Varfëri kulturore në KOMUNAT KOSOVARE

  • 20 August 2018 - 08:29
Varfëri kulturore në KOMUNAT KOSOVARE
Meholli: Për mungesën e aktiviteteve kulturore, fajin kryesor e kanë qeveritë komunale që s'angazhohen për t'i plotësuar nevojat e qytetarëve

"Shumica e qyteteve të Kosovës nuk kanë as teatro, as kinema, as ndonjë shoqëri kulturore të hairit. E, arsyeja pse ndodh kjo është se qeverisen keq komunat, qeveriset keq shteti. Njerëzit e paarsimuar, e të pakulturuar, kur ta drejtojnë vendin, ata do ta drejtojnë kah gremina", ka pohuar Apolloni për "Kosova Sot"

Komunat kosovare vazhdojnë me varfëri kulturore. Me pak përjashtime, komunat kosovare ende nuk kanë arritur të kenë një kalendar kulturor të konsoliduar dhe që do të sillte për qytetarët e tyre aktivitete ditore apo javore për të plotësuar nevojat e tyre. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" analistë dhe njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, pak komuna kanë lëvizur me disa koncerte dhe aktivitete kulturore, por këto nuk mjaftojnë dhe janë larg asaj që duhet për të plotësuar nevojat e qytetarët të tyre për kulturë. 

Në disa komuna, kultura është inekzistente Regjisori Ben Apolloni ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se jeta kulturore nëpër komunat e Kosovës është shumë e varfër. Bile, sipas Apollonit, në disa prej tyre madje inekzistente. "Shumica e qyteteve të Kosovës nuk kanë as teatro, as kinema, as ndonjë shoqëri kulturore të hairit. E, arsyeja pse ndodh kjo është se qeverisen keq komunat, qeveriset keq shteti. Njerëzit e paarsimuar, e të pakulturuar, kur ta drejtojnë vendin, ata do ta drejtojnë kah gremina", ka pohuar Apolloni. Edhe studiuesi Bujar Meholli ka pohuar për "Kosova Sot", se nëpër komunat dhe rrethet e Kosovës, jeta kulturore është përgjithësisht e varfër, me ndonjë përjashtim tek-tuk. Kjo varfëri që është e pranishme prej kohësh, shton ai, vjen si pasojë e mungesës së aktiviteteve kulturore nëpër komunat e Kosovës. "Dhe, për mungesën apo shfaqjen e rrallë të këtyre aktiviteteve kulturore, fajin kryesor e kanë qeveritë komunale që s'angazhohen sa duhet për t'i plotësuar nevojat e qytetarëve. Punëtorët gjegjës që janë aty, në të shumtën e rasteve kanë ardhur nga partitë politike, dhe janë të padenjë! Objektivi i tyre, pra, s'është gjallërimi i jetës kulturore, por i zhvatjes së parave, i mbajtjes së pozitës në çdo mënyrë, dhe jo organizimi më i shpeshtë i aktiviteteve artistikekulturore, që janë shumë të dobishme për komunitetin, posaçërisht për të rinjtë", ka pohuar Meholli. Sipas tij, vetëm Prishtina si kryeqytet, ka një jetë kulturore më të zhvilluar, karshi qyteteve të tjera; teatrot, pasi, siç ka thënë ai, në qytetet e tjera janë në gjendje të rëndë, mbrëmjet letrare janë të rralla, koncertet muzikore numërohen në gishta. "Një shtet nuk mund të funksionojë siç duhet, me jetë kulturore të përgjysmuar; Parisi, si kryeqytet i Francës, është qytet i artit dhe kulturës së pasur, por prapa tij nuk mbeten as qytetet, si: Bordo, Nansi, apo Montpelier. Ndërsa te ne, ndodh e kundërta; jashtë Prishtinës, jeta kulturore në qytetet e tjera, është e zymtë dhe pasive", ka pohuar ai për "Kosova Sot". 

Tallavaja dhe kiç kultura e kanë ngulfatur këtë shoqëri Kurse regjisori Mahiri Musliu ka potencuar për "Kosova Sot", se një arsyet tjetër që sjellë një varfëri kulturore nëpër komunat tona është se kultura jonë janë bërë ahengjet dhe tupanat, siç ka thënë ai, nëpërmjet të cilave qytetari ynë shfryen emocionet. "Ky tip i njeriut është krijuar ndër ne. Tallavaja dhe kiç kultura e kanë ngulfatur këtë shoqëri. Qëmoti këtu mbretëron kjo kulturë, e cila nuk përbën bazamentin e shoqërisë sonë, këtu fajtorë janë edhe mësuesit dhe arsimtarë e profesorë, të cilët çdo fillimvit kërkojnë ngritje te pagave, kurse nxënësit i mësojnë për tallava e tupana, sepse ky është ushqimi shpirtëror i tyre", ka thënë Musliu. Po sipas tij, kjo është për keqardhje kur një popull largohet nga kultura shekullore e tyre dhe përqafon një kulturë të huaj, e cila ka origjinë aziatike apo ku di çfarë. Një gjë e tillë, shton ai, lë shijen e hidhur kur ky popull me shekuj ka kultivuar kulturë evropiane e me vlera, kurse tani është kthyer nga kiçi, i cili po ia zënë frymën kësaj shoqërie. Ndërsa Ismet Tahiraj, publicist dhe njohësi i zhvillimeve kulturore në vend, ka pohuar se nuk është bërë asgjë, me përjashtim të ndonjë koncerti, dhe krejt kjo flet për një zymtësi që ka kapluar kulturën tonë. "Jo veç verës, po gjatë tërë vitit nuk ka kurrfarë aktiviteti, ama bash hiç, mos numëro ato takime parciale dhe ato nën efektin partiak dhe kjo na shpie në degradim të gjithçkaje të pavlerë", ka pohuar Tahiraj, për "Kosova Sot". 

Sivjet ka lëvizje të vogla Se ka varfëri kulturore e pohon edhe Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve kulturore në vend. Ai ka thënë se jeta kulturore komunale është shumë pasive, e plogësht, pa kreativitet bashkëkohor. "Por sivjet, ka lëvizur diçka Gjilani, me disa koncerte dhe aktivitete kulturore; apo Prizreni me 'Dokufest', Peja me 'Anibar', Mitrovica tash në këtë muaj për disa vjet organizon aktivitet muzikor e kinematografik, por këto nuk mjaftojnë. Por, larg të qenit jetë aktive, e shumëllojshme e të ngjashme", ka thënë Rudaku, duke shtuar se edhe kur ndodhin ca organizime, janë të dobëta, me informim parcial, me joshje për pjesëmarrje në nivele të ulëta. Por, shton ai, Kosova ka rreth 40 komuna. Shumica e tyre, sipas Rudakut, nuk kanë jetë kulturore aktive; nuk kanë kinema, teatro - edhe ato që i kanë nuk i kanë funksionale. "Po ashtu, jeta kulturore për fëmijë, është shumë e dobët dhe e paplotësuar. Ato janë zëvendësuar me këndet e lojërave në qendrat tregtare. Po, jeta kulturore është e varfër në shumicën e komunave dhe pa kreativitet; dominon kiçi dhe shundi kulturor, në organizim, në estetizim, në përmbajtje, në agjendë", ka thënë studiuesi Rudaku për "Kosova Sot".