E MIRA DHE E LIGA

  • 26 May 2018 - 11:50
E MIRA DHE E LIGA

Tema e motiveve të poetit Bunjaku na turbullon mendjen

Një libër i ri, i ngadalshëm deri në botim, po me një përpikëri në finalizimin e vet. Një punë e tillë bëhet nga energjia poetike individuale. E kjo e përtërinë vetë autorin dhe i jep mundësinë për një prehje çastesh edhe lexuesve të vet

Kjo përmbledhje është me më tepër se gjashtëdhjetë poezi, të renditura në tri cikle. Nuk i ka mbetur borxh asnjë lexuesi të cilitdo nivel arsimimi e informimi që të jetë, e goditur në mënyrën më të përsosur. Pra, është e lehtë për ta lexuar dhe për ta kuptuar. Dhe është me interes për lexuesit për vlerën historike, për dashurinë dhe për nëmën e një rrugëtimi të kamotshëm deri më sot. Duke filluar nga Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, hyrje e këtij libri, krye-hero kombëtar, i cili për shekuj nxiti shqiptarët për bashkim dhe çlirim të tokave...Hero që e njohu e tërë Evropa dhe i ngriti përmendore në qendrat më të njohura deri më tash. Ai ishte dhe mbeti për gjeneratat bashkëkohëse në frymëzimin e rinisë dhe atdhetarëve. Kjo figurë ishte hije që të gjithë shqiptarët të tuboheshin rreth tij dhe flamurit kuqezi. Këto ishin elementet kryesore për një ecje të drejtë, sidomos nga shek. XIX e këtej. Po ishte është nxitje në çdo kohë për të luftuar për liri. Me flamur dhe me Skënderbeun u mbështet edhe atdhedashuria e qytetarëve tanë për çlirimin e Kosovës.

