Kontaktet e shqiptarëve dhe bullgarëve, me rrënjë nga mesjeta

  • 16 March 2018 - 08:30
Kontaktet e shqiptarëve dhe bullgarëve, me rrënjë nga mesjeta

DY POPUJT E VJETËR KANË PASUR FATIN TË NDAJNË NË HISTORI GJËRA TË PËRBASHKËTA

"Kriza lindore e viteve 1877-1881, e cila solli krijimin e Principatës së Bullgarisë, nën sovranitetin formal osman, përfshinte popullsinë bullgare të Sanxhakut të Nishit në kuadër të kufijve të Mbretërisë Serbe dhe që njëkohësisht godiste rëndë shqiptarët me dëbim nga ky sanxhak. Përfundimisht, në planin afatgjatë i bënte këta dy popuj aleatë në Ballkanin e trazuar", ka thënë Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, për gazetën "Kosova Sot" 

Shqiptarët dhe bullgarët kanë shumë momente të përbashkëta, pavarësisht se ata nuk i ndan një kufi i përbashkët. Gjatë shekujve dhe dekadave të ndryshme ata kanë pasur fatin të ndanin shumë gjëra të përbashkëta. Kontaktet e tyre nisën që në mesjetën e hershme, në kohën e Mbretërisë bullgare dhe më tej. Sidomos gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kur shumë vise të Shqipërisë Lindore, sot pjesë e Kosovës, Luginës dhe Maqedonisë, ishin vënë nën administratën bullgare. Shumë koloni dhe klube të fuqishme kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Sofje të Bullgarisë, sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare. Këto kontakte vazhduan edhe më parë, në epokën e komunizmit, por edhe me vonë. Megjithatë, këto kontakte nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga shkencëtarët tanë. Por, nga sot, kjo do të ndryshojë. Këto konkludime dolën të enjten, me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të bashkëpunimit në mes të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Institutit Shkencor Maqedonas të Sofjes. Kjo marrëveshje, sipas shkencëtarëve shqiptarë dhe bullgarë, hap një faqe të re për bashkëpunim shkencor mes shkencë- tarëve të dy vendeve, por edhe rritjen e kontakteve në shumë fusha. Ndërsa u tha se marrëveshje të tilla duhet të arrihen edhe me institutet e tjera rajonale dhe evropiane, pasi ende ka shumëçka pa u thënë për shqiptarët, në veçanti për pjesën që mbeti nën ish-Jugosllavi pas Luftës së Parë Botërore.

Faza e re në pushtimin osman

Në një prononcim për "Kosova Sot", Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, një nga nismëtarët e arritjes së marrëveshjes, ka thënë se shqiptarët dhe bullgarët, ndonëse jetojnë bashkërisht në Ballkan, dikur edhe në fqinjësi të drejtpërdrejtë, përsëri raportet ndërmjet tyre deri në vitet e 90-të të shekullit XX rrallë ishin objekt i ndonjë studimi më të thellë, andaj edhe bashkëpunimi me Institutin nga Sofja do të kontribuojë shumë në zbardhjen e shumë prej të përbashkëtave që kanë dy popujt. Krasniqi, i cili ka mbajtur edhe një kumtesë lidhur me këtë temë, ka thënë më tej se historikisht shqiptarët dhe bullgarët kanë vendosur kontaktet e para ndërmjet tyre që në kohën e mesjetës së hershme, sidomos në shekujt VII - XI, kur u krijua Perandoria e parë Bullgare. Ndërsa, ka shtuar se me pushtimin osman të Ballkanit fillon një fazë e re në marrëdhëniet dhe kontaktet e shqiptarëve me bullgarët. Sipas tij, Perandoria Osmane, duke dëshiruar shfrytëzimin e minierave, kishte sjellë nga hapësira e Kosovës së sotme në Kratovë (sot në R. E Maqedonisë) minatorë dhe shqiptarë të krishterë katolikë. Vendbanim tjetër me shqiptarë të krishterë katolikë ishte edhe Kopilovci, fshat në veriperëndim të Bullgarisë, ndërsa Arbanasi (Tarnovo), Çervena Voda (Ruse), Poroishte (Razgrad), Dobrina dhe Devnja (Varne), ishin fshatra me popullsi shqiptare të krishterë ortodoksë. "Ndërsa kriza lindore e viteve 1877-1881, e cila solli krijimin e Principatës së Bullgarisë, nën sovranitetin formal osman, por që në anën tjetër përfshinte popullsinë bullgare të sanxhakut të Nishit në kuadër të kufijve të Mbretërisë Serbe dhe që njëkohësisht godiste rëndë shqiptarët me dëbim nga ky sanxhak, përfundimisht, në planin afatgjatë, i bënte këta dy popuj aleatë në Ballkanin e trazuar", ka thënë Krasniqi.

Pançev: Bullgaria, mikpritëse dhe atdhe i shumë shqiptarëve

Albanologu bullgar, Anton Pançev, gjatë ekspozeut të tij me rastin e lidhjes së memorandumit, ka thënë, ndër të tjera, se kontaktet në mes të shqiptarëve dhe bullgarëve janë të hershme dhe shumë fakte interesante për shqiptarët e trojeve lindore ruhen në Bullgari, për shkak se gjatë Luftës së Parë, por edhe të Dytë shumë pjesë të territoreve shqiptare lindore ishin përfshirë nën administrimin bullgar. Prandaj, ka thënë ai, ky memorandum do të mundësojë që ato të dalin në dritë. Pasi, siç ka thënë ai, më tej Bullgaria ishte një mikpritëse dhe atdhe i shumë shqiptarëve, të cilët dhanë shumë për popullin shqiptar dhe vendi ku u organizuan shumë klube dhe organizata patriotike shqiptare, sidomos gjatë Rilindjes. "Shumë fakte interesante për shqiptarët paraqiten tek shkencëtarët bullgarë, të cilët i kanë hulumtuar trojet lindore shqiptare, prandaj arkivat bullgarë janë shumë me rëndësi, pasi ruajnë shumë dëshmi e dokumente për shqiptarët", ka thënë Pançev. Kurse dy drejtuesit e instituteve, Hysen Matoshi dhe Aleksandër Grebenarov, kanë thënë se marrëveshja ofron mundësi të mirë për shkencëtarët e dy vendeve. Drejtori i ISHM, Aleksandër Grebenarov, gjatë fjalës së tij ka thënë se shqiptarët dhe bullgarët kanë një histori të gjatë që janë të lidhur ndërmjet vete dhe marrëveshja e arritur do të krijojë mundësi që shkencëtarët e të dy instituteve të kenë mundësi që të punojë së bashku në projekte të reja. Kurse Matoshi, drejtori i IAP-së, ka thënë se bashkëpunimi duhet të thellohet dhe të sjellë rezultate. Marrëveshja është përshëndetur edhe nga zyrtarët e shtetit bullgar dhe ata kosovarë.

(Kosova Sot)