Komuniteti artistik kërkon paga sa të profesorëve universitarë

  • 12 July 2018 - 08:44
Komuniteti artistik kërkon paga sa të profesorëve universitarë

Marrëveshja me ministrin Gashi ende nuk është zbatuar 

"Kërkesat tona permanente si muzikantë, si punonjës të kulturës janë që koeficienti për ne të jetë i barabartë me stafin akademik të Universitetit të Prishtinës", ka thënë Krasniqi për "Kosova Sot"

P unëtorët e institucioneve publike kulturore në vend kërkojnë nga Qeveria që të mos anashkalohen kur është në pyetje ngrita e pagave dhe rregullimi ligjor i statusit të tyre. Institucionet për më se një dekadë kanë dhënë shumë premtime se janë duke punuar për përmirësimin e kushteve dhe të statusit ligjor të punëtorëve të institucioneve të kulturës, duke premtuar edhe rritje pagash, po përveç, rregullores nr. 05/2011, nuk është bërë ndonjë gjë. Andaj, krijuesit, sindikalistët dhe njohësit e zhvillimeve kulturore presin që më në fund institucione të rregullojë, ligjërisht statusin tyre dhe ngritjen e pagave, e cila të mos jetë nën 50 % të asaj aktuale, duke e parë çështjen e tyre të rregulluar si duhet edhe me ligjin e ardhshme për pagat.

Pagat nuk i kanë të rregulluara me koeficient meritor

Kryetari i Shoqatës Sindikale të punëtorëve të AKKV "Shota", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se rrogat e komunitetit artistik nuk janë të rregulluara me koeficientin e duhur dhe meritor, pasi, siç ka thënë ai, mungon akti i parë normativ për rregullimin e statusit profesional të Performuesve dhe Krijuesve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, siç ka potencuar ai, një ligj për këtë kategori. Gradimi i kësaj kategori, sipas Grajçevcit, bëhet me Rregulloren 05/2011, e cila, siç ka thënë ai, për kohën kur është bërë ka qenë pozitive për t'i eliminuar kontratat mbi vepër, por, tashmë duhet që punëtorët e institucioneve të kulturës të nivelit kombëtar të trajtohen si punëtor të institucioneve elitare, duke bërë një paralele me profesor universitar. Grajçevci ka thënë se për performuesit e punëtorët kulturor dhe të trashëgimisë të institucioneve të kulturës duhet të ketë një ligj të veçantë për të rregulluar statusin e tyre, pasi sipas tij, nuk mund të pritet a do të ketë ndikim të pritshëm dhe meritor kur është në pyetje rritja e pagave për kulturorët, pasi do të merret gjendja aktuale, që është e papranueshme për ta, duke e konsideruar si me rëndësi miratimin e një ligj për pagat. "Ne si Sindikatë i konsiderojmë të arsyeshme kërkesat tona për rritje pagash. Ne kemi një marrëveshje me ministrin Kujtim Gashi, marrëveshje të cilën jemi duke pritur ta gëzojmë në ditët në vijim, që brenda hapësirës ligjore dhe rregullores 05/2011 të bëjë ngritjen të pagave 50% për për punëtorët që janë Performues dhe Krijues të kultrës dhe Punëtorëve profesionalë të Trashëgimisë kulturore", ka pohuar ai, duke shtuar se kjo rrugë është ndërmarrë si hap i shpejtë e i domosdoshëm që komuniteti sadopak të ndihet i trajtuar me ngritjen e pagave 50% mbi bazën e rregullores 05/2011, e më pasi, sipas tij, të nisë puna për hartimin e bazës ligjore për ligjin e statusit profesional për komunitetin artistik.

Kategori që është lënë anash

Ndërkaq, Naim Berisha-nënkryetar i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë për "Kosova Sot", se rritja e pagave në sektorin e kulturës është shumë e nevojshme, për shkak së kjo kategori e punonjësve në njëfarë mënyre duhet të trajtohet në mënyrë meritore, marrë parasysh specifikën e profesionit dhe funksionit që ka. "Fatkeqësisht, kjo kategori që nga koha e pasluftës, është lënë anash nga institucionet shtetërore, si në aspektin e mirëqenies së tyre ekonomike, ashtu edhe në aspektin e miratimit të një kuadri ligjor adekuat dhe meritor. Zbrazëtia ligjore vërehet jashtëzakonisht shumë, sidomos në mungesën e akteve nënligjore, duke krijuar shpeshherë amulli brenda kësaj kategorie, sidomos në aspektin e të drejtave që këta punonjës duhet të kenë", ka thënë ai.

Vetëm premtime

Edhe ekspertë të fushë dhe krijues e shohin me rëndësi trajtimin me dinjitet të punëtorëve të institucioneve në sektorin publik. Krijuesi Sabit Zeneli ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se çështja e pagave tashmë është bërë banale dhe gjithçka vazhdon të mbetet në nivelin e premtimeve parazgjedhore. Sipas tij, rritja e pagave në vendin tonë (përpos qeveritarëve) ndodh vetëm kur bëhet trysni me greva e në dëm të qytetarëve që vuajnë pasoja nga kolapsi që shkaktojnë këto ndalje të punës. "Mendoj se pagat në sektorin e kulturës duhet të jenë në harmoni me rëndësinë që kanë vendet e punës,përgjegjësia në punë etj. "P.sh., paga e një aktori të teatrove profesioniste duhet të jetë sa e një pedagogu universiteti,po ashtu udhëheqësit e institucioneve kulturore duhet të nivelohen me pagat e drejtorëve nëpër dikasteret e ministrive", ka thënë ai. Kurse regjisori Mahir Musliu ka thënë për "Kosova Sot", se duhet të ketë ngritje dhe kategorizim të pagave në sektorët kulturorë. "Është qenësore, sepse deri tani ky sektor është ndër më të diskriminuarit dhe anashkaluarit e gjithë shoqërisë. Kosovës i duhet një ligj i ri për teatro e kinematografi, sepse kështu si është tani do të margjinalizohet roli i tyre në jetën shoqërore", ka thënë Musliu. Ndërsa Avni Krasniqi, instrumentalist në Filarmoninë e Kosovës ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se në këto vitet e fundit kemi pritur përmirësimin trajtimit dhe kushteve në përgjithësi për punonjës të kulturës, e sidomos rritjen e pagave, nga janari 2018 kur edhe nga zyrtarë të MKRS-së ku dhe ka pasur një, siç ka thënë ai, lloj vendimi - rregullore për rritje 50% nga MKRS-ja. Por, ka thënë ai, për fat të keq ende nuk ka ndodhur diçka e tillë. Ndërsa sa i përket ligjit për pagat, Kastrati ka thënë se institucionet nuk kanë dhënë detaje, por siç ka thënë ai, koeficienti, i cili është caktuar, është totalisht i papranuar, për arsye se as për së afërmi nuk i përmbush nevojat dhe nuk korrespondon me kërkesat e kërkuara nga komuniteti kulturor brenda institucioneve publike kulturore.

(Kosova Sot)