Letërsia shqiptare, një burim i mirë për kinematografinë tonë

  • 11 July 2018 - 08:44
Letërsia shqiptare, një burim i mirë për kinematografinë tonë

Selimi: Letërsia shqipe ka mjaft materie për të krijuar filma më të ndryshëm

"Fundja, edhe po të kthejmë kokën pas dhe të shohim në historinë e filmit shqiptar, filmat më të mirë janë të bazuar në vepra letrare. "Lulekuqe mbi mure", "Proka", "Përrallë nga e kaluara", "Parullat", janë vetëm disa tituj që po i përmendi e që përfaqësojnë kinematografinë më të mirë shqiptare", ka thënë regjisori Apolloni për "Kosova Sot"

Letërsia shqipe ofron një lëndë mjaft të pasur për kinematogarfinë kosovare. Shumë filma të zhanreve dhe metrazheve të ndryshme do të mund të bëheshin dhe të bëhen në të ardhmen po qe se kineastët tanë ndalen dhe hulumtojë tema. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", krijues dhe kineastë kosovarë. Sipas tyre, letërsia jonë është e pasur, dhe si e tillë mund t'u ofrojë mbështetje kineastëve për bërjen e filmave. Krijuesi Tefik Selimi ka thënë, në një prononcim për Kosova Sot", se letërsia shqipe ka mjaft materie për të krijuar filma më të ndryshëm. Sipas tij, është një kohë kur më shumë ka krijues se lexues. Pra, shton ai, kohës së fundit, edhe ata që kurrë s'kanë shkruar ndonjë varg e shënim, po shkruajnë dhe po botojnë vepra.

Veprat dokumentare që flasin me argumente

Selimi më tej ka thënë si në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ka krijues (shkrimtarë), të cilët kanë botuar vepra që paraqesin jetën tonë të kaluar, posaçërisht këtë të fundit 1999. "Duke parë se po dalin çdo ditë vepra letrare më të ndryshme nga autorët shqiptarë, ma merr mendja se sot o kurrë ka me bollëk "prodhim" për kinematografinë tonë shqipe, ku kineastët tanë nuk ka nevojë të huazojnë tema e përmbajtje nga letërsitë e tjera. Bie fjala, nëse në letërsinë tonë nuk ka aq vepra (romane), që besoj ka dhe shumë, kemi vepra dokumentare që flasin qartë e me argumente për ngjarjet e kohës që e përjetuam", ka thënë ai, duke shtuar se shembull e kemi romanin e paradoditshëm që u botua me titull "Të vdekurit gjallë" nga Ibrahim Kadriu, që flet për luftën me zhvillimet e saj në mënyrë dramatike. Por, ka potencuar ai, e keqja është se, ata që merren me këtë fushë të dijes, pak i shfletojnë veprat letrare. Selimi konkludon se sikur ato të shfletohen e të lexohen, nuk do të mungojë ideja dhe tematika e filmave tanë, sepse, siç ka thënë ai, jeta është ajo që ka "prodhuar" ngjarje të dhimbshme të jetës sonë ku jetojmë. E, Dan Ibrahimi ka potencuar për "Kosova Sot", se kineastët tanë në radhë të parë nuk kanë pasur rastin të bëjnë realizime serioze, pasi ato kushtojnë dhe institucionet tona nuk investojnë seriozisht për vlera që rezistojnë. "Pasi nuk i kuptojnë ato siç duket. Prandaj kineastët tanë janë të detyruar shpesh t'i amputojnë pjesë të caktuara nga veprat letrare që nuk kërkojnë para shumë për t'u realizuar", ka pohuar Ibrahimi.

Autorët e dëshmuar lanë vepra me interes

Kurse Bujar Meholli, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se letërsia jonë është e pasur, dhe si e tillë - mund t'u ofrojë mbështetje kineastëve për bërjen e filmave. Vetëm se, shtona ia, duhet thënë se sot, fatkeqësisht, filmbërësit tanë gjurmojnë pak nëpër letërsi, kësisoj shumë vepra letrare mbeten nën hije. Ai ka thënë se ne kemi autorë të dëshmuar që na kanë lënë vepra me interes dhe po t'u kushtohet pak vëmendje atyre, dhe të merren për shfrytëzim, do të mund të dilte një film i arrirë. Natyrisht, ka vazhduar ai, nëse së pari do t'u bëhej kineastëve puna më e lehtë, duke u siguruar fondet dhe mjetet e punës. "'Dr. Gjilpëra' i Faik Konicës do të mund të bëhej një film i shkëlqyer, për shkak të temës që ka. Aty kemi të bëjmë me emancipimin e shqiptarëve dhe animin nga Perëndimi; pra, tema është aktuale! Po kështu, 'Prilli i thyer' i Ismail Kadaresë do të mund të bëhej një film interesant dhe me interes, apo ndonjë vepër tjetër letrare, që mbart temë relevante për shoqërinë", ka pohuar ai, duke shtuar se letërsia jonë ka çfarë t'i ofrojë kinematografisë dhe se rrjedhimisht mund ta zhvillojë atë, andaj kineastët duhet të futen në analet e letërsisë dhe të gjejnë materiale të akceptueshme, për t'u adaptuar dhe bërë film.

Letërsia nuk po shfrytëzohet sa duhet

Ndërsa Ben Apolloni, regjisor, ka potencuar për "Kosova Sot", se letërsia jonë është një amë e mirë për kinematografinë tonë. Por, për fat të keq, thotë regjisori Apolloni nuk është shfrytëzuar e as nuk po shfrytëzohet sa duhet, ndërsa shtonë se veprat e Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, Ridvan Dibrës, etj., janë burime për filma shumë të mirë. "Fundja, edhe po të kthejmë kokën pas dhe të shohim në historinë e filmit shqiptar, filmat më të mirë janë të bazuar në vepra letrare. "Lulekuqe mbi mure", "Proka", "Përralle nga e kaluara", "Parullat", janë vetëm disa tituj që po i përmendi e që përfaqësojnë kinematografinë më të mirë shqiptare", ka thënë regjisori Apolloni për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)