Asnjë dokumentar për përdhunimet e grave shqiptare nga barbarët serbë

  • 16 August 2018 - 08:48
Asnjë dokumentar për përdhunimet e grave shqiptare nga barbarët serbë
Ibrahimi: Kanë dështuar edhe institucionet që duhet të financojnë kinematografinë

"Ne s'kemi ditur dhe dashur akoma ta paraqesim këtë tematikë në film. Serbia dhe Rusia e kanë fituar betejën propagandistike për 'viktimat serbe' prej 'agresionit shqiptar', e shqiptarët me filma ende nuk kanë arritur të tregojnë pasojat e luftës dhe të qenët viktimë e agresionit serb", është shprehur studiuesi Avni Rudaku për gazetën "Kosova Sot"

Kinematografia kosovare ka dështuar të bëjë një film dokumentar mbi dhunën që pësuar femrat shqiptare gjatë luftës së Kosovës nga shteti serb dhe formacionet e tij ushtarake të të gjitha profileve. Nevojitet një film dokumentar i nivelit të lartë, i cili do të mund të transmetohet për publikun e huaj për të treguar terrorin serb, e jo që kjo tragjedi të mbetet vetëm për spektrin politik evropian. Një gjë e tillë është pohuar edhe nga kineastë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, ne s'kemi ditur  dhe dashur akoma ta paraqesim këtë tematikë në film. Përderisa në anën tjetër Serbia dhe Rusia e kanë fituar betejën propagandistike për 'viktimat serbe' prej 'agresionit shqiptar'. 

Rrëfimet e viktimave të abuzimeve seksuale Studiuesi Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve socio- kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se temat nga lufta janë bërë dhe aty këtu në filmat e metrazhit të shkurtër është prekur edhe dhunimi, por film serioz, të fuqishëm, të mendueshëm, kreativ dhe me koncept të pranueshëm regjisorial global, ende s'kemi."Ne s'kemi ditur dhe dashur akoma ta paraqesim këtë tematikë në film. Serbia dhe Rusia e kanë fituar betejën propagandistike për 'viktimat serbe' prej 'agresionit shqiptar', e shqiptarët me filma ende nuk kanë arritur të tregojnë pasojat e luftës dhe të qenët viktimë e agresionit serb. Natyrisht se pasoja ka pasur për të gjitha etnitë, por jo në të njëjtën përmasë, qoftë në numër, në masakra, në tortura, në dhunime dhe abuzime fizike e seksuale etj.", ka thënë Rudaku, duke shtuar se së pari kemi dështuar si shoqëri për t'i marrë përvojat dhe rrëfimet e viktimave të abuzimeve seksuale, së dyti kemi dështuar si shkrimtarë, dramaturgë e skenaristë për ta trajtuar interesant këtë temë etj. Natyrisht, shton ai, se fajet i ka edhe QKK, e cila nuk ua ka imponuar me ca kritere për subvencione, përfituesve. "P. sh., mundet QKK të shpallë një konkurs për subvencionim projektesh filmike dhe për këtë vit me thënë kanë përparësi kodet tematike nga dhunimet gjatë luftës. Sikur në projektet e galerisë, që ta imponojnë një koncept, temë, apo edhe në OJQ e agjenci të huaja qeveritare, duke u imponuar disa tema, atyre që duan të marrin mjete financiare", ka pohuar Rudaku për "Kosova Sot".  

Paratë jepen për shokë dhe projekte aspak serioze Ndërkaq, krijuesi Bujar Meholli shton për "Kosova Sot" se kinematografia jonë s'ka arritur të bëjë një film të tillë, për shumë arsye, mes së cilave mospërkrahja nga institucionet, mungesa e mbështetjes financiare që duhet të jetë stabile për t'u krijuar një film dokumentar. "Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe meriton të trajtohet me profesionalizëm. Unë mendoj se në të ardhmen duhet të krijohet një film dokumentar i tillë, i nivelit të lartë, me një angazhim të madh, dhe pastaj të paraqitet në skenën ndërkombëtare në mënyrë që të tregohet terrori serb para botës dhe kjo tragjedi të mbetet në heshtje", ka potencuar ai. Shkrimtari Dan Ibrahimi ka potencuar për "Kosova Sot" se në këtë drejtim kanë dështuar edhe institucionet që duhet të financojnë kinematografinë. Sipas tij, ato mjete të taksapaguesve që jepen për fushën e filmit, jepen, siç shton ai, për dosta dhe për projekte aspak dinjitoze, duke anashkaluar projektet madhore. 

(Kosova Sot)