ANGAZHIM ME MISH E ME SHPIRT PËR HAPJEN E SA MË SHUMË SHKOLLAVE SHQIPE

  • 19 August 2018 - 17:01
ANGAZHIM ME MISH E ME SHPIRT PËR HAPJEN E SA MË SHUMË SHKOLLAVE SHQIPE

Shkruan:Gani Qarri

Tahir Zajmi mori pjesë si në aksionet luftarake që zhvillonte Plaku i Maleve kundër forcave të Esad pashës në Shqipërinë e mesme, ashtu edhe në luftimet e rrepta që udhëhoqi Bajram Curri kundër ushtrisë jugosllave në Koplik, e cila pas grumbullimit të përkohshëm matanë lumit Buna, nga fundi i muajit korrik të vitit 1920, papritur vërshoi brenda kufijve të Shqipërisë, pushtoi Kastratin dhe u nis në drejtim të Shkodrës. Ishte koha kur Kosova ende kishte trima të tillë, të cilët as në moshë të shtyrë si Bacë Bajrami nuk e lëshonin pushkën nga dora dhe gjithnjë ishin të gatshëm të vdisnin për atdhe, ndaj në mënyrë që këmba e ushtrisë pushtuese serbe, të mos arrinte të shkelte në Shkodër, i dolën përpara dhe i zunë pritën në Koplik forcat e Bajram Currit, të cilit iu bashkuan edhe ato të Zogut, duke thyer keq trupat pushtuese serbo-malazeze dhe përzënë me turp jashtë kufijve të shtetit shqiptar, hordhitë agresore jugosllave. Bashkë me Bajram Currin dhe Elez Isufin e Dibrës, Tahir Zajmi do të luftonte edhe për çlirimin e verilindjes së Shqipërisë, duke filluar nga malësitë e Kelmendit, Malësinë e Gjakovës, krahinën e Hasit, Kukësit dhe të Dibrës, të cilat megjithëse ishin toka shqiptare dhe ndodheshin brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ato edhe pas vitit 1920, ende mbaheshin të pushtuara me dhunë nga okupatorët serbo-sllav. Me insistimin e Bajram Currit dhe Tahir Zajmit më 1920,nga Qeveria e Lushnjes Kruma e Hasit, do të shpallej qendër e prefekturës së Kosovës dhe Tahir Zajmi perfekt i saj, i cili para gati një shekulli për shkollimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptar të Shqipërisë, Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare,përveç dhjetra shkollave fillore në Has, Lumë e rajon, ai hapi edhe "Internatin e Krumës", nga dyert e të cilit dolën shumë emra të njohur, në mesin e të cilëve edhe Emin Duraku e dr. Esat Stavileci nga Gjakova.

PËRNDIQEJ NGA CANA BEG KRYEZIU

Tahir Zajmin, si njëri nga kuadrot më të shkolluara të kohës dhe personalitet i dalluar për dije e zgjuarsi, pas formimit të Qeverisë së Fan Nolit, Luigj Gurakuqi do ta angazhonte në ministrinë e financave shtetërore të Shqipërisë. Ndërsa pas rrëzimit të Qeverisë së Nolit,si sekretar dhe bashkëluftëtar i Bajram Currit, ai ndiqej të arrestohej në te dy anët e kufirit, në Shqipërinë e Ahmet Zogut nga Cana beg Kryeziu si dhe në Kosovën e pushtuar nga Serbia dhe mbretëria serbo-kroato-sllovene, siç quhej shteti i sllavëve të jugut asokohe. Por edhe pas rënies së Nolit, ai nuk iu nda Bajram Currit asnjëherë, duke hapëruar bashkë me të kudo, deri në bjeshkët e larta të Tropojës, në luftë me mercenarët e Ahmet Zogut dhe acarin e dimrit të egër të vitit 1925 në majën e hekurave dhe Shpellën e Dragobisë me lartësi 2561 metra, mbi luginën e Valbonës. Madje edhe kur me porosinë e Plakut të Maleve, grupi i cili e shoqëronte heroin, u mor vendim të reduktohej në vetëm 10 veta, ndër besnikët e njëmendtë që u dëshmuan se kishin vendosur të vdisnin me Bacë Bajramin, ishte edhe Tahir Zajmi. Për aq më tepër, siç e përshkruan në kujtimet e veta, Tahiri edhe për së vdekuri, trupin e Bajram Currit, nuk do ta linte në duart e tradhtarit Kadri Mehmeti, por do ta përcillte në Qarr të Hasit, ku me plakun e Maleve kishin kaluar shumë kohë bashkë, dhe sipas tij, heroi aty edhe do të varrosej fillimisht. Me akuzat për bashkëpunim dhe vënie në shërbim të Bajram Currit, nga regjimi i Zogut dhe ministri i brendshëm Cana beg Kryeziu, edhe Tahir Zajmin, njëjtë si Hoxhë Zogu dhe Gjelosh Rama, do të dënohej me varje në litar, ndaj nga viti 1925 deri më 1929, për 4 vite me radhë, Tahiri ishte detyruar të jetonte në arrati, duke u strehuar nëpër miq e farefis, në Shqipëri i përndjekur nga Cana beg Kryeziu ndërsa në Kosovë nga Gani beg Kryeziu (i vëllai i Cana begut), i cili ishte edhe oficer i lartë në ushtrinë e Serbisë dhe adjutant personal i krajlit Aleksandër Karagjorgjeviq. 

