Projekti madhor nacional arkeologjik ndriçon gjurmët e shtresuara të popullit shqiptar

  • 20 April 2018 - 08:35
Projekti madhor nacional arkeologjik ndriçon gjurmët e shtresuara të popullit shqiptar

Berisha: Tashmë kemi njohuri bazike të qendrave e pikave arkeologjike të identifikuara ndër vite të rreth 75 % të territorit

"Vlera e përpilimit dhe posedimit të kësaj harte është e madhe, pasi dokumentohet dhe tregohet e tërë kaluara arkeologjike dhe historike e ekzistencës dhe frymimit të popullit shqiptar në këto territore me shekuj, që nga parahistoria, periudha antike e hershme, antikiteti i vonë, Bizanti i hershëm, mesjeta e më tutje", ka thënë për "Kosova Sot" Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë

Territori i Kosovës është mjaft i pasur me të dhëna arkeologjike, të cilat dëshmojnë një vazhdimësi mijëravjeçare të ekzistimit të jetës në tërë territorin. Është projekti Harta Arkeologjike e Kosovës që në mënyrë shkencore po vë në pah këto pasuri. Projekti nisi së realizuari pak vite pas lufte, ndërsa deri më sot janë realizuar vëllime të tij, ku është përmbledhur 70 % e territorit të vendit. Vëllimi i parë doli në vitin 2006, i dyti në 2012, ndërsa i treti pak kohë më parë, 2018, i promovuar dy ditë më parë në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Monumenteve dhe Aktualiteteve. Për ekspertë dhe njohës të fushës së trashëgimisë, përmes kësaj harte dokumentohet dhe tregohet e tërë e kaluara arkeologjike dhe historike e ekzistencës dhe frymimit të popullit shqiptar në këto territore me shekuj.

Projekt thelbësor

Arkeologu Milot Berisha, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Harta Arkeologjike e Kosovës është njëri nga projektet afatgjatë më thelbësor të Institutit Arkeologjik të Kosovës që nga themelimi (2003) i këtij institucioni shkencor-profesional e kompetent për fushën e trashëgimisë arkeologjike të vendit tonë. Ai ka thënë se me rastin e shënimit të "Ditës ndërkombëtare të monumenteve të kulturës dhe lokaliteteve arkeologjike", më 18 prill, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës edhe u promovua botimi Harta Arkeologjike e Kosovës, vëllimi III", që ka shtuar edhe për dhjetë komuna pasqyrën e trashëgimisë arkeologjike të vendit tonë, pra siç ka potencuar më tej

Milot Berisha ka theksuar për "Kosova Sot" se ky projekt madhor do të vazhdojë dhe do të plotësohet edhe nga rezultatet e reja e të fundit, që dita-ditës po e begatojnë dhe konfirmojnë memorien kolektive të Republikës së Kosovës nga kohërat parahistorike, antike e mesjetare

Arkeologu Berisha, duke e përfshirë pjesën pothuajse të tërë Kosovës juglindore dhe pjesërisht lindore. Kështu, sipas tij, së bashku me vëllimet I dhe II mund të konstatohet se tashmë kemi njohuri bazike të qendrave e pikave arkeologjike të identifikuara ndër vite të rreth 75 % të territorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Harta Arkeologjike e Kosovës, Vëllimi III (botuar në prill 2018), ka vazhduar më tej Berisha, është vazhdimësi e punës së filluar që nga vitet e pasluftës, me botimin e Hartës Arkeologjike të Kosovës Vëllimit I, botuar në vitin 2006, realizuar nga Muzeu i Kosovës dhe Instituti Arkeologjik i Tiranës. Ndërsa, po sipas tij, në vitin 2012 u botua Harta Arkeologjike e Kosovës Vëllimi II, realizuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës. Në realitet, shton më tej ai, ky projekt i madh nacional arkeologjik, zbardh dhe ndriçon gjurmët e shtresuara të kulturave të popullit dhe vendit tonë, të paktën 8000 viteve të kaluara."Kultura materiale e paraardhësve tanë është argumenti më i rëndësishëm e kyç i identitetit etnik e kulturor tek secili popull dhe pikërisht qëllim parësor i përnjohjeve-survejëve arkeologjikë të zhvilluar gjatë një periudhe mbi një dekadë e gjysmë nga profesionist vendorë e të ndihmuar edhe nga ekspertë nga Shqipëria e specialistë të fushave ndërdisiplinare nga Gjermania, vetëm se e përforcon tashmë jo vetëm si teori apo hipotezë, por edhe si një kategori e saktë historike", ka pohuar arkeologu i IAP-së, Milot Berisha, duke shtuar se ky projekt madhor do të vazhdojë dhe do të plotësohet edhe nga rezultatet e reja e të fundit që dita-ditës po e begatojnë dhe konfirmojnë memorien kolektive të Republikës së Kosovës nga kohëratparahistorike, antike e mesjetare

Bazament i hulumtimeve Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se, edhe pse me hapa shumë të ngadalshëm, gëzon e dhëna që u promovua vëllimi III i Hartës Arkeologjike të Kosovës, i cili, sipas tij, me dy vëllimet e tjera të botuara më parë, përfshin afro 70% të territorit të Kosovës, me çka konsideron se është pak duke e ditur rëndësinë e një dokumenti të tillë që duhet të jetë bazament i hulumtimeve dhe studimeve detale shkencore që duhet bërë dhe përkrahur me të gjitha kapacitetet që i kemi, e jo si deri më tani."Vlera e përpilimit dhe posedimit të kësaj harte është e madhe, pasi dokumentohet dhe tregohet e tërë e kaluara arkeologjike dhe historike e ekzistencës dhe frymimit të popullit shqiptar në këto territore me shekuj që nga parahistoria, periudha antike e hershme, antikiteti i vonë, Bizanti i hershëm, mesjeta e më tutje. Ky dokument duhet të shërbej si shtytje për bashkërendimin e punëve midis të gjitha subjekteve shkencore-profesionale, në mënyrë që të kemi një pasqyrë për jetën dhe kulturën materiale të lashtësisë sonë", ka pohuar ai. Po sipas tij, me zbardhjen e të dhënave shkencore faktike do t'u mbyllet goja të gjithë atyre që me falsifikime historike kanë tentuar dhe në vazhdimësi tentojnë të përvetësojnë të drejtën historike, çka sipas njohurive të tij nuk përkojnë me të vërtetën historike. Kurse zyrtarë të MKRS-së kanë deklaruar se i gëzohen faktit të realizimit të vëllimeve të hartës deri më tani, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes për institucionet e trashëgimisë.

Isa Vatovci 

(Kosova Sot)