KONCERTET NË QIELLIN E HAPUR TË KOSOVËS

  • 19 August 2018 - 09:35
KONCERTET NË QIELLIN E HAPUR TË KOSOVËS

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Shumica prej nesh e kuptojnë ç'do të thotë kur dikush ju fton: "Ejani shkojmë në koncertin e sotëm"! Koncerti zakonisht mendohet për pop këngëtarë, këngëtarë popullorë, reperë, rokerë, meqë kanë dominuar koncertet e këtyre zhanreve, ndërsa sot, dikujt i shkon në mendje se mund të jetë koncert, edhe i muzikës klasike, simfonik etj. Me fjalë të tjera, koncerti është manifestimi i një, dy apo më tepër këngëtarëve, instrumentistëve apo zakonisht dyve së bashku, për të prodhuar si rezultat final: një, dy apo më tepër vepra të njëjta apo të ndryshme muzikore, qoftë me vokal, instrumental apo vallëzim. Por koncerti vetëm në përkufizim e ka anën esenciale të shfaqjes së veprës muzikore, por në hynë edhe shumë elementë të tjerë socialë, kulturorë, urbanë etj. (krijimi i përkatësisë sociale, kohezioni urban, relaksim, argëtimi, kultivimi i shijes etj.) Koncertet po ashtu kanë ndryshuar shumë pas zhvillimit të teknologjisë, e veçanërisht kur dolëm nga bota e kasetave apo 'trakave' të radios, disqeve, CDve, në Juesbi a Fllesha, e sidomos edhe me popullaritetin e skajshëm dhe përdorimin rutinor masiv të 'jutubepikëkom'. Sipas një raporti të kumtuar edhe në mediet tona, kanali 'youtube.com', ka tejkaluar për numër të përdoruesve, edhe median famëlart si 'Fejsbuku' kaltër-bardhë. Me fjalë të tjera, po kalojmë sikur e thoshte një profesor kosovar i filozofisë, duke cituar teoriticientë të ndryshëm rreth raportit të teknologjisë, shoqërisë dhe mediumeve, se "po kalojmë nga grafosfera në videosferë". Pra, kur shumica e përdoruesve po përdorin aq shumë internetin, për të parë videoklipet muzikore, sa herë dhe ku të duan, fuqia e koncerteve në qiell të hapur dhe hapësira të gjera publike - sheshe, shatërvane, bulevarde, qendra të qytetit etj. - po bie dukshëm. Por, nuk ka rol këtu vetëm teknologjia, sepse ka edhe koncerte madhështore, me audienca masive që nuk lënë hapësirë të lirë as për frymëmarrje, që këndojnë bashkë me këngëtarin, plot zjarrmi, relaksim e trans. Ka edhe zhanre që po e humbin krejtësisht peshën dhe masivitetin në sheshet publike të Kosovës, sikur është muzika rok. Këtë e pashë edhe në qytetin tim, kur në kuadër të "Festa e Miqësisë" dhe promovimit të birrës "Elbar", kishin ardhur në Gjilan edhe rokerët elitarë të Shqipërisë, Elton Deda dhe Aleksandër Gjoka, ndërsa Redon Makashi për shkaqe shëndetësore, e kishte anuluar pjesëmarrjen e konfirmuar më parë. Ajo që më binte në sy ishte se, koncerti ishte falas dhe mungonte masivisht publiku. Birrat ishin shumë lirë, por edhe lëngjet e tjera më pak se një euro. Ishte ambient në qiell të hapur, në qendër të qytetit, ku edhe ishin mbyllur disa rrugë për kalim të veturave, me qëllim të krijimit të hapësirës së përshtatshme publike për publikun e gjerë të koncertit. Kishte shtëpiza të vogla, të pajisura edhe me banakë dhe shërbim të pijeve. Kishte edhe disa ulëse dhe tavolina të gjata, ku mund të uleshin vetmitarë, çifte, familjarë e kështu me radhë. Moti ishte ideal dhe ishte freski ngado. Por publiku ishte në numër fare të vogël në krahasim me një koncert, ku në skenë ngjiteshin edhe emra të dëshmuar të muzikës rok shqip, si Gjoka e Deda. Një tjetër gjë që më binte në sy ishte edhe duartrokitja e munguar. Më vinte shpesh keq që Deda e Gjoka, detyroheshin ta nxisnin publikun e vogël në numër, që të paktën të duartrokisnin e t'i motivonin për këndim të mëtutjeshëm, sepse duartrokitjet për këngëtarët, reagimi i publikut etj., janë 'karburanti i nevojshëm' për motivim në këndim. Nuk është këndimi sikur disa mjeshtri, të cilat bëhen dosido, por nuk e patët edhe komunikimin dhe reagimin e publikut. E habitshme që publiku as duartrokitje nuk i jepte, por 'me zor', pasi që jepte ndonjë të dobët, kur ia sillte në mendje këngëtari nga skena. Nuk ka më keq se një lider politik, një këngëtar etj., ta kërkon duartrokitjen nga publiku, nëse vetë nuk vjen nga publiku. Por ç'të bëhet kur 'zëri nuk shkon' në këngë, nëse nuk ka publik më të angazhuar, më aktiv, më duartrokitës?! Kjo ra dhe fillova të reflektoja pse koncertet nuk janë aq masive dhe aq të zjarrta në qiejt e hapur të Kosovës? Pse jemi aq të ngurtë në raport me këngëtarët, qofshim edhe në numër të vogël?