NË PRILL TË VITIT 1939, SHQIPËRINË E PUSHTOI ITALIA FASHISTE

Bajram Curri ishte dhe mbeti përjetësisht një udhëheqës e luftëtar i shquar dhe shembulli më i lartë i patriotizmit për të gjithë djelmëninë shqiptare, do të thoshte shpesh Tahir Zajmi, të cilit edhe pas vdekjes i kujtohej, se si në mes të betejave për jetë a vdekje, heroi Bajram Curri, trim që nuk i trembej plumbit as vdekjes, i jepte zemër edhe atij duke e këshilluar me butësi; mbahu Tahir e mos u dorëzo se ne jemi burra dhe luftëtar më të fortë se të gjithë armiqtë që na sulen. Sikur Shqipëria etnike, të kishte vetëm dhjetë personalitete si Bacë Bajrami, do t'i kishte punët shumë më mirë, shtonte me krenari Tahiri, kudo që flitej për jetën dhe veprën shembullore të Plakut të Maleve. Në anën tjetër, njeriu më i pabesë dhe tradhtari më i pështirë nga tokat e Kosovës,jo vetëm për Tahirin por për të gjithë shqiptarët,pa dyshim ishte Cena beg Kryeziu,i cili sapo kishte përfunduar vrasjet e patriotëve më të mëdhenj të kombit, njoftonte me gëzim Aleksandar Karagjorgjeviqin dhe Nikolla Pashiqin, se kishte realizuar me sukses premtimin e dhënë serbëve duke likuiduar brenda pak vitesh Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Zija Dibrën e të tjerë, gjelati që kërkonte edhe kokën e Tahir Zajmit. Madje, për "meritat" në likuidimin e patriotëve më të mëdhenj të kombit, e veçanërisht pas vrasjes së Bajram Currit, Zogu gradon dhëndërinë e vet Cena beg Kryeziun me gradën e kolonelit dhe pa kaluar shumë kohë, me kërkesën e qeverisë jugosllave, ai e emëron Cana begun edhe ministër të brendshëm të Shqipërisë. Por përkundër të gjitha përpjekjeve zogiste, Tahir Zajmi arrin t'i shpëtojë arrestimit deri në pranverën e vitit 1929, kohë kur i gjatë qëndrimit në mal, i ishin ngrirë të dy këmbët dhe nuk mund të lëvizte më, ndaj do të kapej në befasi e burgosej në Krumë të Hasit. Megjithatë për fat të mirë, armiku i tij kryesor dhe më i madhi që kërkonte kokën e Tahir Zajmit, Cana beg Kryeziu, kishte mbi një vit e gjysmë, që kishte ngrënë kokën e vet dhe mbetur i vrarë nga studenti Alqiviadh Bebi në Pragë, kështu që kryezinjtë tanimë kishin hapur një front të ri dhe hy në luftë me armiq të tjerë, ndaj falë njohjeve që Tahiri kishte në Krumë e rrethinë, udhëheqës i të cilës një kohë kishte qenë edhe vetë, shkathtësive të tij personale dhe ndihmës së pakursyer të miqve dhe dashamirëve hasjanë, ai do të arrinte të arratisej edhe nga burgu i Krumës dhe shpëtonte sërish dënimit me vdekje. Në Prill të vitit 1939, Shqipërinë e pushtoi Italia fashiste, ndërsa rreth dy vite më vonë, Gjermania pushtoi edhe mbretërinë jugosllave. Ndaj me të kapitulluar Serbia më 1941, nën përkujdesjen e Ministrisë së Arsimit dhe udhëheqësit të saj profesor Ernest Koliqit, mbi 200 mësues dhe profesorë atdhetar nga vendi amë u nisen vullnetarisht drejt Kosovës, qendrave kryesore të Iliridës, si Shkupi, Kumanova,Tetova, Gostivari, Kercova, Dibra, Struga etj., pastaj trojet shqiptare nën Mal të Zi, nga