NGA KUSH PO ANASHKALOHEN KRIJUESIT DHE LETËRSIA SHQIPTARE?

  • 15 June 2018 - 08:25
NGA KUSH PO ANASHKALOHEN KRIJUESIT DHE LETËRSIA SHQIPTARE?

UNIFIKIMI I SHOQATAVE TË SHKRIMTARËVE 

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ  

Rrënjët e krijimtarisë artistike shqiptare janë shumë të reja në krahasim më ato të letërsisë së vendeve të tjera ku për shembull në vitin 1605 në Madrid botohet romani "Don Kishoti" nga Servantesi, e vetëm disa shekuj më vonë, më 1958 botohet romani i parë në Kosovë "Gjarprinjt e gjakut" nga Adem Demaçi. Nga kjo vonesë nuk duhet të nënkuptohet se letërsisë sonë i munguan talentet e fjalës së shkruar artistike,por ata u vranë, u syrgjynosën e u masakruan nga pushtuesit e tokave tona. Si mund të zhvillohej letërsia nën sundimin pesëshekullorë të Perandorisë Osmane, ku nuk lejohej asnjë shkollë shqipe? Si mund të zhvillohej letërsia e mirëfilltë nën sundim e Serbisë , ku që në lindjen e saj e burgosën Adem Demaçin? Pra, letërsia shqipe në atdhe ishte e kufizuar, por pena të shumta me origjinë shqiptare do të kontribuonin në shumë vende të botës , e madje disa prej tyre do fitonin çmimin Nobel. Mendoj se popullit tonë kurrë nuk i kanë munguar talentet në asnjë fushë e veçmas në krijimtari artistike qe nga Greqia e lashtë e këtej. Gjenerata ime ende i kanë të freskëta përrallat që na tregonin gjyshërit tanë pa asnjë ditë shkollë, e të cilat tregime ne më vonë do i lexonim të Homeri. Nga kjo duket se paraardhësit tanë kanë shkruar në gjuhë tjetër, e tjerët ende përfitojnë duke ua fshehur origjinën e autorëve tanë që bota të mësojë se civilizimi botëror filloi nga dikush tjetër e jo nga ne.

GJUHA E SHKRUAR E DETERMINON ORIGJINËN E JO PREJARDHJA E AUTORIT

Ekzistojnë një numër i madh krijuesish me origjinë shqiptare, të cilët janë emra të njohur në botë, por ata kurrë nuk do të mbeten emra në historinë e kulturës shqiptare, sepse një gjë e tillë nuk lejohet nga vendet ku ata kontribuuan. Krijimet e tyre janë krenaria e shtetit ku ata u shkolluan dhe u ngritën. Ne kemi mundësi vetëm të krenohemi më veprat dhe origjinën e tyre, por ata nuk mund ta pasurojnë letërsinë tonë, pavarësisht se AND-në e kemi të njëjtë. Këtu qëndron edhe lufta kryesore në mes shteteve të ndryshme të cilët insistojnë që vendi ku krijohet letërsia, muzika, shkenca, sporti etj të jenë bartës i krenarisë e pse jo edhe i dështimit. Në këtë kontekst do t'ua përkujtoj se pavarësisht se ekipi i futbollit francez përbëhet më shumicë lojtarësh afrikanë e tjerë , kur ekipi i tyre fiton e tërë Franca mburret. Me Rita Orën mburret kultura angleze, ndërsa ne vetëm mund te jemi krenarë që ajo ka origjinë shqiptare, kurse krejt ndryshe është me Era Istrefin, e cila karrierën e saj e filloi në Prishtinë. Në letërsi Ismail Kadare merret si shkrimtar shqiptar, ndërsa Cizia Zykë që me shitje të romaneve ia kalon Kadaresë, trajtohet si shkrimtar francez, sepse romanet e tij i ka shkrua në gjuhen franceze. Në trojet shqiptare krenaria për figura të mëdha trajtohet krejt ndryshe: mburremi për figura që i ndihmuan dhe kontribuuan në kulturën e pushtuesit, e i injorojmë dhe anashkalojmë personalitetet që kontribuuan apo kontribuojnë për vendin tonë. Shembuj të tillë kemi shumë si në të kaluarën edhe në ditët e sotme psh. Gjergj Fishta ishte i anatemuar në të gjitha trojet shqiptare, e në anën tjetër lartësohej ndonjë figurë letrare që shkruante persisht që i kushtonte elegji tezës së tij të vdekur; anatemohej Adem Demaçi e lartësoheshin krijuesit që i kushtonin poezi pushkatimit të ndonjë serbi të Serbisë e fëmijët e tyre i pagëzonin me emra të betejave partizanësh si Sutjeska, Kaçusha … , apo lartësohej Azem Shkreli që shokun e tij e futi nën rrota të makinës e anatemohej Fazli Graiçevci e krijues të tjerë.

