"AMOK" shkëlqen në Emirate

  • 15 March 2018 - 10:43

Dy profesorët e Universitetit të Prishtinës, të Fakultetit të Arteve, Prof. Elmaze Nura dhe Prof. Mentor Zymberaj, kanë përfaqësuar Kosovën me shfaqjen "Amok", në Festivalin Ndërkombëtar të Arteve në Fujariah të Emirateve të Bashkuara Arabe, që u mbajt prej 24 shkurt deri me 5 mars 2018. Festivali Ndërkombëtar i Arteve i Fujariah-s është një event artistik i organizuar nga Autoriteti Kulturor dhe Medial i Fujariah-s nën patronazhin e Shkëlqesisë së tij, Mbretit Sheikh Hamad Bin Mohammed Al Sharqi. Festivali përbëhet nga komponente unike artistike, të cilat përfshijnë teatrin, muzikën, artet vizuale, performancat, që komunikojnë me kontinente të ndryshme, nga e gjithë e bota. Të gjitha këto integrohen në prodhimin e një kualiteti të lartë artistik, të Festivalit Ndërkombëtar të Arteve, duke synuar që të ketë një rol udhëheqës në lëvizjet globale kulturore. Nga e tërë bota ishin selektuar vetëm 12 shfaqje, monodrama, për t'u prezantuar në këtë Festival që është bienal, ku kriteret e përzgjedhjes janë shumë rigoroze. Monodrama "Amok", regjinë e së cilës e ka bërë Prof. Elmaze Nura, me lojë të Prof. Mentor Zymberajt, me tekst nga dramaturgia dhe kritikja ndërkombëtare Nina Mazur, u shfaq me 3 mars, ku përveç publikut, u vlerësua edhe nga kritika dhe artistët e tjerë pjesëmarrës në festival.

Image

 

(Kosova Sot)