Ulqini, Kraja, Tivari, Ana e Malit,Tuzi, Hoti, Gruda, Plava Gucia Rozhaja e deri në Novi Pazar, Bujanoc dhe Preshevën shqiptare etj. Ky ishte misioni më i madh patriotik e kombëtar që "Shqipëria e Vjetër" ndonjëherë kishte ndërmarrë, për ngritjen e rrjetit shkollor nga e fillimi, në të gjitha tokat e çliruara, të cilat deri në vitin 1941, kishin qenë të okupuara nga Serbia dhe mbretëria e SKS, duke ngritur kështu elitat e para të intelektualëve, mësuesve dhe profesorëve shqiptar edhe në këto troje tonat kombëtare, ku deri atëherë dominonte analfabetizmi dhe mos-njohja totale e shkrimleximit nga mungesa e shkollave në gjuhën amtare shqipe. Në Kosovë më 1941, do të kthehej edhe Tahir Zajmi, i cili përveç angazhimit me mish e me shpirt për hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, do të punonte pareshtur që edhe në tokat e çliruara nga serbosllavët, të jetësohej në praktikë ideali i Shqipërisë Etnike! Ndërsa ish gjenerali dhe shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave Milan Nediqi, i cili si kusht për bashkëpunim me gjermanët, në bisedimet e zhvilluara në Kralevë me oficerët e lart të "Vermahtit"- (mbrojtjes), kishte kërkuar nga ata, që edhe nën pushtimin gjerman, Serbisë t'i mundësohej ta mbante nën okupimin e saj Kosovën. Në shtator të vitit 1943, do të kapitullonte Italia, me ç 'rast edhe do të fillonte rritja e pranisë, jo vetëm e partizanëve shqiptar, por aq më keq, e bandave me kriminel sllavo-komunist nga Serbia dhe Mali i Zi si brigada e njohur kriminale e bokës së Kotorit. Sipas dëshmive të Hysen Tërpezës, të konfirmuara edhe nga fjalët e Xhafer Devës dhe Mehdi Frashërit, nga fundi i vitit 1943, vetë komandanti i ushtrisë gjermane, i kishte thënë Xhafer Devës se Gjermania po e humbte luftën, ndaj kishte porositur shqiptarët që të përgatiteshin sa më parë dhe sa më mirë që ishte e mundur, për ta mbrojtur vendin e vet si dhe të hynin pa vonesë në kontakt me aleatët, në mënyrë që situata të mos i zinte në befasi dhe tokat shqiptare të ripushtoheshin sërish nga Serbia. Për këtë arsye Xhafer Deva, i cili asokohe ishte ministër i Brendshëm, kishte dhënë dorëheqje nga pushteti në Tiranë dhe kthyer në Prizren, ku bashkë me Asllan Boletinin formojnë Lidhjen e dytë të Prizrenit, kryetar i parë i të cilës do të zgjidhej Musa sheh Dade, organizatë patriotike kjo e cila mëtonte vazhdimësinë e rolit të Lidhjes (së parë) Kombëtare Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, për mbrojtjen e tokave shqiptare nga copëtimi dhe ripushtimi nga fqinjët hegjemonist serbo-malazez. Anëtar i kryesisë së kësaj Lidhje ishte edhe Tahir Zajmi dhe asokohe drejtonte edhe të përkohshmen "Lidhja e Prizrenit", e cila u botua nga marsi deri në vjeshtën e vitit 1944, në Prizren. Pas formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, pothuajse në të njëjtën kohë, do të kapitullonte edhe Bullgaria, ndaj shqiptarët pasi çliruan Shkupin degët e Lidhjes u zgjeruan nga Shkupi e Manastiri deri në Ulqin e Tivar.

 

(Kosova Sot)