Kosova nuk është në radarët e botës hollivudiane të filmit

  • 21 April 2018 - 10:12
Kosova nuk është në radarët e botës hollivudiane të filmit

J avë më parë në Prishtinë zbarkuan dy aktorë të njohur hollivudianë, Luke Gos dhe Robert Devi, falë angazhimit të biznesmenit Duka Gërvalla dhe stafit të 'Cineplexx'-it, një vizitë kjo që shënoi ngjarje të rrallë, kur kryeqyteti pret emra të njohur të kinematografisë botërore. Në fakt, Kosova edhe më parë është vizituar nga artistë hollivudianë, si: Nikol Kidman e ndonjë tjetër, po mjaft pak dhe rrallë, duke e lënë Prishtinë fare jashtë vëmendjes së kienastëve botërorë, përderisa kryeqytetet ballkanike po bëhen vende mjaft të frekuentuara dhe pune për kineastë botërorë. Një situatë e tillë vjen si rezultat i ngecjes së madhe në lëmin e kinematografisë, që po përjeton vendi në krahasim me vendet e rajonit.

APOLLONI: QKK-JA UDHËHIQET NGA DIKUSH QË MENDON SE FILMAT E WOODY ALLEN-IT JANË LIMONADA

Regjisori Ben Apolloni ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se arsye që vendi po mbetet jashtë vëmendjes së artistëve dhe kineastëve hollivudianë është se Kosova prodhon pak filma dhe është vend anonim në botën e filmit. Shumica e yjeve botërore të filmit, ka thënë ai, nuk kanë idenë as që ekziston ky vend. Ndërsa ka thënë se për ta tërhequr vëmendjen e artistëve, kineast- ët tanë duhet të bëjnë më shumë filma të mirë. "Dhe, nëpër festivale ku QKK-ja prezantohet, duhet të prezantohet nga njerëz që e njohin filmin e jo nga ata që fatkeqësisht e udhëheqin institucionin kryesor të kinematografisë së Kosovës. Merreni me mend QKK-ja udhëhiqet nga dikush qe mendon se filmat e Woody Allen-it janë limonada. Yjet e filmit botëror për një deklaratë të tillë, të varin", ka potencuar Apolloni. NdërsaNaser Shatrolli, skenarist dhe kritik filmi, ka thënë për "Kosova Sot", se yjet kinematografike vijnë këtu kur të ketë turizëm qoftë kulturor, qoftë turizëm kreativ! Kostoja, ka thënë ai, është e madhe për të krijuar njërën apo tjetrën! "E para, turizmit kulturor, sidomos ajo pjesa historike, do të mund të fuqizohej për të krijuar guidë globale, ku do tëmund të joshej kjo botë me rëndësi për shëtitjen, fundja! Por, zor është të arrihet kjo, sepse rajoni përreth ka potencë të madhe në aspektin e këtij lëmi nisur me Greqinë, Shqipëria do të mund të bëhet, e kështu!", ka pohuar ai, duke shtuar se nuk mund të thuhet se ka faj vendi ose njerëzit e këtij vendi! "Ata shkojnë në vende të njohura turistike", ka pohuar Shatrolli. 

TEMAT QË TRAJTOHEN NËPËR FILMA JANË TË STËRHARXHUARA! Kurse Bujar Meholli, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se kryeqyteti ynë është i zhytur në probleme fatkeqësisht, dhe kjo ndikon direkt që të këtë rrallë zbarkime të yjeve botërore, qofte artistë, qoftë këngëtarë. Sipas tij, problemet janë të llojllojshme, duke filluar nga infrastruktura që s'përkon me atë të vendeve perëndimore, si dhe shumë probleme të tjera që e stagnojnë Prishtinën; kështu, shton ai, yjet botërore nuk interesohen t'i bëjnë plaçkat gati për të vajtur në Prishtine! "Kineastët tanë duhet ta kenë parasysh se për t'u inkuadruar në arenën ndërkombëtare duhet të bëhen ndryshime. Kur po them ndryshime, e kam fjalën tek temat që trajtohen nëpër filma e që mendoj se janë të stërharxhuara! Pra, për t'i tërhequr kineastët amerikanë duhet të dëshmojmë se dimë të bëjmë filma të zhanrit romancë, komedi apo dramë", ka pohuar Meholli, duke shtuar se duke i lëvruar këto zhanre do të mund të rrisnim interesimin e kineastëve botërorë.

Isa Vatovci 

(Kosova Sot)