KUSH NA PENGON SOT?

Ka dy dekada që botimet letrare janë shumëfishuar në të gjitha trojet shqiptare. Më botimin e librave qoftë nga shtëpitë botuese , ose më financimin e vetë autorëve , është shtuar numri i krijuesve tanë . Më shtimin e krijuesve janë shtuar edhe shoqatat e shkrimtarëve në çdo qytet e qytezë të vendeve tona. Ky shtim i madh i autorëve dhe i shoqatave e ka një rol pozitiv , sepse e ngjall kulturën tonë edhe në vendet e pazhvilluara. Në këtë mes të madh e të stërmadhuar natyrisht që do të gjejmë edhe ndonjë të talentuar që një ditë do të ngjitët majave të letërsisë sonë. Vlera e romanit nuk varet ku është shkruar vepra, por nga vlera artistike e saj. Shumëfishimi i numrit të autorëve siç e ka anën pozitive e ka edhe atë negative. Nga mijëra vepra të botuara, mund të dalin një numër i vogël që kanë vlera të mirëfillta, mirëpo aktualisht në trojet tona vlerësimet po bëhen sipas pagesës dhe pamjes fizike, e veçmas të gjinisë femërore. Është krijuar një lloj pavarësie degjeneruese e kritikëve tanë që lartësojnë vepra të autorëve pa asnjë vlerë letrare duke injorua çdo kë tjetër që nuk i përket klanit të tyre. Është neveritëse, kur lexon ndonjë vlerësim për ndonjë autor që ende nuk e ka mësuar drejtshkrimin e na shkruan roman apo përmbledhje me poezi. Autorët veprat e të cilëve/cilave u vlerësuan rrejshëm (varësisht nga pagesat) , tanimë vetën e trajtojnë si më të mirët dhe fillojnë t'i kritikojnë ikonat tona kombëtare si Demaçin, Kadarenë, Agollin, Qosjen, Ibrahim Rugovën e shumë të tjerë. Të posavlerësuarit më veprat e tyre nuk depërtojnë më larg se qyteza ku u linden, por janë kokëfortë dhe më ngulm mbrojnë veprën e vet duke refuzuar çdo opinion tjetër konstruktiv. Gjendja materiale e dobët ka ndikuar që kritika të vlerësojë veprat sipas shumës së parave e jo sipas vlerave artistike. Në anën tjetër, përveç lokalizimit, një pjesë e kritikës sonë i vlerësojnë veprat e klaneve politike që u përkasin gjë që po ashtu e dëmton letërsinë skajshmërisht. Nuk është e rastësishme që këto dy dekada të fundit autorë të suksesshëm kanë dalë disa deputetë në Shqipëri dhe në Kosovë. Deputetët që kanë shkruar që nga mosha adoleshente është normale që të vazhdojnë të shkruajnë, mirëpo pjesa dërmuese e tyre kurrë një roman nuk e kanë lexuar e tani merren me romane. Absurditeti nuk ka kufi! Ky lloj vërshimi të botimeve të veprave të reja , ka zhvilluar edhe një mentalitet tjetër që mund të themi një lloj mbretërie brenda gëzhojës ku ata gravitojnë ose si autorë ose si kryetarë të shoqatave e shtëpive botuese. Pjesa më e madhe e tyre janë kundërshtarë të kritikës konstruktive, sepse për këtë shtresë konstruktive është vlerësimet që janë bërë për të. Para pak ditësh rastësisht në rrugë e takova një autor të moshuar, por që gjatë këtyre dy dekadave kishte botuar mbi dyzet vepra. Më pyeti se pse unë ende nuk e kisha shkruar asnjë fjalë për veprat e tij, ndërsa kritikë të njohur tjerë shkruajnë duke e ngritur autorin ne majat më të larta të letërsisë sonë që edhe Agolli do ia kishte lakmi. Ky autor nuk është i vetmi, sepse kemi edhe shumë të tjerë që mendojnë kështu. Dikur pengesa e zhvillimit të kulturës sonë ishte pushtuesi, ndërsa sot , pengesa kryesore jemi ne. Sot nuk duhet ta kërkojmë fajtorin në Serbi, në Turqi apo në Greqi, por fajtorë jemi bashkërisht të gjithë krijuesit dhe në institucionet shtetërore.

