NJË JETË E TËRË KUSHTUAR SHKENCËS SË HISTORISË

  • 15 July 2018 - 09:42
NJË JETË E TËRË KUSHTUAR SHKENCËS SË HISTORISË
Një tipar tjetër i veprimtarisë shkencore të Prof. Sabiles është stili i rrjedhshëm dhe gjuha e pastër, e kuptueshme jo vetëm nga intelektualët, por edhe për lexuesin e thjeshtë

P ara viteve '90 gjatë përgatitjes së disertacionit me temë "Veprimtaria e Isa Boletinit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare", në kërkim të gradës shkencore "Kandidat i Shkencave të Historisë", tek hulumtoja studime të ndryshme të historianëve nga Kosova, kisha lexuar edhe shkrime të Profesoreshës Sabile. Takimi i parë me atë ishte ai i vitit 1994 në Institutin e Historisë në Tiranë, kur çifti Basha kishte ardhur për një vizitë disa ditore në kryeqytetin e Shqipërisë. Që nga ajo ditë shoqëria dhe miqësia jonë vazhdon. Dhe ja sot pas plot 24 vite, ndihem mjaft mirë që jam e thirrur për të marrë pjesë në këtë eveniment për përurimin e veprimtarisë 40 vjeçare në kërkimin shkencor dhe krijues të Prof dr. Sabile Keçmezi Basha.

TRAJTIMI I PERIUDHËS GJYSMËSHEKULLORE TË HISTORISË SË KOSOVËS Profesoresha Sabile në këto 40 vjet të punës studimore shkencore në fushën e historisë, të publicistikës e krijimtarisë letrare, etj, që përbëjnë një hark kohor bajagi të gjatë dhe që janë gati sa 2/3 e moshës së saj. Në fakt ato përbëjnë një hapësirë të ngushtë që nuk mund të mbushin volumin e punës shkencore dhe krijuese të Prof. Sabile. Po të ishte e mundur që puna e saj të normohej, pa dyshim do të duhej dyfishi i kësaj kohe. Në këtë kuptim them pa droje se rendimenti i punës së saj ka qënë mbi 200%. Ajo çka e karakterizon veprimtarinë shkencore të Prof Sabiles është gjerësia e saj. Prof. Basha, me punimet dhe botimet e realizuara ka trajtuar një periudhë kohe mbi gjysmëshekullore të historisë së Kosovës që fillojnë nga viti 1945 deri në vitin 2000, dhe e ndalur posaçërisht në vitet 1945-1990. Kjo periudhë e historisë së popullit shqiptar të Kosovës ka qenë e ngjeshur me përpjekje të shumta për të përballuar pasojat e zbatimit të një gjenocidi nga qarqet politike të Beogradit e për të fituar të drejtat e tij legjitime, në fund të fundit për të siguruar ekzistencën e tij. Këto përpjekje, në mënyrë të sintetizuar kanë gjetur shprehjen e vet në lëvizjen ilegale, e cila në mënyrë të gjithanshme dhe më se të plotë, është bërë objekt i punës kërkimore e studimore të Prof. Sabiles. Ajo ka ditur të rrokë e të trajtojë në mënyrë analitike lëvizjen ilegale në ato vite me tërë problematikën që e ka shoqëruar atë si në anën organizative, programore, veprimtarinë konkrete të forcave pjesëmarrëse në atë lëvizje dhe figurave drejtuese të saj. Pas mbrojtjes së doktoratës dhe botimit të monografisë së parë në vitin 1987, për të vijuar punën në kërkimin shkencor ajo do të përzgjidhte një temë sa interesante për studimet historiografike shqiptare aq dhe e goditur që i shkonte për shtat situatës politike të krijuar në Kosovë pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, që sollën ndryshime si në pikëpamjen politike, ekonomike dhe shoqërore për Kosovën e cila nuk do të ishte më ajo e djeshmja.

