"Facebook"-u na sjell botën E LIBRIT NË PREHRIN TONË

  • 11 August 2018 - 09:52
"Kam përshtypjen se në rrjetet sociale më tepër ndeshim antivlera sesa vlera të mirëfillta letrare. Në shumicën syresh, sidomos në "Facebook", krijohet ndjenja sikur publikohen shkrime letrare (poezi, prozë etj.) pa kritere, pa kaluar nëpër duar të redaktorëve e as të korrektorëve", ka thënë për "Kosova Sot", Skënder Hoxha, shkrimtar e studiues 

Rrjetet sociale në internet, si 'Fejsbuku', janë bërë mjaft të kërkuara nga njerëzit e kulturës, sidomos shkrimtarët për të prezantuar apo për të reklamuar punën e tyre. Sidomos viteve të fundit rrjetet sociale janë bërë një burim mjaft i përshtatshme për postime të krijimtarisë letrave, opinioneve të ndryshme, por edhe fushave të tjera të kulturës. Krijuesit dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend shprehin mendim të ndryshme rreth mundësive që japin rrjetet sociale për krijuesit, sidomos në zhvillimet kulturore, duke dhënë edhe mendime se rrjetet sociale kontribuojë edhe në bastardimin dhe vënien në pah të antivlerave

THAÇI: NJË SHKRIMTAR SOT NUK MUND TË AFIRMOHET PA EKZISTIMIN E RRJETEVE SOCIALE Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Ramadan Thaçi theksoi se tashmë edhe zhvillimet kulturore letrare i janë përshtatur rregullave të globalizimit. Sot si kurrë më parë, shton ai, botimet dhe vlerat depërtojnë vetëm për disa minuta në të gjithë botën. Sipas tij, në rrjetin e teknologjisë informatike funksionon një zinxhir i librarive të shitjes së librit drejtpërdrejt. Ai ka thënë se një shkrimtar sot nuk mund të afirmohet pa ekzistimin e rrjeteve sociale. Ndërveprimi me njerëzit e tjerë është një domosdoshmëri. Ai ka thënë se kultura si pasqyrim i kësaj marrëdhënieje mes njerëzve është një nga faktorët që ka një ndikim të madh. "Miku im shkruante poezi, e unë nuk e pashë asnjë libër të tij. Tani ai i vendos poezitë në faqen e tij të 'Facebook'-ut dhe unë nuk i kaloj pa i lexuar dhe marr edhe pak frymëzimin nga to. Rrjetet sociale janë të parat dhe në shpejtësi marramendëse ta çojnë informatën në të gjithë botën dhe te të gjithë përfaqësuesit e letërsisë për botimin e një libri, për autorin dhe temën e saj", ka thënë ai, duke shtuar se rrjetet sociale po mundësojnë edhe njohjen me krijues nga kultura të tjera, si shkrimtarët meksikanë, argjentinas e spanjollë,etj. Prandaj, thotë krijuesi Thaçi, rrjetet sociale na mundësojnë ta kemi botën në prehrin tonë dhe të komunikojmë me secilin që dëshirojmë, duke u njohur në mes nesh, duke marrë ide dhe frymëzimin dhe duke lidhur miqësi e përcjell porosi të mira. Kjo është bota të cilën nuk e kishim menduar asnjë herë më pare si të tillë. 

NË RRJETET SOCIALE MË TEPËR NDESHIM ANTIVLERA SESA VLERA Ndërkaq, Skënder Hoxha, shkrimtar e studiues, nxjerrë edhe anën negative që kanë rrjetet sociale, kur është në pyetje vlera. Hoxha ka thënë për "Kosova Sot", se në rrjetet sociale më tepër ndeshim antivlera sesa vlera të mirëfillta letrare. "Kam përshtypjen se në rrjetet sociale më tepër ndeshim antivlera sesa vlera të mirëfillta letrare. Në shumicën syresh, sidomos në "Facebook", krijohet ndjenja sikur publikohen shkrime letrare (poezi, prozë etj.), pa kritere, pa kaluar nëpër duar të redaktorëve e as të korrektorëve", ka thënë ai, duke shtuar se ka edhe portale në rrjetet sociale që afirmojnë krijuesit letrarë, duke prezantuar edhe vlera të mirëfillta letrare. "Këtu do të veçoja portalin "Zemrashqiptare" dhe kontributin e saj në afirmimin e krijimtarisë letrare dhe vlerave të letërsisë aktuale", ka pohuar ai. 

GJITHÇKA EKZISTON NË XHEP Kurse krijuesi Imer Raçi, duke folur për rrjetet sociale dhe kultura, ka thënë për "Kosova Sot", se jemi në një kohë ku, çdo herë e më shumë artistët, siç ka thënë ai, krijuesit e të gjitha rrjedhave kulturore, publikimet, promovimet si dhe paralajmërimet për te rejat e tyre i paraqesin në "Facebook" e krejt kjo për arsye se po zëvendësohet ajo fizike me atë elektronike. Ai shton se kur ndalemi tek libri nuk e ka ndjesinë e asaj fizike njëjtë ai që është në mënyrë elektronike. Mirëpo, sipas tij, duke marrë parasysh zhvillimin elektronike në nivel global atëherë në Kosovë, ende nuk po zhvillohet në nivelin e duhur biblioteka elektronike gjë që do të na mundësonte lexim online të librit. "Faktikisht sot, gjithçka rreth shkrimeve mund të kesh në një xhep, pra, mjafton një celular i lidhur me internet. E kjo ka ndikuar që në botë të bëhet porositja online e librave. Faktikisht, përsëri po kthena tek libri fizik dhe ai elektronikes sepse këto te dyja janë bërë komplementare", ka thënë Raçi, duke shtuar se interneti mundëson qe artistet e rinj te bëjnë promovimin e tyre me lehtë, më lirë dhe më shpejt. Sipas tij, aty e bën seleksionimin lexuesi, pikërisht aty brenda pak çastesh nëse pëlqehet një shkrim i yti shpërndahet dhe lexohet në një masë të madhe dhe pse në shumë raste nuk respektohet e drejta e autorit qoftë edhe me iniciale të vetë autorit.

(Kosova Sot)