Kryeqyteti 'heq' dorë nga trashëgimia gjysmëshekullore

  • 21 March 2018 - 10:40
Kryeqyteti 'heq' dorë nga trashëgimia gjysmëshekullore

KOMUNA E PRISHTINËS INJORON KËRKESËN E ANSAMBLIT "BAJRAM CURRI" 

Sahiti: Është shumë urgjente hapësira për ruajtjen e veshjeve dhe instrumenteve

"Mendoj se në ditët e para të pasluftës ansambli "Bajram Curri" duhej të futej nën ombrellën e Komunës dhe të financohej nga Komuna. Një ansambël me traditë shumëvjeçare dhe me merita të pakontestueshme është mëkat që të mbetet peng i inateve politike dhe mosmarrëveshjeve mes partive", ka pohuar kantautori Hysni Klinaku për gazetën "Kosova Sot"

Komuna e Prishtinës rrezikon të humbasë trashëgiminë e saj gjysmëshekullore, muzikore dhe etnologjike. Injorimi që në vazhdimësi po i bëjnë drejtuesit e Komunës kërkesave të menaxhmentit të Ansamblit "Bajram Curri", që Komuna të marrë nën përkujdesje ansamblin, po e bëjnë të mundur zhbërjen e dëshmive autentike dhe historike të trashëgimisë kulturore të komunës dhe më gjerë. Për më shumë se 50 vjet ky ansambël ka performuar dhe dëshmuar trashëgiminë etnomuzikore, por tashmë kjo nuk është duke i bërë përshtypje Komunës. E menaxhmenti i "Bajram Currit", duke vlerësuar pasurinë e këtij ansambli, mundësitë, rëndësinë, në vazhdimësi po kërkojnë që të hyjnë nën ombrellën e Komunës, duke u nisur nga fakti se deri në fillim të 90-ve ansambli ishte institucion. Por, deri më sot kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. Përderisa menaxhmenti i ansamblit i ka dhënë arsyet pse po kërkojnë të hyjnë nën ombrellën e komunës, zyrtarët komunalë nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën për kërkesat e ansamblit "Bajram Curri". 

Mungon hapësira për ushtrime

Emin Sahiti, menaxher në ansamblin "Bajram Curri", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Ansambli kulturo-artistik "Bajram Curri" nga Prishtina është formuar në vitin 1965. Ai ka thënë se puna dhe veprimtaria e këtij ansambli kanë bërë që nga ky ansambël të dalin shumë emra të mëdhenj të këngës së mirëfilltë, të muzikës dhe artit në përgjithësi, si: Esat Bicurri, Riza Bytyçi, Rasim Thaqi, Ibrahim Krajkova, pastaj Xhavit Sadiku, Nexhmedin Syla, Naim Abazi,Shqir Cervadiku, Shefqet Gjocaj, Mihrije Braha, Merita Spahiu e shumë e shumë te tjerë. Sipas tij, për momentin "Bajram Curri" ka mbi 100 anëtarë të këngës dhe të valles, duke kontribuar në ruajtjen dhe kultivimin e traditës. Por, siç ka pohuar ai më tej, ju mungojnë kushtet elementare, sidomos hapësira për ushtrime, që është shumë urgjente, hapësira për ruajtjen e veshjeve dhe instrumenteve. Por, edhe një vend për ruajtjen e arkivit, pasi, ka shtuar ai, ansambli ka trashëguar një arkiv shumë të pasur me dokumente, foto, incizime, të periudhave të ndryshme. Por për përmirësimin e këtyre, ka shtuar ai, nuk janë duke gjetur mbështetje nga Komuna. 

Klinaku: Kryeqyteti ynë është shumë i vonuar

Më tej ai ka thënë se i bëjnë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, por edhe drejtorit të Kulturës për një takim urgjent me Kryesinë e Ansamblit "BAJRAM CURRI" nga Prishtina që të diskutojnë për, siç ka thënë ai, këto çështje shumë me rëndësi për trashëgiminë e kulturës sonë kombëtare, me çka ka thënë më tej menaxheri Sahiti, menaxmenti mendon se ka të drejtë të fuqishëm në kërkesat e tyre drejtuar komunës, duke u bazuar në veprimet e shumë komunave të Kosovës, të cilat tashmë kanë futur edhe ligjërisht ansamblet e tyre nën mbikëqyrje."Ne mbesim me shpresë që Komuna do t' i marrë parasysh këto kërkesa të drejta dhe në një afat sa më të shkurtër kohor të na ftojë dhe të ulemi për zgjidhjen e çështjes së ansamblit 'Bajram Curri' nga Prishtina", ka pohuar menaxheri Sahiti për "Kosova Sot". Ndërsa në një prononcim për "Kosova Sot" kantautori Hysni Klinaku ka thënë se kryeqyteti ynë është shumë i vonuar sa i përket futjes nën ombrellën e tij të ansamblit "Bajram Curri". "Mendoj se ditët e para të pasluftës ansambli "Bajram Curri" duhej të futej nën ombrellën e komunës dhe të financohej nga Komuna. Një ansambël me traditë shumëvjeçare dhe me merita të pakontestueshme është mëkat që të mbetet peng i inateve politike dhe mosmarrëveshjeve mes partive", ka pohuar Klinaku. Kurse Mustafë Halili, ish-shef shumëvjeçar në komunën e Prishtinës dhe njohës i zhvillimeve kulturore në kryeqytet, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Ansambli "Bajram Curri" që nga viti 1968 është nën ombrellën e Komunës së Prishtinës. Mirëpo, ka thënë ai, atëherë ishte shoqëri kulturo-artistike e tani është OJQ. Përveç këtij ansambli, ka thënë ai, ka edhe grupe të tjera që dëshirojnë të kenë financim të përhershëm nga Komuna. Kjo iniciativë është e mirë, ka thënë ai, por ka shtuar se Komuna nuk përfiton asgjë nga kjo, për arsye, siç ka thënë ai, në Prishtinë veprojnë edhe shumë ansamble të tjera, si "Shota", etj. 

(Kosova Sot)