Rritet numri i vizitorëve të muzeve, shteti të bëjë më shumë

  • 15 August 2018 - 08:39
Rritet numri i vizitorëve të muzeve, shteti të bëjë më shumë
Lajçi: Muzetë tanë nuk janë të pasur sa duhet me objekte muzeale për të tërhequr interesimin e vizitorëve 

"Muzeu i Kosovës, pas renovimit të pjesshëm, me organizimin e disa ekspozitave tematike, si dhe të atyre për festimin e përvjetorëve, së bashku me ekspozimin e artefakteve të ndryshme në hapësirat e përhershme të muzeut, në kohën e fundit ka treguar seriozitet, të cilin duhet vlerësuar", ka thënë eksperti i trashëgimisë, Ylber Vokshi, për gazetën "Kosova Sot" 

S 'do mend se Muzeu i Kosovës është një nga objektet më të vizituara në kryeqytet, pasi është një nga institucionet më të rëndësishme të trashëgimisë në vend. Edhe pse ende nuk ka statistika të sakta lidhur me vizitat, jo vetëm në këtë objekt, numri i turistëve që frekuentojnë Muzeun e Kosovës po vjen gjithnjë duke u rritur. Rinovimi i bërë kohë më parë ka krijuar kushte për ekspozita dhe që nga muajt e parë të këtij viti të tri katet e Muzeut janë në dispozicion të publikut. Përveç ekspozitave të ndryshme që hapen aty, turistët kanë mundësi të njihen edhe me një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike dhe historike të Kosovës. Me artefakte që datojnë mijëra vjet, përmes të cilave edhe krijohet një rrëfim mbi Kosovën dhe njerëzit e saj, që nga parahistoria e deri më sot. 

Artefaktet ndiqen me kuriozitet të lartë nga vizitorët Zyrtarë të Muzeut të Kosovës kanë konfirmuar interesimin dhe fluksin e shtuar të turistëve vendas dhe të huaj për të parë pasurinë që ruan Muzeu i Kosovës. Ndërsa ekspertë dhe njohës të fushës së trashëgimisë kanë potencuar se institucionet duhet të bëjë më shumë për fushën muzeore në vend. Bislim Bislimi, u. d. drejtor i Muzeut të Kosovës, ka thënë për "Kosova Sot" se interesimi i vizitorëve për të vizituar Muzeun e Kosovës kohët e fundit është në trend të rritjes."Kjo sigurisht për shkak të aktiviteteve të shumta që Muzeu i ka realizuar në këtë periudhë. E gjejmë të rrugës të përmendim ekspozitën bazë të Muzeut, e cila nga hapja e saj në shkurtin e këtij viti ka ngjallur interesim të madh të vizitorëve", ka thënë Bislimi, duke shtuar se vizitorët vijnë nga vende dhe kategori të ndryshme, siç ka potencuar ai, nga vendi dhe nga jashtë vendit, kryesisht nga Perëndimi. Ndërsa ka shtuar se ka një numër të konsiderueshëm të objekteve apo artefakteve që ndiqen me kuriozitet të lartë nga vizitorët."Por mund të veçojmë Hyjneshën në Fron, si dhe objektet e gjinisë së tillë, të cilat shihen si simbole emblematike të vendit", ka potencuar Bislimi. 

Duhet begatuar hapësira e muzeve Ndërsa Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, duke folur për muzetë, kushtet dhe mundësitë e tyre për të pritur turistët, sidomos nga Muzeu i Kosovës, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se në tërësi të gjitha muzetë, të cilat janë aktive në Kosovë, janë të pajisura me artefakte, që mund të jenë atraktive për vizitorët vendorë dhe të huaj. "Muzeu i Kosovës, pas rinovimit të pjesshëm, me organizimin e disa ekspozitave tematike, si dhe të atyre për festimin e përvjetorëve së bashku me ekspozimin e artefakteve të ndryshme në hapësirat e përhershme të muzeut, në kohën e fundit ka treguar seriozitet, të cilin duhet vlerësuar", ka thënë ai, duke shtuar se me zbulimet e reja arkeologjike duhet begatuar hapësirat e këtyre muzeve që të jenë sa ma atraktive për vizitorët, posaçërisht të huaj, pasi kemi çka t'i ofrojmë botës. Ndërsa etnologu Bashkim Lajçi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka pohuar në një prononcim për "Kosova Sot" se në kuadrin e problemeve të ndryshme, me të cilat po përballen muzetë tonë në përgjithësi, edhe Muzeu i Kosovës në veçanti, s'do mend se edhe sigurimi i objekteve muzeale është problem më vete! Andaj, sipas tij, nisur nga gjendja e tanishme, lirisht mund të themi se muzetë tanë nuk janë të pasur sa duhet me objekte muzeale për të tërhequr interesimin e vizitorëve. Kjo, ka thënë ai, më tepër bie në sy me rastin e përgatitjeve të ekspozitave tematike, me ç'rast, ka shtuar ai, kërkohen artefakte të larmishme, qoftë në aspektin përmbajtjesor, ashtu edhe në atë sasior!"Mendoj se institucionet tona përkatëse do të duhej të kontribuonin më shumë në këtë drejtim, aq më tepër kur dihet kontributi i muzeve në mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë sonë kulturore", ka pohuar Lajçi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)