Artistët shqiptarë nga Maqedonia RRALLË ZBARKOJNË NË KOSOVË

  • 17 July 2018 - 08:17
Artistët shqiptarë nga Maqedonia RRALLË ZBARKOJNË NË KOSOVË
Zeneli: Publiku kosovar fare pak është i njoftuar për jetën kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë

Niveli i bashkëpunimeve ndërshqiptare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse bashkëpunimet dhe projektet në mes të institucioneve, qoftë festivale apo edhe evenimente të tjera nuk kanë munguar, publiku kosovar ende nuk e ka ndonjë pasqyrë të saktë rreth zhvillimeve kulturore shqipe që ndodhin në Maqedoni dhe anasjelltas. Me pak përjashtime edhe angazhime, sjellja e ansambleve, regjisorëve apo edhe shfaqjeve teatrale, bëhet shumë rrallë. Për krijuesit dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend bashkëpunimi kulturor në mes të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, fatkeqësisht, është në nivel jo të kënaqshëm, sidomos të nivelit zyrtar.

Të hapur për bashkëpunim Krijuesi Dan Ibrahimi ka thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se shkëmbimet apo bashkëpunimet në mes të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, apo institucioneve këtu e atje janë jo të mjaftueshme."Jam i prirë që këto bashkëpunime ndërshqiptare të ndodhim dhe në fakt po ndodhin, por ajo pjesë zyrtare sikur mungon. Duhet më shumë bashkëpunime zyrtare", ka thënë ai. Ndërsa Sabit Zeneli, aktor dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se zhvillimet kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë nuk ndiqen fare ose fare pak edhe atë në mënyrë individuale. "Nuk e di a ka ndonjë marrëveshje në letër për ndonjë bashkëpunim kulturor por, në realitet një gjë e tillë nuk ekziston. Në fakt sa i përket teatrit ndodh që shfaqjet nga Maqedonia të shfaqen në Kosovë e ato të Kosovës atje rrallë ose hiq, sepse nuk ka fare interesim të publikut atje", ka pohuar ai, duke shtuar se disa vite radhazi në festivalin "Teatri ndryshe" në Podujevë, që sivjet mbahet për të dhjetën herë, ka pasur në vazhdimësi shfaqje nga Tetova, Kumanova dhe Shkupi, por, shton ai, shumë rrallë shfaqje nga Kosova në këto qytete, sepse atje vazhdimisht ankohen për kushte të rënda e që realisht njëjtë janë edhe gjetiu. Kosova, shton ai, gjithsesi është më e hapur për bashkëpunim dhe shumë regjisorë nga Maqedonia kanë punuar shfaqje në Kosovë dhe jo vetëm shqiptarë, por edhe maqedonas. Është mirë, ka thënë Zeneli, që MKRS-ja të fusë në agjendë një bashkëpunim, siç ka thënë ai, njëmujor, ku do të shfaqeshin evenimente të ndryshme, qoftë teatrore, muzikore, letrare, etno, etj. "Dhe, kështu do të shkëmbeheshin përvoja dhe jo vetëm sa për t'u bërë, si ndodh zakonisht, sepse ne kemi një kulturë të njëjtë, por ka veçori në rajone të ndryshme dhe kjo do ta pasuronte edhe më jetën kulturore që këtu është shumë e varfër, sidomos gjatë muajve të verës, e andej mos të flasim, sepse dihet që shqiptarët në Maqedoni e kanë më të vështirë në çdo aspekt zhvillimin kulturor", ka thënë ai.

Duhet më shumë punë në institucione Bujar Meholli, krijues dhe njohës i zhvillimeve kulturore, ka thënë për "Kosova Sot" se bashkëpunimi kulturor në mes të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, fatkeqësisht, është në nivel jo të kënaqshëm. Shqiptarët e atjeshëm, ka pohuar ai, kanë dëshmuar shumë herë se janë të talentuar dhe kanë arritur suksese në sferën e kulturës, por bashkëpunimet me kosovarët kanë qenë shumë të vogla, për t'i numëruar! "Mendoj se për këtë çështje do të duhej të angazhoheshin më shumë institucionet gjegjëse, në mënyrë që të krijojnë projekte, për t'i bashkuar artistët kosovarë dhe shqiptarë nga Maqedonia. Shqiptarët e Maqedonisë kanë aktorë të mrekullueshëm, pastaj këngëtarë e shkrimtarë, por ata rrallë zbarkojnë në Kosovë, në kuadër të ndonjë projekti të përbashkët me kosovarët", ka thënë ai, duke shtuar se ka grupe muzikore fantastike nga atje, që pothuajse s'njihen fare nga kosovarët, sepse ato s' performojnë kurrë në Kosovë. Andaj, sipas Mehollit, për ta ngritur nivelin e bashkëpunimeve, i cili është tejet i ulët, duhet punë më shumë nga ana e institucioneve, e pastaj artistëve mes vete, siç ka thënë më tej ai, duke krijuar projekte të përbashkëta, me qëllim bashkimin e shqiptarëve.  

(Kosova Sot)