TRE ASHIKËT

  • 24 June 2018 - 08:36
TRE ASHIKËT
Lokali ishte mbushur si për dasma

U bashkuan në lokalin tim Cin Shkodrani, Dyl Elbasanlliu dhe Vaskë Korçari. Jemi shokë ushtrie. Një herë në pesë vite mblidhemi bashkë, në datën kur jemi liruar nga shërbimi ushtarak. Cini, Dyli, Vaska nuk kanë këto mbiemra në letër-njoftime. Mbiemrat e ri u vunë nga ushtarët, për t'i dalluar nga njëri-tjetri, sepse nuk ndaheshin. Zakonisht ceremoninë e fillonim nga vizita në ish repartin tonë xhenier, në Tiranë. Më pas shtroheshim diku. Meqë reparti nuk ekziston më, dhe unë kam hapur një bar-restorant, vendtakimi është lokali im. Në repartet xheniere rekrutoheshin ata që nuk kishin të drejtë arme , sepse, nga partia në pushtet, qenë shpallur kundërshtarë të saj. Tre ashikët, siç i quanim në repart, kishin të përbashkët; arsimin e mesëm muzikor; në familje kompozitorë që nuk i këndonin partisë; të arratisur për të bërë muzikë anekënd globit. Me mua u lidhën më shumë, kur vinin në takimet e tyre në Tiranë. Miqësinë nuk e kanë ndërprerë edhe pse në atë kohë banonin larg, në; Shkodër; Elbasan; Korçë. Trenat pa xhama, rrugët dhe automjetet e këqija, nuk u bënë pengesë asnjëherë për t'i qëndruar pranë njëri -tjetrit si në gëzime edhe në fatkeqësi. Aktualisht Cini banon në Londër, ndërsa Vaska në Detroit dhe Dyli në Milano. Kanë fluturuar me "tajare" për të takuar shoqi-shoqin. Edhe familjet e stimulojnë miqësinë e tyre të sinqertë. Edhe pas demokracisë, edhe më vonë në kurbet, janë të punësuar në orkestra të ndryshme muzikore. EMOCIONET SKENIKE U takuam me zhurmë, sepse na kishte marrë malli shumë. Tavolinën e shtrova diku, në një kënd të sallës, ku kitara e vjetër, që ka lënë Vaska përpara se të emigronte, qëndron e varur në mur si suvenir. U bënë pyetjet dhe u dhanë përgjigje të imtësishme për shëndetin tonë dhe të familjeve, duke pirë alkool, dhe duke e ulur poshtë me meze të bollshme mbi tavolinë. Informacion elektronik kishim të mjaftueshëm, se edhe ne i përdorimin pajisjet bashkëkohore të ndërlidhjes, por kur takohesh me mikun direkt, malli shuhet me shumë lezet. Atmosfera u bë e gëzueshme se edhe lajmet e secilit qenë të mira. U tregua edhe ndonjë shqetësim të vogël, shëndetësor apo familjar. Mosha mbi pesëdhjetëvjeçare dhe rritja e familjes bën të vetën. Kur mbaruan pyetjet dhe përgjigjet informative shoqërore, Vaska u çua e mori kitarën. E shihte siç sheh gjyshi nipçen. E përkëdhelte me shumë ngrohtësi. E akordoi për merak, ndonëse Cini e ngacmonte se minë lart nuk e ka krejt ekzakt. -I kemi treguar njëri-tjetrit, se aty ku jetojmë, na shurdhoi muzika elektronike. Të këndojmë si dikur,"firomë më firomë", me këtë kitarë, që është sa dyfishi i moshës sonë. Më ka marrë malli për Korçën time, që është Parisi i vogël i atdheut tonë të dashur. Besoj se e keni vëne re, se atje larg në kurbet, malli për atdhe të këput në kryq. - Fillo, por me një kusht!- e urdhëroi Cini.- Do të këndojmë me sira nga një këngë. Ti po u fute në serenatat Korçare, harron me ke je në tavolinë. Këtë e dimë mirë të gjithë. - Nuk po ta prish, bre. Edhe unë kërkoj ndihmë nga ju. Të më shoqëroni,që të më hiqni emocionet skenike! - dhe Vaska e nisi i pari: Kur nata Korçën e mbulon. Dhe kafenetë mbushen plot. Atje qan zemra ime dhe vajton, Dhe raki kërkon. ………… Vaska këndonte me sytë e mbushur me lot. Zëri i ishte burrëruar. Edhe Cini me Dylin e shoqëronin bukur shumë. Sa emocione më jepnin. Jam krenar për shokët e mi të ushtrisë. Më pas kitarën e mori Dyli: Elbasani është i bukur, Plot me lule i rrethuar, Aty zuna një dallëndyshe, Por sa nisi me fluturue, ……………. Tenori Cin e nisi në laminor: Ndejta gjithë ditën hijeve s'e m'thanë n'hije rri etjen e shova krojeve krojeve, ku pin ti. Po t'jemi bashkë ne të dy do t'na shikjojnë me zili e do t'na flasin ndër sy sa duhemi unë dhe ti… ………… Qejfi vazhdoi duke u kënduar me sira luleve. Karafilat, zymbulat, trandofilet, lule boret, manushaqet, ……., e mbushen me arome lokalin tim të madh. Meqë ikën emocionet ,ju këndua vashave, shtojzovalleve, perrive me emra konkretë. U vunë në garë se cili i këndon më bukur Gjyles, Xhemiles, Margaritës, Margjeles, Tushit të Vajes, Jorgjicës, ….