LËVIZJA ILEGALE PATRIOTIKE NË KOSOVË Me sa duket zhvillimet e vrullshme të kësaj kohe ndikuan te Prof. Sabile në përzgjedhjen e fushës studimore për të ardhmen, boshti i së cilës ishte trajtimi i Lëvizjes Ilegale Patriotike në Kosovë me të gjithë aspektet e saj përbërës. Kështu pas një punë kërkimore disavjeçare në vitin 1998 pa dritën e botimit monografia me temë "Lëvizja ilegale patriotike në Kosovë në vitet 1945-1948". Ai u botua pikërisht në kohën kur lëvizja Ilegale në Kosovë e vise të tjera ti ishJugosllavisë kishte nisur të dilte nga konturet e ilegalitetit e për tu përballur me sunduesit serb për realizimin e aspiratave të popullit për liri dhe pavarësi. Në punim vërehej serioziteti me të cilin autorja kishte punuar për të sjellë në mënyrë të dokumentuar e sa më të plotë gjithë problematikën e kësaj lëvizje në fillim të viteve të pasluftës së Dytë Botërore. Përfundimi i luftës së Dytë Botërore për shqiptarët e Kosovës e viseve të tjera shqiptare, ishte zhgënjimi për një zgjidhje të kënaqshme të çështjes së tyre. Prandaj atyre iu desh sërish që në përputhje me situatat e reja të ndërtonin rezistencën në ilegalitet, të hartonin programet politike udhërrëfyese për të orientuar popullin drejt fitores përfundimtare. Autorja analizon organizatat ilegale të formuara në krahina të ndryshme, programet e tyre me kërkesë themelore çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë, punën për masivizimin e saj, goditjet e herëpashershme që pësonte lëvizja nga autoritet shtetërore etj. Për problematikën që trajtonte dhe rëndësinë që punimi kishte për situatën ekzistuese në Kosovë, po në vitin 1998 gazetarja e radio Tiranës E. Muja i kushtoi një vend të rëndësishëm në emisionin për shqiptarët jashtë atdheut duke e bërë atë të njohur për opinionin publik në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Lëvizja ilegale pas kësaj faze do të rritej e forcohej në vitet pasardhëse ashtu si dhe vetë etja për liri dhe pavarësi e popullit që përfaqësonte. Prandaj Prof Sabile nuk do të ndalet veçse me këtë punim. Ajo do të vazhdonte hulumtimet në këtë lëmi edhe më tej. Përkeqësimi i situatës politike në Kosovë, pas likuidimit të autonomisë së saj dhe përpjekjeve të sunduesve serb për të shuar çdo përpjekje për të drejta, liri dhe demokraci të një populli stoik në kërkesat e tij, domosdo ndikoi në uljen e ritmit të punës kërkimore të saj, por nuk e ndali atë. Në këto momente të rënda për popullin dhe Kosovën, Prof. Sabile punën intensive kërkimore do ta kalonte në plan të dytë dhe ashtu si shumë intelektualë të tjerë mori pjesë aktive në veprimtaritë përkujtimore kushtuar ngjarjeve historike dhe figurave të shquara patriotike të cilat ishin burim frymëzimi të luftës për çlirim. Njëherësh ajo u angazhua në jetën politike dhe në veprimtaritë e shoqërisë civile duke u bërë organizatore dhe pjesëmarrëse në një sërë demonstratash dhe protesta të grave për ti thënë ndal dhunës së sunduesve. Kur konfrontimi midis UÇK dhe forcave ushtarake serbe në vitin 1999 po bëhej i pashmangshëm, në prill të këtij viti, familja Basha ashtu si pjesa me e madhe e popullsisë në Kosovës, u dëbua me dhunë nga Kosova dhe u vendos në Tiranë. Edhe në ato momente të vështira për Kosovën dhe popullin e saj, ajo gjeti forca dhe here pas here frekuentoi dhe hulumtoi në Bibliotekën Kombëtare dhe Arkivin Qendror të Shtetit.