KONCERTET DHE RRETHANAT HISTORIKEKULTURORE NË KOSOVË

Në vitet e '70-ta dhe '80-ta, shqiptarët vraponin bashkë me pjesëtarët e komuniteteve të tjera në koncertet e organizuara në sallat e mbyllura, të cilat shfrytëzoheshin edhe për sporte. Për një projekt timin me ca shokë, kam pyetur dhe intervistuar shumë të moshuar, të cilët ndiqnin koncertet në këto vitet e Jugosllavisë (1970-1989). Këta të moshuar ishin të zonave urbane, të cilët që në vitet e '70-ta shkonin në Shkup për të blerë disqet e rok grupeve të njohura evropiane e më gjerë; gjashtëdhjetëvjeçarë që dikur kishin shkuar të dëgjonin Lepa Brenën, Miroslav Iliqin, Zdravko Çoliqin etj. në Palestrën e Sporteve, por edhe rok grupe shqiptare si "Ilirët", "Teleksin", "Trix"-in etj. Lepa Brena e të tjerë, po mbushnin sallat edhe në Prishtinë. Madje, në vitin 1987, një xhirim origjinal i Lepa Brenës, është e publikuar edhe në 'youtube.com' dhe salla është e mbushur. Por këta që po dëgjonin Lepa Brenën nga zonat urbane, tregonin se nuk shkonin të dëgjonin Shkurte Fejzën dhe Shyhrete Behlulin, jo pse nuk ishin patriotë, por se nuk e pëlqenin zhanrin popullor të muzikës. Pra, ishte në pyetje zhanri i koncertit, e jo karakteri nacionalist (shqiptar) apo internacionalist (jugosllav) i këngëve. Kam intervistuar edhe të tjerë që kishin përjetuar koncertet nga këngëtarë e valltarë nga Shqipëria, të cilët kishin ardhur në Gjilan para 40 vjetësh, duke u mbushur me lot e gëzim, që po takonin grupe muzikore nga Shqipëria. Me fjalë të tjera, këto koncerte nuk ishin në qiell të hapur, por në salla koncertesh, por të mbushura plot, madje edhe në dy termine brenda ditës, apo dy ditë rresht. Ama koncertet në qiell të hapur nuk ishin aq të përhapura në Kosovë. Pas vitit 1989, bie dukshëm numri i atyre që ndiqnin yjet e Jugosllavisë dhe fitonte gjithnjë e më shumë 'zhanri folklorist a popullor shqiptar', pas segregacionit dhe shtypjes. Në vitet e rritjes së liberalizmit politik, juridik, kushtetues dhe kulturor në vitet 1970-1989 në Jugosllavi, shumë këngëtarë elitarë shqiptarë, edhe këndonin bashkë me këngëtarët serbë, edhe audienca ishte e përzier, shqiptaro-serbe, edhe këngëtarët serbë, shqiptarë, boshnjakë e romë bashkëpunonin së bashku, duke kënduar në gjuhët e njëri-tjetrit (serbët më pak këndonin edhe shqip, por nuk është se nuk kishte raste!). Por në vitet 1990-1999, në kohën e jetës paralele kosovare, dëgjohej shqip në fshehtësi, në organizime të fshehta, në salla e qendra kulturore etj., sepse hapësira publike ishte 'okupuar' nga policia, ushtria dhe serbët civilë, duke u shkëputur dhe duke kaluar shqiptarët në zonat më periferike të qyteteve. Edhe kjo periudhë mbetet e dobët për koncerte në qiej të hapur. Në periudhën 2000-2005, mbaj në mend se kishte shumë entuziazëm, hapësirat publike dhe qendrat e qyteteve tona ishin tashmë të populluara nga shqiptarët, u bënë shumë koncerte me apo pa bileta. Njerëzit ishin shumë entuziastë në fazën postçlirimtare për koncerte në qiej të hapur. Por nuk zgjati shumë kjo eufori. Koncertet filluan të binin shumë. Në Kosovë erdhi edhe teknologjia, mediet sociale dhe 'youtube.com'. Radiostacionet po ashtu e humbën fuqinë e 'dëshirave dhe pikave muzikore', sa e kishin menjëherë në vitet e para të periudhës së pasluftës. Shumë koncerte në qytetin tim, i kam parë të dështuara, qoftë për netët e Vitit të Ri, për festa shtetërore, festa kombëtare e fetare etj. Me fjalë të tjera, fuqia e koncerteve ra shumë. Pak njerëz, pak pasion të audiencës karshi këngëtarëve etj.

