ARKIVI I KULTURËS MATERIALE E SHPIRTËRORE TË SHQIPTARËVE

  • 14 June 2018 - 09:15
ARKIVI I KULTURËS MATERIALE E SHPIRTËRORE TË SHQIPTARËVE

A rkivi Shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës ka një fond të konsiderueshme dhe mjaft me vlerë të materialeve me interes për shkencat albanologjike, duke pasur parasysh disiplinat albanologjike. I themeluar pas Luftës së Dytë Botërore, IAP krijoi shumë materiale arkivore me vlerë për shqiptarët, megjithëse një pjesë e tyre u shkatërruar nga autoritet serbe gjatë luftës së fundit. Megjithatë, Instituti ruan mjaft lëndë me rëndësi arkivore, ku me mjaft vlerë konsiderohen edhe shumë audio incizimet të bëra nga studiuesit e këtij institucion dekada më parë. Nuridin Ahmeti, duke folur rreth arkivit shkencor të IAP-së, dhe rëndësisë së tij, ka potencuar për "Kosova Sot", se Arkivi shkencor i Institutit Albanologjik, ruan, rregullon dhe përpunon materialet arkivore të mbledhura në terren.

MATERIALI I MBLEDHUR NË TERREN

Në këtë arkiv, sipas të dhënave zyrtare të këtij institucioni, është dorëzuar, sistematizuar dhe përpunuar një pjesë e madhe nga thesari i kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, i mbledhur në terren. Sipas tij, historikun e këtij arkivi e veçojnë disa faza. Faza e Parë , shton ai, 1953-1955, themelimi i tij dhe përpjekjet e para për mbledhjen e materialeve albanologjike. Faza e dytë, sipas tij, është ajo mes viteve 1967-1993, që, siç potencon, është faza e artë e furnizimit të arkivit me lëndë albanologjike dhe ruajtja e tyre. "Faza e tretë :1994-1998- që lirisht mund të cilësohet si faza më tragjike për materialin arkivor, sepse në këtë periudhë punonjësit dëbohen nga ndërtesa e tyre. Materiali arkivor aq sa mund të largohej është larguar, kurse pjesa tjetër e mbetur është dëmtuar në mënyra të ndryshme", ka thënë ai, duke shtuar se faza e katërt nis nga 1999 e këndej, fazë, e cila, sipas tij, është rilindje e arkivit shkencor të Institutit Albanologjik. "Nga të dhënat që posedojmë, rezulton se në arkivin shkencor të Institutit Albanologjik ruhen mbi 100 dosje të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe mbi 120 njësi etnologjike", ka pohuar ai. Sipas tij, goditjen më të madhe ky institucion e pati pas 1994-s, kur nga forcat policore serbe, punonjësit largohen dhunshëm nga ky institucion, kurse një pjesë e konsiderueshme e materialeve arkivore sekuestrohet nga forcat serbe, ndërsa një pjesë e materialit zanor dëmtohet, për arsye të lëvizjes nga objekti dhe ruajtjes së tyre në kushte jo të favorshme. Sipas tij, nga periudha kur ndodhi largimi nga objekti kanë qenë të regjistruara 860 dosje që përmbanin mbi 100 mijë njësi arkivore nga fusha e albanologjisë. Ndërsa ka përmendur edhe shumë fonde dhe dorëshkrime që presin botimin si dhe materiale zanore të cilat kanë një vlerë të madhe.

I PASURUAR ME DOKUMENTE ARKIVORE

Arkivi i IAP-së, viteve të fundit është pasuruar edhe me dokumente arkivore të rëndësishme nga arkivat e huaja, të cilat ruajnë shumë dokumente për shqiptarët. Duke llogaritur këtu edhe kontributin dhe botime e punëtorëve të Institutit. Historiani Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në IAP, ka pohuar për "Kosova Sot", se tashmë disa nga fondet të cilat ai i ka shfrytëzuar për monografinë "Shoqëria Biblike Britanike për të huajt dhe Bektashizmi (1814- 1897)" tashme janë publikuar në librin e përgatitur nga Krasniqi dhe Armend Mehmeti, "Dokumente te Shoqërisë Biblike Britanike për te huajt(1816- 1912)". Po ashtu edhe "Shqiptarët në shtypin britanik (1774-1856)" i tij, është i mbështetur në fondin " British Newspaper Archive". Përpos kësaj, ai posedon edhe fondin e gazetave spanjolle nga shekulli XVIII, në të cilat bëhet fjalë për shqiptarët, dhe mjaft materiale të tjera nga arkiva të njohura të Evropës, duke llogaritur edhe shumë dokumente nga arkivat osmane që tashme janë pjesë e IAP-së. "Nga fondi osman, së bashku me kolegun Nehat Krasniqin, kemi marre dokumente nga shekulli XV-XIX. Këto burime të reja i ka shfrytëzuar Dr. Nehat Krasniqi në librin e tij më të ri "Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri ne fillimet e Rilindjes kombëtare". Pra, kemi dokumente osmane të bollshme për të gjitha periudhat historike, e sidomos për hapësirat e sotme të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore", ka pohuar ai.

I DËMTUAR GJATË LUFTËS SË FUNDIT

Ndërsa etnologu Bashkim Lajçi, shef i Degës së Etnologjisë në IAP, ka thënë për "Kosova Sot", se Arkivi shkencor i Institutit Albanologjik mbledh, rregullon, përpunon dhe ruan lëndën arkivore të mbledhur në terren. Në këtë arkiv është dorëzuar, sistematizuar dhe përpunuar gati i tërë thesari i kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, i mbledhur në terren nga punëtorët shkencorë të Institutit dhe nga bashkëpunëtorët e tij të jashtëm. Deri para luftës kanë qenë të regjistruara 863 dosje që përmbanin mbi 100 mijë njësi arkivore nga fusha të ndryshme të albanologjisë dhe një pjesë e madhe e këtij materiali është botuar në publikimet e Institutit. Rëndësi të veçantë paraqesin materialet e incizuara në bobina magnetofoni. Ndërsa shton se për shkak të kushteve të papërshtatshme për ruajtje, sidomos pas heqjes së Arkivit nga ndërtesa e Institutit, një pjesë e materies arkivore ka filluar të dëmtohet. Por, falë ndihmës së donatorëve, ky material pjesërisht është incizuar në CD. "Gjatë periudhës së bombardimeve ,kur forcat serbe e kanë shfrytëzuar objektin e Institutit Albanologjik për t'u strehuar nga sulmet e bombardimeve të NATO-s, Arkivi shkencor është dëmtuar mjaft. Nga kjo periudhë mungojnë dosje të tëra të studiuesve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, mungojnë vëllime të serive të publikimeve të vjetra, bobina me materiale të incizuara", ka thënë ai, duke shtuar se sot Arkivi disponon 112 dosje të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe 135 njësi etnologjike.

(Kosova Sot)