Ministria rrëzon idenë e ish-ministrit për themelimin e Qendrës së Librit

  • 15 March 2018 - 08:14
Ministria rrëzon idenë e ish-ministrit për themelimin e Qendrës së Librit

Një ide që mund të sillte dobi për librin dhe mbështetjen për të 

Një vendim i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e themelimit të agjencive të reja të pavarura ka bërë që Ministria e Kulturës të heqë dorë nga themelimi i Qendrës Kombëtare të Librit. Ideja për themelimin e një qendre të librit ishte lansuar në fillim të vitit 2016 nga ish-ministri i atëhershëm i Kulturës, Kujtim Shala. Bile ai kishte mbledhur njerëzit e librit në një takim dhe pasi kishte shpalosur idenë për qendrën, kishte kërkuar edhe mbështetjet e tij. Por, nuk u bë më shumë se kjo mbledhje, apo të paktën ministria nuk dha ndonjë informatë rreth punës për konkretizimin e idesë. Pavarësisht rrjedhës, themelimi i një qendre të tillë ishte parë si një ide që mund të sillte dobi për librin dhe mbështetjen për të. Por, gjithnjë nëse në kryet e saj vinin njerëzit e duhur. Në të kundërtën bërja e saj do të ishte vetëm humbje parash.

"MKRS-ja nuk ka vazhduar me idenë e themelimit të një qendre të tillë"

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", kanë thënë se arsyeja kryesore që MKRS-ja ka hequr dorë nga themelimi i kësaj qendre është një vendim i qeverisë aktuale për të ndaluar themelimin e agjencive të reja buxhetore. Samiri Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se, bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e themelimit të agjencive të reja të pavarura, ministria nuk e ka shtyrë më tej idenë për një qendër libri. "Pas vendimit të Qeverisë, MKRS-ja nuk ka vazhduar me idenë e themelimit të një qendre të tillë, andaj, bazuar në atë që u tha më lart, konsideroj se kjo është një çështje e zbatimit të vendimit të Qeverisë", ka potencuar këshilltari Hoxha. 

Dinjiteti i nëpërkëmbur

Kurse për njerëzit e librit një qendër e tillë është dashur që tashmë të ishte në funksionon. Shkrimtari Argjend Hasani, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Kosova jo vetëm që ka nevojë për themelimin e një qendre të tillë për librin, por paralelisht kjo qendër të themelohet si Qendra e Krijuesve dhe e Librit dhe kështu, siç ka thënë ai, librit dhe krijuesve do t'i sigurohej një shtëpi e dinjitetshme. "Po ku ishte ai në kohën sa ishte ministër!? Prandaj, uroj që ministri këtë ide të vonuar, por jetike, të mos e shfrytë- zojë si marketing politik, por të vihet në shërbim të rikthimit të dinjitetit të nëpërkëmbur të librit dhe të krijuesve", ka thënë ai. Ndërsa krijuesi Bujar Meholli është shprehur për "Kosova Sot" se krijimi i një Qendre të Librit do të ishte një gjë jashtëzakonisht e mirë për vendin tonë. Kjo qendër, ka thënë ai, do të synonte promovimin dhe afirmimin e librit, si dhe do të kontribuonte edhe në afirmimin e vlerave multikulturore."Po kështu do të ndikonte në krijimtarinë letrare, gjegjësisht do t'i nxiste të rinjtë të merren me shkrime. Nëse do të jetësohej kjo ide dhe krijohej një qendër e tillë, krijimtaria jonë letrare do të avancohej dukshëm dhe do të ishte e pranishme edhe nëpër panairet ndërkombëtare, e krahas kësaj do të ngrihej cilësia e botimit me qëllimin kryesor që libri shqiptar të ketë një plasman sa më të mirë në arenën ndërkombëtare", ka thënë Meholli. Kurse Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, është shprehur për "Kosova Sot" se ideja për themelimin e një qendre të tillë është e mirë dhe e nevojshme. 

(Kosova Sot)