Letërsia e Kosovës 'thyen' muret, 150 tituj paraqiten në kryeqytetin e kulturës

  • 17 March 2018 - 09:04
Letërsia e Kosovës 'thyen' muret, 150 tituj paraqiten në kryeqytetin e kulturës

BOTUESIT KOSOVARË, NË PANAIRIN E LIBRIT NË PARIS

NJË HAP I RËNDËSISHËM PËR LIBRIN SHQIP TË KOSOVËS

"Rëndësi ka edhe pjesëmarrja për ne si botues, por më e madhe është pjesëmarrja dhe paraqitja në një panair të tillë si kulturë shqiptare, kur kihet parasysh edhe 10-vjetori i festimit të shtetësisë sonë, pastaj 550- vjetori i figurës se Skënderbeut, e kështu me radhe", ka thënë Besian Zeneli për "Kosova Sot" 

Dhjetëra botues kosovarë kanë prezantuar botimet e tyre në Edicionin e sivjetmë, të 38-in me radhë, në Panairin e Librit në Paris, i cili është hapur dje në kryeqytetin francez. Ndërsa do të zgjasë deri më 19 mars. Rreth 150 tituj librash, posterët dhe informatat e tjera mbi botimet e kosovare janë ekspozuar në një stendë të përbashkët nën ombrellën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, përmes së cilës edhe është bërë e mundur edhe pjesë- marrja e botuesve tanë në këtë panair. Për drejtues të SHBK-së, pjesëmarrja shënon një hap të rëndësishëm për librin shqip të Kosovës, përderisa botuesit dhe krijuesit nga Kosova do të kenë rast për të krijuar bashkëpunime me shkrimtarë dhe botues të huaj, pasi pjesëmarrja në këtë event është e madhe dhe ka një vëmendja të madhe nga mbarë bota. Ndërsa numri i prezantimit dhe vizitorëve është mjaft i madh. 

PREZANTIM DINJITOZ I BOTUESVE KOSOVARË

Në një prononcim për "Kosova Sot", Besian Zeneli, nënkryetar i SHBK-së, ka thënë se këtë edicion do të ketë një prezantim dinjitoz të botuesve kosovarë. Sipas tij, janë diku rreth 150 tituj që do të ekspozohen në stendën e Kosovës. Ndërsa do të ketë edhe aktivitete me rëndësi nga botuesi në stendën kosovare. Zeneli ka thënë se në Panairin e Librit Paris në stendën e përbashkët të Shoqatës së Botuesve të Kosovës marrin pjesë me botimet e tyre : ASHAK , IAP, :Buzuku", "Pema, "Titanic", "Dija", "Meshari", "RugovaArt", "Bss", "Mendimi pozitiv", etj., duke përfshirë edhe botime individuale të autorëve tanë". Kostoja e këtij projekti, sipas Zenelit, arrin të pakta 6.000 euro dhe, siç ka thënë ai, pret që MKRS-ja dhe kësaj radhe do të mbështesë këtë pjesëmarrje të botuesve në Paris. "Rëndësi ka edhe pjesëmarrja për ne si botues, por më e madhe është pjesëmarrja dhe paraqitja në një panair të tillë si kulturë shqiptarë, kur kihet parasysh dhe 10-vjetori i festimit të shtetësisë sonë, pastaj 550- vjetori i figurës se Skënderbeut, e kështu me radhe!", ka thënë Zeneli për "Kosova Sot".

PRURJE E FAVORSHME PËR KOMBIN

Prezantimi në Paris i botuesve tanë është parë si një rast i mirë për të 'thyer' muret dhe barrierat që po rëndojnë mbi kulturën dhe krijuesit tanë, jashtë vendit. Shkrimtari Ismet Tahiraj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Panairi i Librit në Paris është një shtytje e madhe karshi përvojave të të tjerëve dhe krijohen mundësi për aranzhmane që edhe bibliotekat nacionale apo audiencat e huaja ta kenë librin shqip në arkivin e tyre, e sidomos ato, siç ka thënë ai, që janë të përkthyera. "Kjo do të ndihmonte atë shtëpi botuese në forme materiale, sepse atje çmohet libri tej mase. Këto forma janë tepër të nevojshme për shtëpitë botuese dhe tjetra është se sadopak furnizohen edhe intelektualët shqiptarë që jetojnë atje apo në shtet me libra shqip", ka pohuar ai, duke shtuar se shtëpitë botuese mund të marrin librat e shkrimtarëve të kalibrit të madh për t'i përkthyer shqip apo ndoshta edhe libra shkencorë, pasi, sipas tij, kjo do të ishte një prurje e favorshme për kombin. Edhe për krijuesin Dan Ibrahimi pjesëmarrja në Paris e librit shqip flet shumë, përveçse ka shtuar që botuesit të jenë sa më të përgatitur dhe të interesuar që në Paris të prezantojnë vlera dhe seriozitetin botimit të librit shqip në Kosovë. "Është e rëndë- sishme sigurisht pjesëmarrja e botuesve nga Kosova në Panairin e Librit. Madje, për mendimin tim në rastin e panaireve ndërkombëtare mbase do te duhej pasur parasysh shtesën financiare për prani sa më dinjitoze të letërsisë sonë atje", ka thënë ai, në një prononcim, për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)