LUFTËTARI I LIDHJES SË KAÇAKËVE

Cikli i parë, "Magmë vullkani", është një reflektim nga pasqyra e leximit dhe përjetimet e Nebihut. Janë përkushtime serioze për ngjarjet dhe personazhet kulturore e historike, kryesisht të epokës sonë. Atë që përjetuam dhe, në një mënyrë ende jemi duke e ndier atë atmosferë si një zagushi tej mase në stinën e nxehtë. Këto përkushtime janë jo veç të sinqerta e me një angazhim të veçantë,por edhe të mbushura me një frymë humanitare, duke i mbështjellë bukur me cipen e figurave estetike letrare. Jenë këto poezi jo veç krijime letrare, por edhe shenjë të skalitura të figurave të një niveli të lartë, të cilat do të duhej të bëheshin shumë popullore në meset tona të përditshme, kështu si thuhet për Shotë Galicën: "naçallnikun në zyrë të vet/në Mitrovicë me plumb e vret" (Zanë e malit, 13). Në poezinë "Dragoi i Kikës", paraqitet një luftëtar i Lidhjes së Kaçakëve, në fillim shekullin njëzet, i cili me shokët e vet mori borxhin në këtë anë: "Folenë në Kikë ka një drangua/është Poliçka e Lotë Vakut/aty pranë në Mriz të Zanave/gurgullon dhe Kroni i Lakut". Se aty kishte lindur ky trim me shokë, i cili në luftë me Koicën ia nxjerrë nga kthetrat femrën shqiptare të grabitur. Një përkushtim gjithashtu mjaft i spikatur për Mulla Idriz Gjilanin, një hero nga Anamorava, luftëtar i patrembur dhe komandant i njësive vullnetare, në malet e Gallapit, gjatë Luftës Dytë Botërore. Të tilla përkushtime ishin edhe për Salih Bunjakun, dëshirë e të cilit si të shumë të tjerëve, i mbeti porosia për tjerët, t'i trokasin në varr kur të çlirohet Kosova, pasi vetë nuk mundi ta shohë këtë vend të lirë. Pastaj për Jusuf e Bardhosh Gërvallën e Kadri Zekën, të cilët ia përkushtuan jetën e tyre Kosovës; gjithashtu për prof. Latif Berishën, një tjetër poezi për Ismet Qorrajn dhe varg të tjerëve: për Hysni Dautajn, Xhevit Ahmetajn, Vaçe Zelën, si zëri më i tëholluar i këngës popullore shqiptare, për poetin e njohur shqiptar, Dritëro Agollin, për djalin e ri, Astrit Deharin; për Muharrem Kastratin, pinjolli i familjes shumë atdhetare, koleg i punës me autorin; për migrimin: "grimca-grimca shkapërderdhet/i rëndon në shpirt mjerimi/nuk sheh dritë në fund tuneli/ia zënë frymën hajnia e krimi", (Migrimi i Atdheut - anti poezi, 44). Të ngjashme poezi e me këto nota kemi dhe të tjera. Në ciklin NË VAZO MALLI, është pra vazo, ku poeti i ka mbyllur të gjitha ato ndjeshmëri, e të cilat do t'i hedhë publikisht, atëherë kur u vjen koha. Këtu do të hasim një mori poezish erotike, shumë ngashënjyese, jo vetëm për diksionin,por edhe për bukurinë e vjershës, ndërtimin e saj: "harku i vetullës krah - shqiponje/si perlë malli varur mbi sy/poshtë qerpiku si pendë korbi/kurmit tënd i fal hijeshi". (Zanë e mallit, 55); shihet se janë përdorur mjaft figura stilistike dhe me ndikim të poezisë popullore, që janë bukur të peshuara e madje të qëlluara: "Ylber shpirti hiret e tua/për një puthje më djeg malli/magmë vullkani n'zemër time/po t'jem akull më djeg zjarri" (Magmë Vullkani, 57), bukur shumë 'po të jem akull më djeg zjarri', si një antitezë e F. Petrarkës, e cila është mjaft funksionale. Vargu i këtij këngëtimi vijon: "si meteor në qiell dashurie/hyre n'ëndrrën time/të mos shuhesh kurrë/të lutem me përgjërime" (Parajsë ëndrrash, 59). Përveç kujtimeve në retrospektivë, autori vë në spikamë edhe dashurinë e njeriut, e cila është e pashmangshme bashkë me shpresën, të cilat do të "vdesin të fundit". Dhe parajsa krijohet edhe në këtë jetë, po ëndrrat janë konglomerat edhe i dashurisë. Ato janë refleks i ëndjes dhe përjetimit poetik të Nebih Bunjakut.

