Summer Cult nis të hënën

  • 10 August 2018 - 16:14
Summer Cult nis të hënën

Në fillim të javës së ardhshme, në Prishtinë do të organizohet Festivali “Summer Cult”, me pjesëmarrjen e artistëve të rinj. “Summer Cult” është një ngjarje artistike, tashmë tradicionale që organizohet në kryeqytet, në ambjent të hapur.

Drejtoresha artistike e këtij projekti, Profesoresha e regjisë së Teatrit, Elmaze Nura  se artistët që marrin pjesë në “Summer Cult” interpretojnë performanca teatrore, muzikore dhe realizojnë piktura.

“Qëllimi i këtij projekti është që të forcojë lidhjet e artistëve me publikun dhe t’u japë mundësi të rinjve, studentëve, talenteve në fushat e artit, të shprehin aftësitë e tyre perfomuese”, u shpreh regjisorja kosovare.

Gjatë dy ditëve, me 13 dhe 14 gusht në dy sheshet e Prishtinës, te “Zahir Pajaziti” dhe te sheshi “Skënderbeu”, publiku artdashës mund të shohë pjesë fragmente teatrore, të dëgjojë muzikë të mirë si dhe të përcjellë nga afër punën e piktorëve. Arti në hapësirat publike, është i njohur në vende të ndryshme të botës dhe organizata Cult Club, me një përvojë të gjatë në aktivitetet artistike, i ka mbetur besnike konceptit të tillë të Summer Cult.

Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe nga kompania evroTarget L.L.C. Kjo është hera e pestë që organizohet Summer Cult.