Festivalet, rast për të rrëzuar gënjeshtrat dhe paragjykimet për Kosovën

  • 13 August 2018 - 08:34
Festivalet, rast për të rrëzuar gënjeshtrat dhe paragjykimet për Kosovën
Këto festivale po ndikojnë në afirmimin e vendit tonë në botë 

Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se festivalet e profilit ndërkombëtar që mbahen në vend ndikojnë në përmirësimin e imazhit për kulturën dhe vendin, pasi, siç ka thënë ai, është një arsye për të rrëzuar gënjeshtrat dhe paragjykime për Kosovën dhe njerëzit e saj që janë apo përhapen në vendet e ndryshme

Festivalet e profileve të ndryshme me karakter ndërkombëtar dhe garues që po organizohen në vend, sikurse 'Dokufest', 'Prifesti', 'Anibar', e të tjera po përçojnë një imazh mjaft të mirë për kulturën kosovare. Përveçse po ndihmojnë në vënien e urave lidhës në mes të kulturës kosovare dhe asaj evropiane, këto festivale po ndikojnë në afirmimin e vendit tonë në botë. Një konstatim të tillë e mbështesin edhe studiuesit, kritikët dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, nëse zhvillimet ekonomike politike do të ishin më të mira, edhe kultura jonë do të ishte më e njohur në botë dhe me një prezencë më të madhe në skenat botërore.

Festivalet ndikojnë në përmirësimin e imazhit të vendit Regjisori Mahir Musliu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se festivalet e profilit ndërkombëtar që mbahen në vend ndikojnë në përmirësimin e imazhit për kulturën dhe vendin, pasi, siç ka thënë ai, është një arsye për të rrëzuar gënjeshtrat dhe paragjykime për Kosovën dhe njerëzit e saj që janë apo përhapen në vendet e ndryshme. Sipas tij, festivalet ndikojnë në përmirësimin e imazhit të vendit dhe secili nga ndjekësit e këtyre festivaleve ose pjesëmarrësve do të krijojnë rrëfimin e vet duke i parë e duke i prekur gjërat nga afër. "Kjo bën që propagandat e dezinformatat e shpikura te gjitha bien poshtë duke i lënë vend tolerancës, mirësjelljes, traditës e kulturës. Me një fjalë, dezinformatat e lansuara nëpër botë nga disa qarqe sllave se në Kosovë dominon dhuna dhe mosdurimi fetar e racor i demanton më se miri vizita e tyre ne vendin tonë. E kjo për një shoqëri të sapobërë shtet ka një rëndësi të madhe", ka thënë ai, duke shtuar se festivalet e karakterit ndërkombëtar kanë bazamentin e ambasadave dhe përfaqësive diplomatike, sepse, siç ka thënë ai, luajnë rol të madh në njohje e shkëmbime kulturore, te cilat mandej mund të rezultojnë me partneritet në punë dhe projekte.

Festivalet duhet seleksionuar Edhe krijuesi dhe publicisti Avni Rudaku ka thënë për "Kosova Sot", se festivalet janë një mundësi e mirë për afirmimin e kulturës kosovare. "Absolutisht, festivalet ndikojnë, por nuk e kanë fuqinë për t'i tejkaluar zhvillimet e krijuara politike dhe ekonomike, të cilat varen nga elitat politike. Duke qenë se kemi elita të papërgjegjshme politike, festivalet i kanë kufizimet e tyre promovuese, nga ngjarjet e tjera të pakëndshme, që i prodhon politika", ka thënë ai, duke shtuar se festivalet ofrojnë dhe krijojnë kontakte, u ndihmojnë artistëve bashkëpunime dhe të ndjekin zhvillimet globale kinematografike dhe artistike. Sipas tij, këto festivale po bëjnë promovime edhe mediatike, ngase mediet e huaja, thotë ai, janë kureshtare për ngjarje të tilla, duke ngjizur marketingun global e lobues për Kosovën, edhe direkt, edhe indirekt. "Natyrisht, fuqia e tyre është edhe e kufizuar dhe me pengesa promovuese, prandaj nuk duhet edhe t'i hiperbolizojmë dhe mitizojmë", është shprehur Rudaku. Edhe shkrimtari Dan Ibrahimi ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se festivalet ndërkombëtare ndihmojnë në afirmimin popullit dhe kulturës sonë. Por, ka shtuar se ato festivale duhet seleksionuar dhe më të mirat duhet financuar seriozisht. "Po, këto festivale ndikojnë në afirmimin e kulturës sonë në radhë të parë, por mendoj që ato duhet seleksionuar dhe financuar ato me seriozet. Ndoshta financimi do të duhej të bëhej më i begatë që edhe kërkesat dhe përgjegjësitë të jenë po ashtu më të larta", ka thënë Ibrahimi, në një prononcim për "Kosova Sot".