Pasuria arkeologjike apo ajo monumentale, në gjendje të keqe

  • 17 May 2018 - 09:13
Pasuria arkeologjike apo ajo monumentale, në gjendje të keqe

Gashi: Ne i nxjerrim nga dheu dhe e përshpejtojmë degradimin tyre

Me arsyetime të ndryshme, të paqëndrueshme, është tentuar të arsyetohet e tërë ajo se si është punuar deri më tani. Kjo fushë ende funksionon me ligjin e vjetër, të kohës së protektoratit ndërkombëtar (UNMIK 2006). Disa herë kishte tentime të ndryshohet dhe të plotësohet ky ligj, por po mungon guximi shtetëror dhe profesional që kjo problematikë të trajtohet si në tërë botën e civilizuar, me ligje progresive", ka theksuar eksperti i trashëgimisë, Ylber Vokshi, për gazetën "Kosova Sot" 

Gjendja e trashëgimisë kulturore në vend, trajtimi i saj dhe menaxhimi i aseteve të mbrojtura nga shteti, janë në një gjendje mjaft të keqe. Pavarësisht investimeve dhe punës që është bërë deri më tani, fushën e trashëgimisë po e përcjellin probleme të mëdha dhe një nga to është edhe mosrespektimi i ligjit nga vetë institucionet. Këto konkluzione dolën të mërkurën, gjatë raportimit të ministrit të kulturës para Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë,Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku u diskutua lidhur me ankesat e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore se Ministria e Kulturës nuk është duke respektuar ligjin kur është bërë pyetje për bashkëpunim apo bashkërendim të punës mes tyre, siç kërkohet me Ligjin për trashëgiminë kulturore. Të ulur përballë njëri- tjetrit, zyrtarët e lartë të MKRS-së dhe ata të KKTK-së kanë treguar versionet e tyre para deputetëve lidhur me mosbashkëpunimet mes tyre, gjë që edhe pas deklarimeve deputetët mbetën të pakënaqur me të dyja palët, por kanë kërkuar që MKRS-ja dhe KKTKja të rrisin bashkëpunimin dhe njoftuan se tashmë Komisioni Parlamentar ka krijuar një trupë punuese për të parë zbatueshmërinë e ligjit nga ana e institucioneve të trashëgimisë.

Anashkalimi i KKTK-së

Zyrtarë të KKTK-së, duke arsyetuar ankesat e tyre para deputetëve se MKRS-ja nuk bashkëpunon me këshillin, siç e obligon ligji, kanë thënë se ministria asnjëherë nuk ka sjellë projekte për vlerësim në KKTK, siç e parash ligji, nuk i ka respektuar prioritetet që nxirren nga këshilli. Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv i KKTK-së, ka thënë para deputetëve se ministria nuk ka dërguar asnjëherë ndonjë projekt për vlerësim nga KKTK-ja, siç e parash ligji, por edhe shumë çështje të tjera, siç janë vërejtja dhe kërkesat sa u përket aseteve të propozuara për mbrojtje. "Ligjërisht MKRS-ja duhet të sjellë në KKTK projekt për vlerësim, por deri të mos sjellë asnjë projekt për vlerësim. Bile edhe ajo nuk është përgjigjur në vërejtjet dhe kërkesa e Këshillit lidhur me asetet e propozuara për mbrojtje të përhershme", ka thënë Koci, ndër të tjera, duke shtuar se mosbashkëpunimi mes dy institucione ndodh në vazhdimësi, që nga themelimi i KKTK-së e deri më sot. Ndërsa, kryetari i KKTK-së, Shafi Gashi, duke folur rreth gjendjes së trashëgimisë, ka thënë se situata është alarmante dhe një pjesë të fajit e bartë edhe MKRS-ja. Sipas tij, probleme ka në prioritetet sa u përket projekteve dhe buxhetit për to, ku shumë projekte mbesin në gjysmë dhe pasuria arkeologjike apo ajo monumentale mbetet nën mëshirën e motit dhe faktorit njeri. Si të keqe e ka përshkruar edhe gjendjen e trashëgimisë së luajtshme.

Puna e MKRS-së

Në anën tjetër zyrtarë të MKRS-së kanë pohuar se ata janë duke respektuar ligjin dhe mosbashkëpunimet mes tyre dhe KKTKja ka ndodhur për shkak që këshilli për një kohë të gjatë nuk ka funksionuar, bile sipas tyre edhe sot ai nuk është funksional si duhet. Duke folur rreth trashëgimisë dhe raporteve, ministri i Kulturës, Gashi, para deputetëve ka thënë se ministria po bënë punë të mirë, sidomos pas marrjes së mandatit nga ai. Duke mos përjashtuar problemet dhe parregullsitë në institucionet e trashëgimisë, ai ka thënë se ministria po punon në përmirësimin në këtë sektor, duke thënë se do të jetë i gatshëm për të dëgjuar edhe kërkesat dhe vërejtjet e KKTK-së. Ndërsa ka thënë se për këtë viti ka një përkushtim të veçantë në kuadër të zbatimit të legjislacionit, rritjes së buxhetit për institucionet vartëse dhe një numër të konsiderueshëm të projekteve kapitale. Ndërsa, kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, ka kërkuar nga institucionet që të rrisin bashkëpunimin dhe të respektojnë ligjin kur është fjala për trashëgiminë kulturore, ndërsa ka thënë se është formuar një grup punues nga deputetët për të parë se sa është respektuar ligji nga institucionet.

Ekspertët alarmojnë

Në anën tjetër, përderisa institucionet përballen për fajësinë edhe përgjegjësitë, ekspertët kanë vënë në pah gjendjen e vështirë me të cilën po përballet trashëgimia kulturore. Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se në këto vite jemi dëshmitarë se si është trajtuar në përgjithësi kultura në Kosovë, posaçërisht qasja, siç ka thënë ai, ndaj trashëgimisë kulturore është për çdo kritikë."Me arsyetime të ndryshme të paqëndrueshme është tentuar të arsyetohet e tërë ajo se si është punuar deri më tani. Kjo fushë ende funksionon me ligjin e vjetër të kohës së protektoratit ndërkombëtar (UNMIK 2006). Disa herë kishte tentime të ndryshohet dhe të plotësohet ky ligj, por po mungon guximi shtetëror dhe profesional që kjo problematikë të trajtohet si në tërë botën e civilizuar me ligje progresive", ka potencuar ndër të tjera Vokshi. 

(Kosova Sot)