URIMET PËR ASHIKËT VININ NGA TË GJITHA ANËT Kur kitara u la në një karrige, për pak pushim, u dëgjuan duartrokitje në sallë. Lokali ishte mbushur si për dasma. Urimet për ashikët vinin nga të tëra anët. I pashë miqtë me shqetësim, sepse e dija që në të tilla ndeja ata pranonin në tavolinë vetëm shokët e ushtrisë. Ndryshe nga herët e tjera, ndoshta nga malli, ata duartrokiten me klientët. Nga kënaqësia, të pranishmit kërkonin të na porosisnin diçka në tavolinë. Për tavolinën tonë, e pata urdhëruar kryekamerierin, të mos bënte asnjë veprim nga jashtë, pa pëlqimin e shokëve të mi. - Fol në shqip se nuk të marr vesh, bre!- ju drejtua Vaska Cinit, ndërsa po tregonte një barsoletë të re. - Sa i trashë paska qenë ky shoku im!?- dhe Cini na shkel syrin ne. - Ka mbi 25 vite që fle me një shkodrane dhe nuk më kupton se çfarë flas. Si komunikon me nënën e fëmijëve? - Amerikanshe e kam më të lehtë komunikimin. Nuk bëhem nga fshati gruas, bre. Edhe shkodranka jote ka 25 vite që fle me një korçar dhe nuk e ka ndryshuar një fjalë. Habitem me ju shkodranët. Në një anë deklaroni se të tëra i bënin në anën tjetër nuk mësoni gjuhën korçare!? - Nuk ka shkodran që thotë:" të tëra i bëjmë". Na i bajna tana sipas qejfit tonë, - e tjerrte Cini.- Kam pasur shumë shpresa,pasi u martove me shkodrane,se do të komunikonim pa ndihmën e muzikës. Si u morët vesh ne fillim, sepse në atë kohë nuk dinit anglisht? - Kur u njoha me shkondrankën, ti e di mirë se ajo nuk ishte "as gonxhe,e as lule". Ajo më pëlqeu si kallëp,se si djalë e kishe gënjyer bukur mirë, në favorin tim. Kur nxehet ndonjëherë me mua, me ty e ka inatin,sepse është e bindur që e ke gënjyer shumë. Si, bre i kë thënë që "nuk e pi as verën,as rakinë, as duhanin", në një kohë që u këndoj ditë e natë me pasion. - I kam thënë se nuk shkon me shumë gra,- e cyste Cini. - Jo. Jo. I kë thënë se kam për të shkuar veç me atë. Si o ty mbylltë, të jem në mes kopshtit me lule shumë dhe të mos ju marr aromën? Sa shkova në Amerikë :"Takova një greke. Të ç'thurrur në qejfe" - Për greke e ka kënga .Mos ja fut kot! - Ke të drejte. Këtë tekst ka serenata. Në fakt më ka çmendur një ezmerë panameze. Edhe tani që po e kujtoj, m'i ngre qimet përpjetë. - Ti re brenda me shikimin e parë. Me lëpiheshe në Shkodër të flisja sa më mirë për ty. - Të jam lëpirë dhe e pranoj." Dashuria është djallushe. Fut në prush, cilinkush." Pse burrat në Shkodër, që pinë verë, raki, duhan, e janë qejfli grash, mbesin pa u martuar?- u hodh në sulm Vaska. - Jo. Jo. Nuk mbesin pa u martuar,- e Cini kruante kokën.-Garelijet nuk ju afrohen këtyre lloj meshkujve. - Ja. Fjalë tjetër që nuk e kuptoj. Çfarë do më thënë garelije? - Janë namuzqarkat, që u këndoni tërë natën nën ballkone ju korçarët. - Përpara se te nisesha nga Amerika, Margjela jote më porositi: "Përshëndete Cinin nga ana ime me shumë respekt. Megjithëse me ka rrejt e kacarrejt për burrin, mua nuk më ka dalë keq." - E kam pasur si motër. Është vajzë nga dera e familjeve më të mira në Shkodër. Nuk të ka dalë keq, por jam i frikësuar, se je pak çapraz. - Pse pak? - Ke të drejtë. Je ashari. - Prapë fjalë, që nuk e kuptoj. - Je ashik,e mos u plaksh kurrë!- e uroi Cini Vasken me shpirt. U çuam në këmbë për të ndeshur gotat, duke i uruar njëri-tjetrit të gjitha gëzimet. I kishim venë vetes si qëllim, të silleshim si dikur në ushtri. - Po ti Cin si po e kalon jetën bashkëshortore, me elbasanllijen time?- ju drejtua Dyli Cinit, pasi rizumë vendet. - Është si Tushi i Vajes: "e hollë, e gjatë, si selvitë e manazgjasë", por kur u ba nënë me katër fëmijë, nga e ëmbël është tjetërsuar në pak të sertë. Shumë e ke rrejt edhe ti nusen time. Me lëvdatat tua, për mua, edhe Heronjtë e Punës Socialiste, i kam lënë në bisht. - Punëtore i madh ke qenë. Në ushtri çdo ditë e realizoje normën mbi njëqind për qind. - Në ushtri kam bërë hile, ndërsa elbasanllijes nuk po mundem t'i bishtnoj. - Pse të kam shok të ngushtë, kam gënjyer pak. - Si e thotë kënga: "Ky marak, maraku i shkretë, zemrën seç ma more."Mirë ke ba që më ke lavdëru, por herë tjera kur të pyesin, mos i ekzagjero lavdërimet. E ke më se të sigurt, se si na e thanë gratë ne, edhe këto të rejat do t'i diftojnë menjëherë dhëndërushve. - Kush të pyet sot? - dhe Dyli qeshte me të madhe. Pasi Vaska këndoi: "Sakati po vraponte, se veturën do të kalonte," u kujtuan ca të vërteta, edhe ca gënjeshtra, për kohën që kemi kryer shërbimin ushtarak. Nga atmosfera humoristike nuk po e kontrollonim më tavolinën. Hapi, pi, këndo, trego humor jetësor, koha galoponte me hapin e kuajve të garave.


