Diplomojnë në aktrim, me vite presin për një rol

  • 18 May 2018 - 09:34
Diplomojnë në aktrim, me vite presin për një rol

Meholli: Projektet që paguhen nga taksapaguesit keqpërdoren në mënyra të ndryshme

"Ka aktorë që kanë raportuar se kanë fituar pak para, ndërsa menaxheri i projektit ka fituar shuma të mëdha, vetëm për shkak të zhdërvjelltësisë së përzier me servilizëm, i ka pasur lidhjet, dhe pasi ka fituar projektin e ka bërë veten vendimmarrësi absolut. Kjo i demotivon aktorët dhe jo rastësisht kemi shumë performanca të dobëta të aktorëve", ka thënë studiuesi Avni Rudaku për gazetën "Kosova Sot" 

Angazhimi i aktorëve tanë në projektet filmike dhe në teatër mbetet një nga sfidat më rënda që duhet të përballen pas diplomimit. Bile shumë prej tyre 'shëtisin' me vite nëpër audicione të shumta pa mundur të gjejnë një angazhim në ndonjë projekt, por jo të gjithë. Një pjesë e vogël e tyre nuk e kanë këtë fat. Ata gjejnë vend në shumicë e projekteve qoftë filmike apo edhe teatrore. Sidomos atyre, projekteve që bëhen me paranë publike. Për t' ia arritur kësaj, aktorët ose duhet të kenë lidhje të forta me regjisorët, politikën, apo të jenë pjesë e klaneve që tashmë janë mjaft aktive brenda komunitetit artistik. Për njohësit dhe ekspertët e fushës së kulturës, ky diskriminim nuk ndodh vetën sa u përket angazhimeve, por edhe në pagesat që marrin.

Vrasja e artit

Krijuesi Bujar Meholli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënëse fatkeqësisht ky është një problem i theksuar, me të cilin përballen vazhdimisht aktorët tanë të filmit dhe teatrit. Kjo, ka thënë ai, për faktin se projektet që bëhen e që paguhen nga taksapaguesit keqpërdoren në mënyra të ndryshme, duke ndikuar kështu direkt tek ata aktorë e aktore që s'kanë lidhje me ndonjë parti politike apo me ndonjë regjisor. "Të njëjtit diskriminohen dhe s'kanë mundësi të jenë pjesë e këtyre projekteve, sepse aty futen të tjerët që kanë lidhje me partitë politike, me regjisorët e kështu me radhë... Kjo është e dhimbshme, sepse kështu vritet arti! Shumë aktorë, apo edhe muzikantë e shkrimtarë të rinj, edhe pse të talentuar, në mungesë të këtyre lidhjeve, thjesht s'mund të bëjnë asgjë dhe shpeshherë janë të diskriminuar, të lënë anash!", ka pohuar Meholli, duke shtuar se kjo gjendje duhet të ndryshohet sa më parë në mënyrë që të kemi produktivitet në jetën kulturore në vend. "Arti më i mirë bëhet kur është i lirë dhe jo i cytur nga forca të tjera që e ngufasin", ka thënë Meholli për "Kosova Sot". 

"Është e vërtetë që shpesh aktorë të mirë mbesin pa angazhime, por ndoshta problemi më i madh është se mungojnë projektet. Ka aq pak projekte dhe aktorët e gjithë artistët e teatrit dhe filmit duhet të kërkojnë të protestojnë që më shumë të investohet në film e në teatër", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" regjisori Ben Apolloni, duke shtuar se kur do të ketë më shumë projekte edhe regjisorët, producentët, do të kenë nevojë për më shumë aktorë

"Pra, një rol për t'u konsoliduar dhe përfunduar duhet përzgjedh atë i cili tiparet, dukjen, ecjen, të folurit, i ka identike ose të afërme me atë që regjisorit, i duhet në imagjinatë dhe vizualizim për ta përsosur ose për t'ia dalë atij roli. Miqësia, jarania, duhet lënë anash në këtë proces pune", ka thënë regjisori Mahir Musliu për gazetën "Kosova Sot" 

Shkelje mbi dinjitetin moral dhe profesional

Kurse Mahir Musliu ka thënë se përzgjedhja e aktorëve për role nuk duhet bërë në këtë mënyrë, (përmes afërsisë dhe lidhjeve me regjisorët, asaj politike apo klanore). Ndonëse, shton ai, kjo është shkelje mbi dinjitetin moral dhe profesional."Tani flitet se ka rrjete të cilat funksionojnë në këtë mënyrë, por nuk dëshiroj ta besoj një gjë të tillë. Mendoj se e vetmja gjë që nuk shkon me të 'njohshëm' është përzgjedhja e aktorëve". Studiuesi Avni Rudaku ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se klientelizmi dhe meritokracia false kanë prekur çdo sektor dhe fushë. Praktikat e tilla po i mbysin profesionalizmin dhe etablimin e një sistemi të qëndrueshëm të vlerave. "Ka aktorë që kanë raportuar se ka fituar pak para, ndërsa menaxheri i projektit ka fituar shuma të mëdha, vetëm për shkak të zhdërvjelltësisë së përzier me servilizëm, i ka pasur lidhjet dhe pasi ka fituar projektin e ka bërë veten vendimmarrësi absolut. Kjo i demotivon aktorët dhe jo rastë- sisht kemi shumë performanca të dobëta të aktorëve", ka thënë Rudaku, duke shtuar se disa aktorë edhe kur merren në projekte të tilla nuk e kanë marrë shumën meritore."Disa kanë marrë më shumë sesa duhej, disa nuk mund të kyçen fare në projekte, sepse nuk kanë lidhje miqësore me të tjerët, të tjerë nuk mund t'ia dalin këtij sistemi klientelist e servil për shkak të karakterit të tij etj.", ka thënë ai, për "Kosova Sot". Kurse regjisori Ben Apolloni, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se mund të jetë i vërtetë fakti se aktorët mbesim pa angazhime, për shkaqet e mësipërme, por ka shtuar se fundja për aktorët vendos regjisori se kë do ta këtë në filmin e tij. "Kjo ndodh jo vetëm te ne, por kudo në botë".

(Kosova Sot)