Deklaratat boshe të ministrit nuk i kthejnë artefaktet e vjedhura nga Serbia

  • 18 August 2018 - 08:27
Deklaratat boshe të ministrit nuk i kthejnë artefaktet e vjedhura nga Serbia
Institucionet shtetërore në vend janë duke heshtur për vite me radhë për fatin e mbi 1200 artefakteve të Muzeut të Kosovës, të cilat mbahen në Serbi. Institucionet, konkretisht MKRS-ja nuk ka treguar ndonjë herë nëse përfaqësuesit shtetërorë e kanë përfshirë fatin e pasurisë arkeologjike dhe etnologjike të MK-së në bisedime që kanë zhvilluar dhe po zhvillojnë me Serbinë. Gazeta nuk ka mundur të marrë as gjatë ditës së djeshme një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së apo të Muzeut të Kosovës lidhur me këtë çështje dhe fatin e artefakteve kosovare. Ndërsa për ekspert dhe njohës të fushës së trashëgimisë kulturore heshtja e institucioneve përballë nevojës për kthimin e artefakteve, përveçse është një tregues i neglizhencës institucionale, ngreh edhe shumë pikëpyetje. 

ME PLANIN E AHTISAARIT THEKSOHEJ QARTË SE ARTEFAKTET DUHET TË KTHEHEN BRENDA 120 DITËVE Ylber Vokshi, ekspert në fushën e trashëgimisë, ka potencuar në një prononcim për "Kosova Sot", se askush nga institucionet shtetërore nuk është duke u brengosur për kthimin e artefakteve të Muzeut të Kosovës që mbahen në Serbi që 20 vjet. Pasi, siç ka thënë ai, as që e vlerësojnë rëndësinë e tyre. "Ndoshta dikush nga tanët mendon se kjo çështje nuk është e rëndësishme, por këta zotërinj duhet kuptuar se mu këtu qëndron thelbi i ekzistencës tonë në këto territore që dokumentohet shumë lehtë me këto artefakte, e që serbët shumë mirë e dinë. Ato eksponate arkeologjike dhe etnologjike janë marrë në vitin 1998 nga Muzeu i Kosovës,janë tregues të trashëgimisë kulturore që nga koha e neolitit e më vonë,pa marrë parasysh periodat e ndryshme historike. Së fundi, edhe me Planin e Ahtisaarit ceket qartë se ato duhet të kthehen brenda 120 ditëve, një gjë e tillë kurrë nuk është bërë me fajin ekskluziv tonin. Ne as sot pas këtyre viteve nuk po punojmë seriozisht për t'i kthyer këto 1247 artefaktet, të cilat si rezultat i neglizhencës tonë Serbia ende është duke i mbajtur në Beograd", ka pohuar Vokshi. Një qasje e tillë inerte, sipas tij, vetëm tregon një të vërtetë se sa ne jemi të interesuar për këto çështje madhore identitare. Ai ka thënë se ka pasur dhe ka mekanizma juridikë ndërkombëtarë për t'i aktivizuar kthimin e tyre, por ato, kurrë nuk janë bërë nga ana e shtetit tonë. "Nuk na falet, nuk ka arsyetime, t'u lejojmë atyre që të manipulojnë me trashëgiminë e luajtshme tonën, ashtu si janë duke vepruar që 20 vite, pasi ne po iu lejojmë-mundësojmë me sjelljet tona të papërgjegjshme", ka pohuar Vokshi për "Kosova Sot". 

SGJË DERI TASH SERBIA S'KA KTHYER Ndërsa shkrimtari Zeqir Fazliu, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, duke folur për këtë tema ka thënë për "Kosova Sot", se asgjë deri tash Serbia s'ka kthyer. Serbia shton Fazliu, o nuk i kthen lehtë, prandaj institucionet tona të kërkojnë vazhdimisht dhe me këmbëngulja e nëse ka nevojë të intervenojnë tek Bashkësia Evropiane. "Dokumentet e kadastrit që pati grabitur i ka kthyer vetëm kopjet, origjinalet po i mban në Serbi. Nëse organet tona nuk insistojnë vazhdimisht që të kthehen ato,Serbia as që qan kokën. Ato që janë tonat duhet të kthehen, por kur?", ka pohuar ai. Kurse etnologu Bashkim Lajçi ka pohuar për "Kosova Sot", se tash 20 vjet mbahen në Beograd pa kurrfarë arsye 1 247 artefaktet, të cilat janë marrë në emër të organizimit të një ekspozite në Beograd në vitin 1998! "Lind pyetja çfarë kanë bërë institucionet tona për kthimin e këtyre artefakteve? Pothuaj asgjë! E vetmja gjë që është bërë deri tani, nga ana e institucioneve tona për artefaktet, është prezantimi i disa posterëve dhe ndonjë deklaratë boshe nga ish-ministrat e Kulturës dhe këta të dialogut, duke mos marrë asnjë hap tjetër konkret, për ta vënë këtë pikë edhe në agjendën e bisedimeve", ka pohuar ai, duke shtuar se po të kishin qenë institucionet tona më të organizuara dhe më të përkushtuara në këtë drejtim, me siguri se këto artefakte tani do të gjendeshin në Kosovë, përkatësisht në Muzeun e Kosovës.

(Kosova Sot)