"JU KËNDOFTË ZEMRA SA TË JENI GJALLË" Tre djelmosha, që janë në orkestrën e lokalit, erdhën e kërkuan leje, nëse tre ashikët pranonin që ata t'i përshëndesnin me një këngë. Dëshira e tyre pranohej vetëm me kushtin,që te mos ndizej elektronika. Djemtë në fillim u hutuan. Nuk e kuptonin muzikën pa korent. Zgjidhjen e dhanë ashikët. Në kitarë Vaska, Cini me fizarmonikë, Dyli me violinë, djemtë në bateri, tarabuk e sister, këndonin me klientët këngë popullore qytetare shqiptare, pa asnjë tingull elektronik. Kur filluan të këndonin gjelat e parë, jo vetëm në sallë, por edhe jashtë lokalit, këndohej për hak të qejfit. Shumë urime ju dhanë tre ashikëve. Nga gëzimi i rrokja me dashuri e respekt. "Ju këndoftë zemra sa të jeni gjallë! Ju lutemi ,ejani së paku një herë në vit ,se edhe në Shqipëri muzika elektronike na shurdhoi."Këto ishin urimet e lutjet kryesore , që u dhanë atë ditë- natë,nga të gjithë klientët ,pavarë- sisht nëse ishin të majtë, apo të djathtë. Lumturinë e asaj ndeje nuk e di sa e kam pasqyruar në letër? Ata, që i njohin ashikët mirë, e di se do të më bëjnë vërejtje. Nuk duhet harruar se shumë fjalë , të lëshuara në tavolinë, letra nuk ka dëshirë t'i mbajë në kurrizin e saj të bardhë. Nuk ka rëndësi se si e kam shkruar. Mendoni vetë takimet me ashikët, se do ju kujtohen fjalë origjinale,që ata i nxjerrin me bollëk, si perla, nga zemrat e tyre të pastra.


(Kosova Sot)