KONCERTET NË 'YOUTUBE.COM' DHE ZBEHJA E ADHURIMIT TË KËNGËTARËVE

Faktor shumë ndikues i rënies së koncerteve në qiej të hapur, në numër e entuziazëm edhe të atyre që ishin pjesëmarrës, ishte teknologjia. Fansat e këngëtarëve duke qenë të lidhur në mediet sociale me njëri-tjetrin, duke e pasur afër njëri-tjetrin, kanë shembur misteriozitetin dhe janë përafruar në njohje. Kjo ka bërë të bie hyjnizimi i këngëtarëve, idolatria dhe 'shkulja e flokëve', pasi që janë për çdo ditë duke e ndjekur njëri-tjetrin në "Instagram", "Snapchat", "Twitter", "Facebook" dhe "Youtube". Po bien distancat e mëdha që kishin dikur këngëtarët, shkrimtarët, politikanët etj., me adhuruesit e tyre. Prandaj, nuk kanë më aq kureshtje për të shkuar në koncert, sepse dikur koncerti ishte mënyra më e mirë e afërsisë, për ta parë, njohur e për t'u fotografuar me njëri-tjetrin. Jo rastësisht, reperi Unikatil, mbledh aq shumë adhurues të rinj, pasi i qëndron larg medieve, është më misterioz, nuk ka publikime dhe të dhëna për jetën e tij private, sikur bëjnë sot aq shumë këngëtarë, duke treguar gjithçka për veten e tyre, duke u paraqitur shpesh në medie etj.

KONSERVATORIZMI DHE KONCERTET

Konservatorizmi moral, fetar e patriarkal, ka efektet në shkallën e pjesëmarrësve dhe interesimin për koncerte në qiej të hapur. Duke qenë shoqëria kosovare akoma konservatore, ndonëse radikalisht më liberale se para 20 vjetësh, njerëzit janë më të përmbajtur në koncerte, nuk dehen sikur në shumë koncerte në Perëndim e gjetiu. Sot pinë shumë më shumë, apo edhe pinë shumë më shumë vajza sesa dikur, por akoma nuk është numri i tyre sikur në Perëndim. Kjo i bën të jenë më të ngurtë, më të druajtur, më pak të shfrenuar në kuptimin e lëvizjeve dhe përcjelljes së këngëtarëve. Kjo s'do të thotë se parakusht kryesor është alkooli, por nuk mohohet se ka efektet e mëdha në sjelljen e publikut në koncert.

EKONOMIA E NJË VENDI DHE KONCERTET

Ekonomia është përcaktuesi më vendimtar. Sa më shumë kemi zhvillim ekonomik, punësim më të gjerë të vajzave e grave kosovare, rritjes të pagës mujore, koncertet bëhen më të gjalla. Njerëzit e përjetojnë më me qejf një këngë, sesa kur janë të mbingarkuar për çdo ditë për idare e mbijetesë. Nuk ia dinë lezetin asnjë koncertit në qiej të hapur. Po ashtu, në koncertet si në Prishtinë, sa shumë i kushton financiarisht, një vajzës nga Suhareka, Deçani, Malisheva etj., për të ardhur në 'Sunny Hill Festival', qoftë për biletë të shtrenjtë, për naftën e veturës, pijet e ushqimin gjatë e pas koncertit etj. Shtoja këtu edhe mungesën e lirisë së lëvizjes së gjerë të vajzave nga një cep i Kosovës në tjetrin, pa shoqërues meshkuj (sërish hyn konservatorizmi, patriarkalizmi etj.).

FUND

Pra, koncertet në qiej të hapur me numër më të madh të pjesëmarrësve dhe shkallën e lartë të pasionit të publikut ndaj këngëtarëve në skenë varen nga: zhvillimi ekonomik i një vendi, rrethanat historike-kulturore, zhanri i muzikës, teknologjia, transporti publik interurban dhe urban, shkalla e konservatorizmit moral, religjioz e patriarkal, liria e lëvizjes së vajzave në distanca më të mëdha, organizimi dhe marketingu i dobët i organizatorëve, provincializmi, humbja e respektit të qytetarëve ndaj udhëheqësve komunalë - dhe mendimi se është organizuar nga komuna, koncerti automatikisht shihet shkel-e-shko, qoftë edhe falas, pa bileta…

 

(Kosova Sot)