NGJARJET KULTURORE MË KARAKTER KOMBËTAR MARRIN KARAKTER LOKAL

Duke u nisur nga fakti se ekzistojnë një numër i madh shoqatash, të cilat shpallin konkurse të zakonta e të pazakonta, e në të cilat konkurse shpallen fitues ata që më se pakut e meritojnë, kjo bënë që ne pa vetëdije ose më të po i luftojmë vlerat letrare të mirëfillta. Këta fitues të klaneve familjare shndërrohen në krijues agresivë dhe të dëmshëm për letërsinë shqiptare. Me këta krijues nuk mund të zhvillohet debat demokratik dhe konstruktiv, sepse të tillët menjëherë i akuzojnë të tjerët që nuk i paskan shpërblyer asnjëherë në manifestime kulturore, dhe si pretekst e marrin shpërblimin që ua paska ndarë shoqata ku gravitojnë ata. Kjo ndikon që ata të mbyllen në vetvete pa kërkuar të bashkëpunojnë më tjerët, sepse kur rrethi të zgjerohet disa e humbin prestigjin qe e kanë në rrethin e ngushtë. Një numër i konsiderueshëm të ngjarjeve kulturore që përkrahen nga institucionet tona, jo vetëm që keqpërdorën materialisht, por edhe moralisht nga organizatorët , duke e prishur imazhin kulturës sonë. Sikur këtyre shoqatave apo krijuesve t'u bëhej ftesa për një unitet mbarëkombëtar, këta do ta refuzojnë, sepse mendojnë se po e humbin autoritetin në mesin e shumë krijuesve të tjerë të njohur.

A EKZISTON MUNDËSIA E UNITETIT TË SHKRIMTARËVE ?

Ka një vit që është krijuar një nismë për unifikimin e shoqatave të shkrimtarëve e të gjitha trojeve tona. Qëllimi i kësaj nisme është që ngjarjet e mëdha kombëtare t'i koordinojnë në mes tyre, ngase të bashkuar do të dalim më të suksesshëm. Më muaj të tërë iu është bërë kërkesa shumë shoqatave që t'i bashkohen kësaj nisme, ku secila shoqatë do ta ruante pavarësinë që e kanë, por prej tyre kërkohet t'i harmonizojnë aktivitetet letrare si ne aspektin kombëtar edhe në atë mbarëkombëtar. Asnjëra shoqatë ende nuk e ka refuzuar një bashkim të tillë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre janë pajtuar që të krijojnë bashkimin e shkrimtarëve shqiptarë që kjo nismë u konkretizua më pjesëmarrjen e mbi 135 delegatëve nga trojet etnike që erdhën në Prizren. Bashkimi i arritur në Kongresin e shkrimtarëve më 7 qershor 2018 në Prizren në qytetin historik shqiptar, mund të quhet si një hap i parë drejt unifikimit të krijuesve tanë që është e vetmja forcë kulturore për ruajtjen e vlerave artistike dhe bashkëpunimin në fushën e letërsisë me vendet e tjera evropiane. Është krejt normale që kurrë nuk do të arrihet në bashkimin e të gjitha shoqatave të shkrimtarëve, por është sukses shumë i madh që u vunë gurëthemelet e një bashkimi të një pjese të madhe të krijuesve shqiptarë jo vetëm të trojeve etnike, por edhe nga diaspora si nga Greqia, Franca, Gjermania , Suedia… U theksua se nuk do të arrihet të bashkojnë të gjitha shoqatat në një vend, e arsyet dihen: disa preferojnë të jenë të parët e fshatit e jo të fundit në qytet. Bashkimi kërkon edhe sakrificën, ku kryetari i një shoqate lokale do të mendojë se nëse nuk është i pari , pse të bashkohet për të qenë i fundit. Kështu mendojnë një pjesë e kryetarëve që janë të varfër nga inteligjenca, se po të logjikonin ndryshe të tillët duhet të krenohen më këtë bashkim që tanimë nuk ka të ndalur. Sot, shkrimtarëve nuk u kanosët rreziku i copëtimit të tokave tona, e as ftesa për të rrokur armët, por thjesht u kërkohet koordinim i aktiviteteve kulturore dhe respekt reciprok ndaj krijuesve dhe çdo shoqate që bashkohet apo nuk bashkohet. 

 

(Kosova Sot)