Kryesojnë 'Game of Thrones' dhe 'Netflix'

  • 15 July 2018 - 09:44
Kryesojnë 'Game of Thrones' dhe 'Netflix'
Në kategorinë e aktores më të mirë në dramë, fituesja e vitit të kaluar, Elisabeth Moss ("The Handmaid's Tale") sivjet është nominuar përsëri.

Ka filluar një epokë e re për çmimet "Emmy". Shërbimi i "streaming"-ut, 'Netflix', kryeson me 112 nominime, gjë që u bë e ditur të enjten, duke ia marrë kështu rrjetit HBO primatin e posedimit të numrit më të madh të nominimeve për shpërblimin më të lakmuar televiziv. Seria e HBO-s "Game of Thrones" udhëheq në krahasim me seritë e tjera, me 22 nominime, pasuar nga "Saturday Night Live" (NBC) dhe "Westworld" (HBO), ku secili prej tyre ka nga 21 nominime dhe "The Handmaid's Tale" (Hulu) me 20. Shpërblimet do të jepen më 17 shtator. Por, ngritja e 'Netflix'-it është paraprirë nga Hollivudi. Ky shërbim i 'streaming'-ut ofron aq shumë seri të reja dhe shpenzon aq shumë për bërjen e tyre, sa që suksesi vjen vetvetiu. Ndjenja e përfundimit të një epoke bëhet edhe më e theksuar me pronësinë e re të "AT&T" ndaj HBOsë. Kjo kompani e telekomunikimit ka bërë me dije se do të ketë ndryshime në këtë rrjet, me qëllim të rritjes së parapagimit. Rritja e "Netflix"-it e lidhur me shpërblimet "Emmy" ka qenë mahnitëse. Tri vjet më parë, ai kishte vetëm 34 nominime, gjë që dmth se, sivjet, ky numër është rritur më shumë se trefish. "Jemi të entuziazmuar sidomos kur shohim gjerësinë e programeve tona që janë nominuar, me 40 tituj të ri dhe me tituj të përsëritur, në kategoritë si dramat, komeditë, filmat, seritë e kufizuara, dokumentarët, animacioni dhe emisionet 'reality'', thotë Ted Sarandos, zyrtari kryesor i "Netflix"-it që merret me përmbajtjen programore. Si edhe rëndom, "Netflix" nuk kurseu për të bërë kampanjë për këtë moment. Në maj dhe qershor ai kishte hapur një hapësirë të madhe në Los Anxheles, me reklama të shumta për kalimtarët, ku shpresonte se do të kishte shumë votues të çmimeve 'Emmy'. Megjithatë, konkurrentët nga "Netflix" nuk pritet se do të fitojnë në kategoritë e dramës dhe komedisë më të mirë. 'HBO', që sivjet mori 108 nominime, ka një traditë 16 vjeçare të marrjes së numrit më të madh të çmimeve "Emmy".

ËSHTË 'GAME OF THRONES' VS. 'THE HANDMAID'S TALE' Njëra nga pyetjet kryesore për votuesit e "Emmy"-s: A do të jetë Westeros ose Gilead? Derisa "Game of Thrones" konkurron me sezonin e tij të shtatë, ai do ta ketë një konkurrent të fortë te "The Handmaid's Tale" nga Hulu. Për shkak të 'tajmingut' të sezonit paraprak të tij, "Game of Thrones" nuk ishte përfshirë vjet në garën për 'Emmy', duke ia hapur derën kështu dramës së bërë nga Hulu, "The Handmaid's Tale", e cila edhe fitoi në kategorinë e dramës më të mirë. Por, sivjet "Game of Thrones" është favorit. Gjatë katër viteve të kaluara, në rastet kur konkurroi, kjo seri kishte marrë numrin më të madh të nominimeve. Por, një pikë e dobët sivjet ka të bëjë me faktin se, sezoni i shtatë i kësaj serie debutoi gati një vit më parë, gjë që është goxha moti, sidomos kur krahasohet psh me serinë "The Handmaid's Tale", e cila doli në prill dhe duket tepër relevant për votuesit e shpërblimeve 'Emmy'.
Image

 

DO TA KEMI NJË AKTORE MË TË MIRË TË RE
Herën e kaluar kur shpërblimi 'Emmy' në kategorinë e aktores më të mirë nuk iu dha dikujt të quajtur Julia Louis-Dreyfus, presidenti Barack Obama ishte në mandatin e tij të parë. Derisa sezoni më i fundit i "Veep" u shty, për shkak se Louis-Dreyfus ishte duke u trajtuar kundër kancerit, do të ketë një fituese të re në kategorinë e aktores më të mirë në një komedi, për herë të parë që nga viti 2011. Gara është tërësisht e hapur. Rachel Brosnahan, e cila vjen me rolin e saj në "The Marvelous Mrs. Maisel" (Amazon) është një favorit i hershëm, por ka edhe konkurrentë të tjerë, si Tracee Ellis Ross nga "Black-ish"; pastaj Allison Janney nga komedia "Mom"; Issa Rae nga "Insecure"; Lily Tomlin nga "Grace and Frankie" dhe Pamela Adlon nga "Better Things." Në kategorinë e aktores më të mirë në dramë, fituesja e vitit të kaluar, Elisabeth Moss ("The Handmaid's Tale") sivjet është nominuar përsëri. Konkurrentet e tjera janë Sandra Oh ("Killing Eve"), Claire Foy ("The Crown") dhe Keri Russell ("The Americans"). Mungesa e "Veep" nënkupton se do të ketë një fitues të ri edhe në kategorinë e komedisë më të mirë, për herë të parë pas katër vjetësh. Favorit do të jetë komedia e Donald Glover-it, "Atlanta".

ME TË VËRTETË
SUPERYJE Krijimi i NBC-së me titull "Jesus Christ Superstar" mund të krijojë një pop-kulturë të re. Ekzistojnë tre njerëz, që kanë lidhje me mjuzikllin 'live' të NBC-së që janë në prag që t'i bashkohen klubit EGOT (atyre që kanë marrë katër shpërblimet kryesore të shoubizit në SHBA: Emmy, Grammy, Oskar dhe Tonyclub). John Legend, i cili luajti rolin e Krishtit në filmin muzikor dhe i cili u nominua në kategorinë e aktorit më të mirë në seri të limituara, apo film, në vitin 2015 kishte marrë çmimin Oskar për këngën më të mirë origjinale për këngën "Glory" nga filmi "Selma", si dhe një shpërblim 'Tony' për shkak se ishte producent i "Jitney". Ai po ashtu ka fituar disa çmime Grammy. Ky film muzikor është nominuar për 'variety'-n më të mirë speciale. Andrew Lloyd Webber dhe bashkëpunëtori i tij i mençur, Tim Rice, ishin në mesin e producentëve të këtij mjuziklli TV, ku që të dyve iu mungon vetëm edhe çmimi Emmy, që të bëhen anëtarë të klubit EGOT. Ka pasur disa fitues EGOT, duke përfshirë edhe emrat, si Audrey Hepburn, Whoopi Goldberg, Mel Brooks dhe Scott Rudin. Robert Lopez, kantautori i famshëm prapa "Frozen" dhe "Book of Mormon", ishte i fundit që iu bashkua klubit, katër vjet më parë. Sivjet, ai u bë i pari me një të ashtuquajtur "EGOT të dyfishtë". Gruaja dhe bashkëpunuesja e tij, Kristen Anderson-Lopez, ka fituar dy shpërblime Oskar dhe dy "Grammy".

(Kosova Sot)