Këshillat Drejtuese, me ndikime politike dhe klanore

  • 19 June 2018 - 08:48
Këshillat Drejtuese, me ndikime politike dhe klanore

Studiuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Këshillat Drejtuese të institucioneve kulturore nuk kanë lënë gjurmë për funksionalizim institucional, prodhimin e ndonjë efikasiteti qeverisës kulturor. Shumë prej tyre janë përcaktuar në shumicën e rasteve, me lidhje partiake, e aty-këtu edhe me lidhje të tjera interesi reciprok, miqësor e klanor të njerëzve me ndikim

Këshillat, apo Bordet Drejtuese të institucioneve kulturore kanë dështuar ta bëjë punë e tyre siç kërkohet me ligj. Që nga pas lufta është vështirë të gjesh ndonjë KD të institucioneve kulturore, i cili ka bërë një punë që është mbajtur në mend. Bile, jo pak herë kanë mbyllur sytë apo kanë qenë pjesë e shkeljeve dhe degradimeve të institucioneve që kanë drejtuar. Për ta dëshmuar këtë, mjafton rasti i aktorit të TKK-së, i cili jo vetëm u sulmua fizikisht nga kolegët, pa ndonjë arsye, ndërsa KD i TKK-së as që e përmendi këtë rast, bileedhe pas vendimit të gjykatës. Për më keq, këto borde nuk kanë mundur t i shpëtojnë ndikimeve politika e klanore. Një konkludim të tillë e kanë mbështetur edhe studiues dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, KD- të, përveç motivimit për pak mjete financiare, nuk kanë lënë gjurmë për funksionalizim institucional, prodhimin e ndonjë efikasiteti qeverisës kulturor.

Ndërhyrja e politikanëve në Këshillat Drejtuese

Studiuesi Avni Rudaku, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se Këshillat Drejtuese të institucioneve kulturore, përveç motivimit për pak mjete financiare, nuk kanë lënë gjurmë për funksionalizim institucional, prodhimin e ndonjë efikasiteti qeverisës kulturor. Shumë prej tyre, ka thënë ai, janë përcaktuar në shumicën e rasteve, me lidhje partiake, e aty-këtu edhe me lidhje të tjera interesi reciprok, miqësor e klanor të njerëzve me ndikim. "Puna e këtyre Këshillave Drejtuese është me seriozitet të dobët, pasi shumë herë, edhe vetë kryetarët e komunave e politikanë të nivelit qendror, u ndërhyjnë dhe u japin emra të preferuar. Ka pasur raste ku publikisht Këshilli Drejtues ka vendosur për dikë, e politikanët nuk ia kanë miratuar për shkak të 'papërshtatshmërisë ideo-politike të kandidatit'", ka pohuar ai, duke shtuar se, përveç të tjerash, këto institucione janë jofunksionale, e kanë zhvleftësuar rolin e vet edhe nga vetë mënyra si kanë ardhur! Ndërsa krijuesi Dan Ibrahimi ka pohuar se, pavarësisht se këto institucione bëjnë punën e tyre, ato në vazhdimësi i nënshtrohet trysnisë politike, pavarësisht rezistencës, në fund, pajtohen dhe bëjnë si thonë eprorët politikë. "Janë duke bërë punë, por shpesh në favore të ndikimeve nga politika presionet e së cilës ndonjëherë janë aq të forta sa këto këshilla tulitin turinjtë dhe pajtohen", ka pohuar ai.

Emërimet me preferenca partiake

Edhe krijuesi Ilir Muharremi, kritik dhe profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka potencuar se KD-të, institucione me rëndësi për funksionimin institucioneve kulturore, nuk u kanë shpëtuar 'kthetrave' të politikës, pasi, siç ka pohuar ai, pre e emërimeve bëhen me preferenca partiake dhe klanore. Këto politizime të KD-ve, sipas tij, po ndikojnë në punën e institucioneve, ku jo pak herë emërohen drejtues pa ndonjë meritë, duke orientuar funksionimin e institucioneve. "Edhe Këshillat Drejtuese nuk i kanë shpëtuar emërimeve politike, nëpër institucione kulturore dhe ky fenomen nuk është tash, por mjaft herët. Drejtorët që janë zgjedhur pa ndonjë meritë janë dëshmi e kësaj", ka pohuar ai. Kurse, studiuesi Ismet Tahiraj është shprehur se shumë prej KD -ve, në vend që t'i avancojnë përpara institucionet që drejtojnë, jo pak herë kanë sabotuar punën, duke dëmtuar funksionimin e institucioneve, por edhe zhvillimeve kulturore në vend. "Përveç kësaj, këto këshilla kanë ndikuar shpeshherë në diskriminim, duke i renditur këto institucionesipas preferencave politike e klanore", ka thënë Tahiraj në një prononcim për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)