Sheikët e muzikës ia fshehin shtetit milionat

  • 22 June 2018 - 08:30
Sheikët e muzikës ia fshehin shtetit milionat

KËNGËTARËT, FITIME MARRAMENDËSE NË DASMA, BËJNË EVAZION FISKAL ENORM 

Sezoni i verës sjell një oazë të vërtetë për estradën muzikore kosovare, pjesëtarët e së cilës, përveç mbrëmjeve të zakonshme, 'fitojnë' edhe një rast të artë për të rritur financat e tyre. Por, më e keqja është se shumë prej tyre u ikin apo nuk i paguajnë fare obligimet tatimore, pavarësisht shumës marramendëse që arrijnë të marrin për perfomancat e tyre. Sezoni i verës për këngëtarët zakonisht starton rreth datës 15 qershor dhe përfundon në fund të muajit gusht. Sipas informatave të marra nga vetë këngëtarët, një këngëtar së bashku me ekipin e tij fitojnë diku rreth 6500 euro për një natë, gjë që u bie që për 77 ditë të fitojnë mbi gjysmë milioni euro! Për studiuesit dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend, edhe përkundër fitimeve milionëshe, vetëm gjatë sezonit veror, pa llogaritur të hyrat nga mbrëmjet në diskoteka e koncerte gjatë tërë vitit, tatimi që paguhet në buxhetin e shtetit është pothuajse qesharak? Megjithatë, sipas tyre, jo të gjithë këngëtarët u shmangen deklarimeve dhe kryerjes së obligimeve tatimore.  

'Tallavaxhinjtë' mbi shtetin

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi dhe kritiku Buajr Meholli, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se është e dhimbshme teksa sheh shoqërinë tonë të shpenzojë para të majme për ata që nuk mund t'i quajë "këngëtarë!", duke e konsideruar këtë si një degradim i shoqërisë dhe për më keq një poshtërim të kulturës dhe artit. "Dhe, këta tipat që përfitojnë shuma marramendëse nuk e çajnë fare kokën për shtetin dhe obligimet që kanë ndaj tij! Ata hiqen si artistë të mëdhenj dhe si të tillë janë të paprekshëm, saqë as pagesën e tatimit nuk e bëjnë! Ç'marrëzi!", ka pohuar Meholli, duke shtuar se kur e mendon njeriu se në Amerikë, apo kudo gjetkë, artistët më të mëdhenj të globit janë të përgjegjshëm dhe i kryejnë detyrat e tyre si dhe qytetarët tjerë, por, siç ka pohuar ai, jo edhe siç i ka quajtur ai ata që i ikin obligimit ligjor, 'tallavaxhinjtë' tanë, që me sa duket janë mbi shtetin. "Fundja, një pjesë e shoqërisë iu ofron mundësi, duke paguar para të majme për "muzikën" e tyre. Mendoj se shteti duhet t'i sanksionojë ashpër dhe t'u vërë ultimatum në kryerjen e obligimeve, derisa shoqëria jonë shpresoj t'i hapë sytë dhe paratë t'i shpenzojë aty ku duhet, pra në gjëra të vlefshme dhe jo në arkat e atyre që bëhen milionerë për një kohë të shkurtër, pa kurrfarë merite, dhe pastaj lozin me shtetin", tha ai.

Gënjejnë me çmimet

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve kulturore, Avni Rudaku, ka thënë për "Kosova Sot" se këngëtarët fitojnë shumë, por japin pak, ose hiç për shtetin. Ky, ka pohuar ai, është dështim i shtetit që me deklarata publike nuk merren në pyetje dhe përgjegjësi për deklaratën. "Këngëtarët jetojnë edhe prej një sistemi e tradite kulturore të bakshishit, që është zor në disa situata edhe shteti të ndërhyjë. Janë të njohura sidomos në vendet 'orientale' gjuajtja e bakshisheve, por edhe striptiz-bar-et e Perëndimit punojnë me logjikën e njëjtë të 'fluturimit' të parave në hapësirë publike", është shprehur ai, duke shtuar se këtu nuk bëhet fjalë për bakshishe, por për kontrata me evazion tatimor."Shteti ka pak inspektorë dhe se problem tjetër mbetet koha, pasi inspektorët nuk shkojnë netëve të vona për t'i kontrolluar lokalet; ekziston një marrëveshje e fshehtë e porositësit dhe këngëtarit, ku të dytë gënjejnë për çmimin; kontratat dhe marrëveshjet për shërbimet nuk deklarohem në mënyrë të drejtë. Po ashtu, është krijuar traditë e evazionit tatimor, duke e llogaritur se është e drejtë e këngëtarëve të fitojnë sa duan dhe të fshehin fitimet! Duhet të kontrollohen deklaratat edhe të porositësve të shërbimeve, edhe të lokaleve e restoranteve, edhe këngëtarëve", është shprehur Rudaku. Ai ka theksuar se në anën tjetër ekziston një problem se CD-të nuk u shiten këngëtarëve në një botë pirate. "Edhe shteti ka dështuar t'i mbrojë këngëtarët!", potencuar ai. Kështu, sipas tij, edhe shteti i dëmton ata, edhe ata shtetin! Kurse koreografi Dilaver Kryeziu, kritik dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se nuk beson që fitimet e këngëtarëve në këtë sezon mund të arrijnë shuma të pakapshme."Por është e vërtetë që kanë 77 dasma, por edhe që i ftojnë nga ata që i adhurojnë, normal që e kanë xhepin e tyre! Sa u përket tatimeve, më mirë është të kontrollohen ndërmarrjet e mëdha sesa zëri i këngëtarit", ka potencuar Kryeziu. Ndërsa këngëtari Visar Peja, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë që rreth çështjes së tatimeve shprehet shumë komod, duke konsideruar se nuk ka ndonjë brengë. Këtë ai ua uron dhe kolegëve të tij këngëtarë. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim gjatë ditës së djeshme nga ATK-ja për këtë problem dhe kriteret që përdor ATK-ja ndaj këngëtarëve lidhur me tatimet.  

 

(Kosova Sot)