ELEGJIA E QYQES

Është cikli i tretë që mban e gjithë përmbledhja këtë emër, shumë i çmueshëm, me një simbolikë, krahasim, personifikim etj., që vë në pah personazhe e tablo të jetës së përditshme: e mira dhe e liga, dy paralele që janë kurdoherë të pranishme. Dhe këtë tufë poezish e përshkon herë-herë një ironi e hidhur në kuptimin e përgjithshëm. Tash poezia e parë - titull, 'Elegjia e Qyqes' më duket se është realizimi më i mirë jo veç në këtë cikël, dhe e ka merituar kështu që të titullohet krejt libri. Vërehet një sugjerim metaforik: "Këto ku-ku-të e tua/kurrë s'patën mbarim/ca muaj kanë pushuar/për ty kam shqetësim" (Elegjia e qyqes,91). Kënga e saj është mallkim nga një perceptim i realitetit nëpër kohë e breza. Kështu për gjithë kontekstin e ciklit dhe të kësaj përmbledhje. 'Ku-ku-të' më parë, kur i dëgjojmë në pranverë, që në këtë stinë është e destinuar të lëshojë atë zë shumë nostalgjik, trishtues nganjëherë, është vetmia e pakonvenueshme, trokitje në zemër - vaj. Një shprehje kotësie. Një nëmë e vajtim pa një direktivë të caktuar, që i ka zënë të gjitha brezat deri në këtë shekull, madje për gjithë njerëzimin. Ajo kudo lëshon vezë të përziera me vezë të zogjve tjerë...Asnjëherë në çerdhe të vet. Më fund ngjashmëritë e proceseve natyrore e shoqërore janë të pranishme. Dhe jeta është e tillë për të gjithë, por varet kush si e përjeton dhe e interpreton. Pra, këtu shprehet nga njerëz të ngritur e me ndjeshmëri të veçantë, të cilët i përshkon një melankoli nga një tis i stinës së moshës, për të cilën jemi të gjithë të vetëdijshëm. Edhe gjendja e përgjithshme e grupeve shoqërore që dalin jashtë rregullores njerëzore, e një shkretim i ndonjë vendi, pa njerëz, pa kafshë, mbetur në heshtje, si në një botë tjetër, aty dëgjohet vetëm ky zë i mallkuar - qyqja me nëmë që dëshiron vetmi e vajtim. Ky personifikim i perceptuar me ku-ku-të e qyqesh lë në qenien tonë një prekje rrëqethëse. Mund të gjendemi të gjithë në momente të caktuara, kur e adhuron këtë melodi, duke të përshkuar një pesimizëm, në të njëjtën kohë e refuzon e përpiqesh që ta largosh... Në vijim shpalosim edhe të tjera poezi nga kjo përmbledhje me motive sociale për kohën, si: 'Udha për askund', 'Jetë misterioze': E ëmbël si mjalti/kush di ta shijojë/e hidhur pelin/kush s'di ta jetojë'. Pastaj, 'Shpirti në grila': 'a ka fund kjo botë mistike/ku të gjesh veç pak pushim/edhe kur trupi të shpihet/shpirti gjithmonë n'izolim'. Për figurat - njeri që shqetësojnë me sjelljet dhe veprime e tyre: 'Spiuni', 'Mendësia e kameleonit', 'Hajni vjedh shtëpinë e vet': 'mu në grykë ka kapur shtetin/vjedhje të raja realizon/nuk i shkon mendja të gjorit/populli hesht por nuk harron', (101). Ankesa tjetër: 'Pse liria sot loton'; 'Loti i reve'; 'Kortezhi i kujtesës'; 'Kur çirren maskat'; 'Lojë me flamuj'; 'Balsamosje ëndrrash'; 'Tartabiqe'; 'Udha për askund': Sa perverse jeta/si një leckë pa vlerë/me gomë t'i fshin gjurmët/kështu ka qenë çdoherë' (120). Këtu na bien në sy edhe 'Në kortezhin tim'; 'Majmuni': 'ka vendosur të koritet/dy gurë bashkë s'i lë askund/sikur demi në lëmë bërlyket/krimi i tij nuk paska fund'(124); 'Kuvendi i Xhunglës';'Dy armiq të ligj', është poezia e fundit. Shpeshherë aktivitete të shprehura si enigmë, apo mistere të pashpjegueshme përgjatë gjithë kohës, janë shprehje e një filozofie të kësaj bote që shumë e adhuron njeriu. Vërtet janë tema e motive të poetit Bunjaku, që na turbullojnë mendjen, por fija e këtij lëmshi është e pa përkufizuar. Dhe autori me një pjekuri të jashtëzakonshme i paraqet shqetësimet e tilla. Një ikje kohe gjithnjë në lëvizje. Shumë herë i papërfillshëm nga mese të ndryshme apo i paleverdishëm për aq sa ka bërë dhe aq sa vlen (cilido qoftë prej njerëzve) dhe të skajohet prej servilëve. Nebih Bunjaku është njohës i mirë i letërsisë klasike shqiptare, duke filluar nga bejtexhinjtë, rilindësit e njohur te ne, si dhe i letërsisë popullore shqiptare, e cila është shumë e çmueshme. 

(Kosova Sot)