri. Standardi shtetëror. Standard ndërkombëtar. 2. Tërësia e kërkesave, e cilësive dhe e karakteristikave, që përcaktohen si të detyrueshme për një lloj prodhimi, për punimet e ndryshme të ndërtimit etj. Standardet shtetërore. Kërkesat e standardit. Prodhim brenda (jashtë) standardit. Ruan (shkel) standardet. U përgjigjet standardeve. 3. Tërësia e kërkesave që paraqiten për diçka, e cila duhet t'i përgjigjet një shkalle të arritur ose një niveli të caktuar; nivel. Standard i lartë (i ulët). Standardi i jetesës niveli që është arritur në jetesën e përditshme, gjendja ekonomike e punonjësve."(http://www.fjalorshqip.co m/) Ose kemi edhe këto shpjegime të fjalës "standard" si mbiemër, e cila nuk përputhet aq mirë me vlerat krijuese artistike: "1. Që bëhet a që prodhohet në seri sipas një gjedheje me përmasa, trajtë e cilësi të caktuara; që bëhet sipas një tipi a standardi, i njëllojtë me diçka tjetër. Prodhime standarde. Shtëpi banimi standarde. 2. Që shërben si bazë për masat e ndryshme të peshës, të gjatësisë etj. Metri standard. Peshat dhe masat standarde. 3. Që bëhet pa mendim krijues, duke ndjekur a duke përsëritur mekanikisht diçka të njohur; i njëllojtë dhe pa diçka të vetën a origjinale. Forma të vjetra, standarde. Deklarata standarde."(po aty).

KALLËPET JANË TË PAPRANUESHME PËR SHPIRTIN KRIJUES TË ARTISTËVE

Nëse do të shtonim edhe më tutje këtë gjë, do të thoshim se standardet apo kallëpet, janë të papranueshme për shpirtin krijues të artistëve. Artistët nuk mund të kenë modele që i kërkon një superstrukturë politike, apo në këtë rast, një institucion shtetëror, si ministria. Arsyeja pse po e tëhollojmë këtë thirrje publike të MKRS-së është edhe nevoja për formulime serioze, siç është institucioni për kulturë. Po të përdorim shprehje si "vlera evropiane", edhe kjo është në diskutim të gjerë në mesin edhe të vetë intelektualëve evropianë, por megjithatë, shumica nga ne, e kuptojnë si diçka pozitive, në kuptimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore, ndërkulturore dhe ndëretnike si: barazia, liria, multikulturalizmi, toleranca. Nëse artist apo OJQ promovon fashizëm, nazizëm, ekstremizëm të dhunshëm, natyrisht se duhet të diskualifikohet që në fillim të procedurës së aplikimit për fonde publike, qoftë edhe i jashtëzakonshëm në formën artistike të realizimit. Pra, kriteri i parë i plotësimit të kushteve me standarde krijuese evropiane dhe botërore, është i ndërtuar gabimisht në aspektin gjuhësor, teknik e përmbajtjesor. Kjo është e dëmshme për artistë të cilët i shpërfillin shabllonët dhe fiksimet që kufizojnë lirinë krijuese. Nuk ka më qesharake se sa të thuash se paskësha diçka si "standarde evropiane dhe botërore krijuese"! Në art dhe tek artistët, sado që ka modele imitimi, frymëzimi apo inspirimi, të paktën përpjekja dhe tendenca nuk është të ndiqen standarde të caktuara evropiane, aziatike, australiane, kanadeze, afrikane etj... Karakteri i parë i kërkuar do të mund të plotësohej me kushtin tjetër të mëposhtëm për thirrje publike nga MKRS-ja, por edhe këtu shfaqet me ca përsëritje nocionesh herë anglisht apo edhe me bazë të hershme të gjuhëve të vjetra, e herë shqip: "Inovativ, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues;" (faqja elektronike e MRKS-së) Inovative apo risisjellëse? E njëjta gjë, ndonëse edhe këtu haset problemi i përshtatjes së gjuhës shqipe me nocionet e reja të ardhura nga latinishtja apo greqishtja e hershme e të ndikuara nga gjuha e sotme angleze. Edhe sot e kësaj dite, bëhen gabime të mëdha në dallimet e termeve 'zbulim', 'shpikje' apo 'inovacion'. Gjersa në shqip lexojmë se "Kolombo shpiku Amerikën!", e jo zbuloi, apo "Shpiku 9 apo 8 planetë", e jo zbuloi. Zbulim, do të thotë, se ju keni gjetur diçka që ka ekzistuar pavarësisht nga ju. Shpikja i dedikohet imagjinatës suaj, si: telefoni, televizori, makina me avull, kompjuteri. Ndërsa inovacioni apo risia, ka bërë që të lehtë- soni punën apo prodhimin e një serie. Në shqip, nuk po punohet shumë nga gjuhëtarët për shprehjet aq të nevojshme e të përdorshme sot, si 'inovacioni', dhe pastaj po hasen përsëritje herë shqip, herë anglisht, herë latinisht, të së njëjtës gjë, sikur ndodh në thirrjen publike të MKRS-së. Po nejse, le të lëmë këtë, për të dalë në formën e aplikacioneve që ka shpërndarë MKRS-ja, të cilët duhet t'i plotësojnë OJQ-të e individët artistë për thirrjen publike të financimit të projekteve kulturore.

