T'u jepet fund dallavereve në ndarjen e Çmimit Kombëtar për Teatrin

  • 20 March 2018 - 09:18
T'u jepet fund dallavereve në ndarjen e Çmimit Kombëtar për Teatrin

VLERËSOJNË NJËRI-TJETRIN, E JO VLERAT E MIRËFILLTA

Ibrahimi: Teatri Kombëtar jep vlera të keqpërdorura artistikisht

"Vitin e kaluar për shembull u shpërblyen shkatërruesit e vlerave teatrore, u shpërblyen ata të cilën kanë shkelur me të dy këmbët në çdo lloj vlere kombëtare, mu në skenën e teatrit kombëtar. Dhe paradoksi i krejt kësaj paturpësie është se ata propozuan dhe ''vlerësuan'' njëritjetrin e duhej të ndodhte e kundërta", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" Sokol Plakolli, regjisor dhe dramaturg

E mri i kostumografes Samka Ferri ndodhet në mesin e shumë propozimeve për çmimet Kombëtare për Teatrin për 2017, të cilat po priten jo pa interes nga njerëzit e skenës. Ferri për dekada ka dhënë kontribut si kostumografe, duke treguar një profesionalizëm dhe përkushtim në punë. Ky fakt nuk i ka shpëtuar Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, e cila edhe ka dërguar një propozim që Ferri të jetë një nga kandidatë për të marrë Çmimin Kombëtar për Vepër. Në propozimin që mban nënshkrimin e kryetarit të SHSTKK-së, Mehmet Breznica, kostumografia Ferri është kandidatja meritore për këtë çmim. Parë në këtë vështrim, Ministria e Kulturës nuk do ta ketë të lehtë përzgjedhjen e fituesve për çmimet kombëtare për teatrin për 2017. Sot është dita e fundit për të dërguar propozimet nga institucionet skenike dhe individë të për të nderuar më të mirët. Dhjetëra propozime tashmë kanë shkuar në zyrat e MKRS-së. E kjo e fundit nuk do ta ketë të lehtë që këtë proces ta përmbyllë deri në Ditën Botërore të Teatrit, kur ka mbetur jo më shumë se 7 ditë, deri më 27 mars. 

Çmimet do të ndahen në një kohë sa më ideale

Zyra të MKRS-së nuk ka bërë të ditur nëse më 27 mars të jenë gati për ndarjen e çmimeve, duke shprehur përkushtimin e tyre për të përmbyllur këtë proces sa më mirë. Në njëprononcim për "Kosova Sot", zyrtarë të ministrisë kanë thënë se duhet të presin deri në mbyllje të konkursit për të vazhduar më tej. Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, ka thënë për "Kosova Sot" se MKRS-ja është duke punuar për përmbylljen sa më mirë të këtij procesi, duke shtuar se do të punohet që këto çmime të ndahen në një kohë sa më ideale, qoftë edhe gjatë festës Botërore të Teatrit. "Ne duhet të presim afatet ligjore siç janë të përcaktuara me konkurse. MKRS-ja do të punojë që procesi të përmbyllet sa më mirë dhe ndarja e çmimeve të ndodhë pse jo edhe gjatë festës Botërore të Teatrit", ka thënë ai për "Kosova Sot". 

Çmimet për Teatrin jo gjithherë janë ndarë për më të merituarit

Njerëzit e skenës dhe studiuesit kanë thënë se laureatët e sivjetmë të këtyre çmimeve duhet të jenë më meritorë dhe inkurajuan shoqatat dhe institucionet skenike që të propozojnë më meritorët, por duke mos e parë të domosdoshme që këto çmime të shpallen në Ditën Botërore të Teatrit. Ndërsa për njerëzit e skenës me rëndësi është se kush nderohet, jo dita se kur bëhen publike çmimet. Dan Ibrahimi, krijues dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se çmimet për teatrin jo gjithherë janë ndarë për më të merituarit, pasi, sipas tij, këto çmime jepen për të lartësuar vlerat kombëtare skenike dhe kontribuuesit e tyre. Prandaj, ka thënë ai, ata që vendosin dhe kanë marrë përgjegjësinë për të ndarë këto çmime duhet të vendosin për vlera dhe jo, siç është shprehur më tej Ibrahimi, si vitin e kaluar, kur u shpërblye Teatri Kombëtar."Teatri Kombëtar jep vlera të keqpërdorura artistikisht, duke u futur elemente joartistike, madje me qëllime ofenduese të lirisë, dëshmorëve përpjekjeve për liri. Për mua po iu dha çmim këtij teatri është sikur të ndahet çmim për një qerthull akulturor, banal ose për ndonjë bordel", ka pohuar ai. Kurse Sokol Plakolli, regjisor dhe dramaturg, ka thënë se nuk është me rëndësi se në cilën ditë ndahen çmimet. Por, ka shtuar ai, e rëndë- sishme është që çmimet t'u ndahen atyre që e bëjnë teatrin, jo atyre që e zhbëjnë dhe e shfrytëzojnë teatrin për qëllime e interesa personale. "Vitin e kaluar për shembull u shpërblyen shkatërruesit e vlerave teatrore, u shpërblyen ata të cilën kanë shkelur me të dy këmbët në çdo lloj vlere kombëtare, mu në skenën e Teatrit Kombëtar. Dhe, paradoksi i krejt kësaj paturpësie është se ata propozuan dhe 'vlerësuan' njëritjetrin", ka thënë ai, duke shtuar se do të duhej të ndodhte e kundërta për, siç ka thënë Plakolli, ata që janë përgjegjës për denigrim të vlerave teatrore. 

(Kosova Sot)