KONTRIBUTI PËR NGRITJEN E INSTITUCIONEVE TË REJA TË KOSOVËS Pas çlirimit të Kosovës në qershor të 1999, Profesoresha iu rikthye vendit të punës. Krahas punës si deputete në Kuvendin e Kosovës ku dha kontributin e saj për ngritjen e institucioneve të reja të shtetit të ri të Kosovës, Prof. Sabile thelloi kërkimet në arkiva të ndryshme në Kosovës, Shqipërisë dhe vende të tjera, shfrytëzoi vëllime dokumentare të arkivave të ndryshme të botuara nga kolegë menjëherë pas lufte, organe të ndryshme të shtypit si dhe literaturë të huaj e vendase. Mbështetur në një material arkivor të bollshëm dhe solid, që një pjesë e mirë e dokumenteve të përdorura dhe të publikuara për herë të parë prej saj, ajo në periudhën e viteve 1999 deri 2018 arriti të botojë 18 libra, si "Organizatat dhe grupet ilegale ne Kosove 1981-1989", "Shtypi ilegal shqiptar ne Kosove 1945-1990", "Te burgosurit politik shqiptar ne Kosove 1945-1990", "Kosova në shtypin e mërgatës 1945-1990" në dy vëllime. "Kosova në vitet 1945-1990 vështrim historiko-politik", dhe deri te 5 botimet e fundit të cilët përbëjnë më se 2500 faqe. Botimet trajtojnë aspekte të ndryshme të Lëvizjes Ilegale Patriotike në Kosovë deri në vitin 1999, duke na dhënë një tablo të plotë e të gjithanshme të rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës për çlirim kombëtar. Ajo ka trajtuar organizatat e ndryshme ilegale, programet politike, ideologjike dhe veprimtarinë e tyre konkrete, si dhe aktivitetin e figurave drejtuese të tyre. Gjithashtu ka pasqyruar masat represive të shtetit policor si përndjekjet, burgosjet, torturat dënimet të veprimtarëve të lëvizjes. Përveç botimeve të plota, çështje të veçanta të lëvizjes ilegale i ka bërë objekt të qindra faqeve të botuara ne formë fejtonesh në organe të ndryshme të shtypit si të Rilindja, Bujku, Epoka e Re, etj duke ia përcjellë opinionit të gjerë publik. Prof Sabile punën kërkimore nuk e ka kufizuar vetëm në këtë tematikë dhe në këtë periudhë. Ajo ka rrokur e trajtuar edhe çështje, ngjarje dhe figura të periudhave të ndryshme të historisë së popullit shqiptar duke i bërë objekt të artikujve të botuar në revista shkencore në Kosovë e Shqipëri dhe në vende të tjera. Gjithashtu ajo ka marrë pjesë me referate e kumtesa në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare kushtuar ngjarjeve kulmore dhe figurave madhore të historisë së popullit shqiptar. Prof Basha është bashka-autore në disa botime shkencore si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri ku mund të përmendim vëllimin II të Historisë së Popullit Shqiptar gjatë shek XX, i cili së shpejti do të shohë dritën e botimit.

STILI I RRJEDHSHËM DHE GJUHA E PASTËR Por ajo që është më karakteristike e punimeve të botuara të Prof. Sabile është objektiviteti me të cilin ajo ka arritur të trajtojë, të analizojë dhe të nxjerrë përfundime për gjithë problematikën me të cilën është marrë. Botimet e Prof. Sabiles janë të zhveshura nga ideologjizma e politizimet, të pa ndikuara nga rrymat e ndryshme, nga interesat egoiste e meskine të individëve apo grupeve të ndryshme shoqërore. Gjithçka që është shkruar, është e argumentuar në burime arkivore të sakta e të vërtetuara nga një e më shumë burime. Një tipar tjetër i veprimtarisë shkencore të Prof. Sabiles është stili i rrjedhshëm dhe gjuha e pastër, e kuptueshme jo vetëm nga intelektualët, por edhe për lexuesin e thjeshtë. Gjithashtu me vlerë dhe si një risi e shoh nismën e Prof Sabiles për realizimin e botimin e bibliografisë ku ka përmbledhur tërë veprimtarinë shkencore dhe krijuese të botuar, çka krijon mundësi dhe lehtësi studiuesve të ndryshëm për ti konsultuar në interes të punës së tyre. Si përfundim mendoj se veprimtaria shkencore e Prof. Sabile dhe botimet e shumta të saj përbëjnë një kontribut me vlerë në historiografinë shqiptare. Ato do të shërbejnë për brezat e ardhshëm si pikë referimi dhe motivimi në punën kërkimore shkencore. Jam plotësisht e bindur se Prof. Sabile do të vazhdojë të kontribuojë në shkencën e historisë, sepse ajo ka energji të pashtershme, përvoja e saj është e gjerë dhe shumë e pasur çka do ta motivojë të punojë edhe më shumë, të përgatisë e botojë më shumë libra dhe asnjëherë nuk do t'u mungojë konferencave dhe simpoziumeve shkencore që do të organizohen në të ardhmen nga institucionet shkencore. 

Ajo çka e karakterizon veprimtarinë shkencore të Prof Sabiles është gjerësia e saj. Prof. Basha, me punimet dhe botimet e realizuara ka trajtuar një periudhë kohe mbi gjysmëshekullore të historisë së Kosovës që fillojnë nga viti 1945 deri në vitin 2000, dhe e ndalur posaçërisht në vitet 1945-1990


(Kosova Sot)