FORMA E NDËRLIKUAR E APLIKACIONIT

Personalisht i kam dëgjuar disa artistë e OJQ kulturore që nuk janë të kënaqura me aplikacionet aq të ndërlikuara, aq me detaje, sikur kërkohet akoma pa e fituar projektin, por vetëm në fazën për të aplikuar. Këto aplikacione janë të mundimshme dhe shpesh ndodh artistë e OJQ të heqin dorë nga këto thirrje publike, vetëm se: • Nuk dinë si ta mbushin aplikacion me aq shumë fusha e kolona të kërkuara për plotësim; • Nuk kanë durim gjer në fund për t'i mbushur aplikacionet e tilla; • Janë edhe dembelë duke iu vardisur rrugëve sa më të lehta për aplikim; • Nuk i kuptojnë qartë aplikacionet e tilla, në fjalë e nocione, të cilat u përpoqëm kalimthi t'i zbërthejmë për shkak të kompleksitetit dhe ngatërrimit të shpeshtë të tyre, ndonëse në dukje të ngjashme në mes vete; • Nuk janë aktive si OJQ kulturore dhe puna grupore është e çakorduar e periodike etj. Forma e aplikacionit dhe shumë shabllone janë përshtatur edhe nga Bashkimi Evropian dhe kjo është e qartë! Sa mjete financiare shpenzohen për përpilime aplikacionesh të BE-së, për fonde e grante në fushën e kulturës, sakaq artistët dhe OJQ-të kulturore, aq shumë 'kompleksohen' dhe kanë nevojë për trajnime shtesë vetëm për të shkruar projekte dhe plotësuar aplikacione! Edhe aplikacionet MKRS-së janë ndërlikuar shumë dhe shumë aplikues që në fillim po heqin dorë nga thirrja publike. Në anën tjetër, aplikacionet e tilla janë të mira sepse duke kërkuar detaje, mund të shtohet llogaridhënia për fondet publike, por nuk janë zgjidhja e duhur për kontrollimin e menaxhimit financiar. Ato plotësohen formalisht, por kjo nuk e siguron kontrollin e menaxhimit të duhur e ligjor financiar. Ato duhet të ndodhin në auditimin dhe format e tjera të monitorimit nga organet përgjegjëse, sepse kjo është vetëm faza e parë e aplikimit. Në rast se artisti apo OJQ-të kulturore e fitojnë një projekt, pastaj do të duhej të kërkohej aq shumë detaje, e jo që në fazën e parë. Sidoqoftë, më e rëndësishme se të gjitha këto që u shënuan, është ndryshimi i mentalitetit të shpërndarjes së mjeteve financiare nga buxheti i MKRS-së: të mos jepen para për organizata fantome kulturore; as për ato që vetëm se dinë të plotësojnë aplikacione të tilla të ndërlikuara, të fitojnë; as ato që vetëm kanë një emër që del në medie; as vetëm artistë e OJQ që janë të afërta me pushtetin e kësaj apo asaj partie, apo me lidhje e njohje ndërpersonale me individët me ndikim. Paraja është e publikut dhe të vlerësohen në mënyrën sa më objektive, profesionale dhe serioze, të gjitha aplikacionet, duke nxitur veprimtarinë kulturore-krijuese të të gjithëve pa dallim. Duhet të krijohet edhe besim i ri për aplikuesit, se aplikacionet e tyre do të shqyrtohen me kujdes dhe me profesionalizëm. Deri më tash, fatkeqësisht, mënyra se si janë ndarë mjetet financiare për dikë e për dikë, nuk ka qenë krijim i besimit. Përkundrazi, është krijuar zhgënjim dhe humbje e motivimit për aplikim, nga pikëpamja se nuk njohin askë dhe nuk mund të fitojnë. Nëse shohim rezultatet e disa thirrjeve publike, do të shohim se si individë të caktuar artistë, ose fitojnë me siguri të plotë, ose marrin më shumë fonde se kushdo tjetër, dhe jo nga ndonjë projekt aq i veçantë, sa të na marrin mendjen, por sepse në forma të ndryshme, kanë lidhje me njerëzit e pushtetshëm. Vendi është i vogël dhe ne njohim njëri-tjetrin, por jo sa për ta shndërruar në aktakuzë se kemi 'peshqit e mëdhenj', të paprekur për t'u marrë me shuma edhe 1 mijë apo 3 mijë eurosh!

(Kosova Sot)