Thellohet degradimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës

  • 16 April 2018 - 08:51
Thellohet degradimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Në prononcim për "Kosova Sot", Naim Berisha, aktor rezident në TKK dhe nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, ka thënë se degradimi i këtij institucioni është thelluar dukshëm, sidomos viteve të fundit, kur janë evidentuar shkelje enorme dhe orvatje për ta përvetësuar dhe për ta uzurpuar këtë institucion individë dhe grupe të caktuara

Teatri Kombëtar po përballet me një gjendje aspak të mirë, duke prodhuar vazhdimisht lajme, që gjithnjë e më shumë po ia zbehin emrin dhe vlerën si një nga institucionet elitë kulturore që duhet të jetë. Për vite me radhë, TKK-ja është përballur me rrjedhje uji dhe problemin e kanalizimin, me rinovime shkel e shko. Pastaj, për shfaqje plagjiaturë, klanizime dhe diskriminim të aktorëve, bile edhe të vetë trupës rezidente, për më keq edhe rrahje të aktorëve nga zyrtarë teatri, e jo pak skandale të tjera, deri tek dënimet dhe paditë në organet përkatës për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tij. Gjithë kjo situatë kërkon edhe ndërhyrjen urgjente të MKRS-së edhe KD-së. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga këto dy organe lidhur me masat që po marrin për të nxjerrë TKK-në nga aty ku është futur. Edhe pse zyrtarë të këtyre dy institucioneve vazhdimisht janë shprehur se po bëjnë më të mirën e mundshme për Teatrin. Në anën tjetër, njerëzit e skenës kërkojnë masa konkrete për të rikthyer normalitetin dhe emrin e TKK-së. 

Nuk respektohet ligji

Në prononcim për "Kosova Sot", Naim Berisha, aktor rezident në TKK dhe nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar, ka thënë se Teatri Kombëtar i Kosovës, si institucion përfaqësues i artit skenik në vend, ka një sërë problemesh të akumuluara, që nga koha e themelimit të tij. Më tej, Berisha tha se degradimi i këtij institucioni është thelluar dukshëm, sidomos viteve të fundit, kur janë evidentuar shkelje enorme dhe orvatje për ta përvetësuar dhe për ta uzurpuar këtë institucion individë dhe grupe të caktuara, të lidhura me OJQ vendore dhe rajonale, siç ka potencuar më tej ai, duke e rrënuar sistemin e vlerës që ky institucion ka për mision të përfaqësojë.

"Respektimi i ligjit dhe konkurrencës së shëndoshë, ka qenë i papërfillshëm, sidomos në vitet e fundit, duke rezultuar me keqpërdorim të buxhetit, shkelje drastike të ligjit (sidomos në konkurset për pranimin e aktorëve të rinj, konkurseve për pranimin e teksteve për inskenim, përfshirë angazhimin e regjisorëve, aktorëve dhe stafit përcjellës), uzurpimin e skenës së TKK-së nga një grup i caktuar dhe lënia jashtë e aktorëve dhe regjisoreve meritorë, deri tek sulmet fizike (siç është rasti i sulmit ndaj aktorit z .Veton Osmani) dhe mosmarrja e masave ndaj kryerësve të këtyre veprave penale, madje edhe pasi janë shpallur fajtorë nga gjykata kompetente", ka pohuar ai, duke shtuar se vetëm viteve të fundit u është dhënë diagnoza këtyre problemeve dhe kanë filluar të adresohen në medie dhe institucionet kompetente. Por, sipas tij, vetëm detektimi i këtyre problemeve nuk mjafton, por duhet gjithsesi të merren masa për zgjedhjen e tyre. Duke e quajtur të drejtë shkarkimin e ish- drejtori Sopi, nga KD-ja, ai ka kërkuar nga ky Këshill vënien para përgjegjësisë edhe të udhëheqësit artistik dhe aktorëve të tjerë përgjegjës, të rishikojë të gjitha vendimet që ka marrë Këshilli i kaluar Drejtues dhe hartimin e një sërë akteve nënligjore që janë të domosdoshme, për t'u miratuar në këtë institucion, përfshirë dhe rregulloren "Për angazhimin e aktorëve të trupës rezidente dhe aktorëve të jashtëm", e cila, siç ka thënë ai, do të rregullojë mënyrën e angazhimit të ansambleve aktoreske të shfaqjeve. "Këshilli Drejtues i tanishëm, është para një përgjegjësie historike, për ta nxjerrë Teatrin Kombëtar të Kosovës nga humnera ku ka rënë, drejt përqafimit të vlerave skenike kombëtare dhe evropiane", ka thënë Berisha, për "Kosova Sot"

Të eliminohen defektet infrastrukturore

Ndërsa regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se avaria në Teatrin Kombëtar duhet të përfundojë se shpejti dhe puna të vazhdojë normalisht. "Duhet që defektet me kanalizime të rregullohen me angazhimin e të gjithë aktorëve, duke filluar nga "hidroregjioni" dhe institucionet vartëse. Duhet dhënë garanci se kjo më nuk do të ndodhë. Është vështirë të luash e të punosh në një ambient të tillë, sepse dihet që ujërat e zeza janë ndotëse, kundërmuese dhe pasuese të shumë infeksioneve", ka pohuar Musliu, duke shytuar se kjo dëmton shëndetin e aktoreve dhe punonjësve në këtë institucion. 

Në krye të TKK-së, njerëz me aftësi menaxheriale

Kurse studiuesi dhe krijuesi Avni Rudaku, ka thënë për "Kosova Sot", se Teatri nuk po funksionon nëse politika nuk i heq duart nga aty, por edhe duhet të mos jetë i përbërë nga njerëz që kanë lidhje miqësore me njëri-tjetrin, sepse, siç pohon më tej ai, po bëhen kompromise hatri! TKK-ja, ka shtuar Rudaku, duhet të drejtohet nga njerëz me aftësi menaxheriale, ndërsa anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të jenë profesionistë që monitorohen po ashtu se si veprojnë! Pasi, si ka vazhduar më tej Rudaku, shpesh vazhdon plogështia, mungesa e seriozitetit, inatet ndërpersonale e kështu me radhë! "Duhet të dalim nga ndjenja e afërsisë e interesit, por të ketë ofertë të pasur teatrore për publikun. Publiku ka nevojë për shfaqje, për oferta, informim, cilësi, e jo tërë kohën të ketë lajme për parregullsi, shkarkime, ushtrues detyre etj. Duhet të ndiqet politikë tjetër se kjo me ndërskamca! TKK është aq i dobët, sa nuk i jep shfaqjet thuajse as në komunat më të mëdha të vendit!", ka pohuar Rudaku, duke shtuar se Këshilli Drejtues të ketë ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurisë ndaj teatrit, duke u distancuar nga kultura e thashethemeve e t'i përvishet punës, e jo sa për ato mjete financiare të mbledhjeve