Rrushi kundër shqiptarëve

  • 22 September 2018 - 09:37
Rrushi kundër shqiptarëve

SHKRUAN: TEFIK SELIMI

Rrushi, sipas autorit, është një dallkauk, miop, diletant dhe njeri i pavlerë në të gjitha pikëpamjet e tij. Ai ishte një shërbëtor që i shërbeu një sistemi të një kohe, i cili, si i tillë, veproi kundër popullit të vet, vetëm e vetëm ta ruajë vendin nga pushtuesi shekullor. Është një fatkeqësi e popullit që pati të tillë Rrusha e lakenj të tjerë, të cilët e sollën popullin gjer në vuajtje, madje edhe të hyjë nëpër birucat e kazamateve serbe

Haki Bunjaku nuk është autor i panjohur për lexuesin shqiptar. Përkundrazi! Ai me shkrimet e veta letrare e publicistike është marrë qysh nga viti 1966. Por, me shkrime, më standarde, autori ka filluar të merret pak më vonë, sidomos pasi erdhi liria e pritur nga të gjithë shqipfolësit. Andaj, para do dite e botoi një vepër në prozë me titull "Kohë e Rrushit". Kjo është vepra e katërt e tij. Ky titull i veprës është paksa "provokues", por i qëlluar dhe që ia vlen të lexohet me ëndje nga adhuruesit e librit. Romani në fjalë i H. Bunakut, autor, lexohet me një frymë. Është vepër që ngjarjet e rrëfyera nga autori janë tërheqëse për ta lexuar veprën pa u ndalur. Bile, duke lexuar na shkonte mendja tek narracioni i veprës që atë "histori" t'ia përcjellë edhe të tjerëve, për faktin se, vepra rrëfen për kohën e përjetuar jo vetëm të autorit, por edhe të autorëve të tjerë. Këtu ngjarja është jo aq e largët, por e një kohe sapo e kaluar me të gjitha zezonat e saj të jetës. Pra, në roman flitet për personazhet shqiptare, të cilat, në një kohë të sapokaluar, disa Rrusha kanë vepruar e punuar si bashkëpunëtorë të sigurimit serb. Njëri prej tyre është Rrushi, një personazh i njohur për autorin e veprës. Ky personazh është simbol i një kohe. Pra, Kohë e Rrushit dhe Rrushave të tjerë. Dhe, të tillë Rrusha ka pasur shumë në meset tona, të cilët i kanë shërbyer sigurimit shtetëror serb. Këta shqipfolës të mjerë janë mashtruar, të cilët, për ndonjë post, pagë apo ndonjë vepër tjetër që ua ka dhënë pushteti i asaj kohe, ata kanë vepruar lirshëm dhe keq në dëm të popullit shqiptar. Të tillët ia kanë zgjatur jetën okupuesit, sepse më në fund, e drejta e popullit nuk mund të ndalet, madje edhe me jetë. 

TRYSNIA E FORTË TE PUNËTORËT E ARSIMIT 
Qysh në fillim të romanit, autori H. Bunjaku shton një lloj prologu për të hyrë sa më shpejt në ngjarjet e veprës. "Prototipi im, Rrush Rrushi, me të pranuar detyrën e agjentit (sekret) në sigurimin e shtetit, ishte aq ekzaltiv, aq harmonik dhe gazmor, saqë gati sa s'fluturonte. Në këtë pikë madje përafrohet me Don Kishotin e Mançës, por prapë me një ndryshim esencial, Don Kishoti shpallet publikisht kalorës, mbrojtës i të pambrojturve, i të shtypurve e i të ligjve, ndërsa Rrush Rrushi ka për detyrë të shtypë të vegjlit, të pambrojturit, porse këtë dëshirë dhe këtë sekret mundohet t'i mbytë në gjoksin e vet, që të mos hetohet publikisht për detyrën e shumë besuar sekrete, ndonëse, një shtysë e brendshme e fuqishme, e shtyn të ndihet superior, mbi të gjithë" (f.5). Këtu është nyja ku bëhet zgjidhja e veprës në fjalë, sepse "personazhi" (Rrush Rrushi), bëhet i tejdukshëm, që rrezikon konspiracionin, dhe, më në fund, ai zbulon vetveten. Këta njerëz të "rrezikshëm" të një kohe kanë vepruar dhe shumë qytetarë i kanë marrë në qafë. I kanë maltretuar për revole, për parulla e për vepra të tjera, të cilat vepra, sipas tij, ishin kundër shtetit dhe atij sistemi të perënduar. Ky Rrush Rrushi, personazh kryesor i veprës dhe i shumë Rrushave të tjerë, janë njerëz të shitur si dallkaukë e pa dije. I ka blerë pushteti që të jetojnë edhe ndonjë ditë, gjer në ditën kur populli nuk i përkrahur dhe, një ditë, kur erdhi koha, populli zgjodhi rrugën e qëndresës drejt për fitore. Këta lakej nuk kanë pasur dije. Këta pushteti i një kohe i ka pasur pas vete. Kanë qenë njerëz të besuar të sigurimit shtetëror. Të tillët Rrusha e shërbëtorë të pushtetit, i kanë maltretuar qytetarët dhe mësuesit e shkollës shqipe, duke i ftuar nëpër biseda informative e duke i maltretuar gjer në fund me tortura. Rrush Rrushi nuk është i panjohur i mesit të autorit. Ai ka lënë gjurmë të pashlyera në një kohë pa kohë në pjesën e Gollakut. Pra, në veprën e Haki Bunjakut flitet për një kohë të errët të historisë shqiptare. Kjo kohë e errët ka lënë gjurmë tek njerëzit e pafajshëm, të cilët donin ta jetojnë jetën si gjithë të tjerët. Por, ja Rrushat e Gollakut e meseve të tjera të vendit, tek popullata shqiptare kanë sjellë vuajtje, trauma e panik tek fshatarët, të cilët jetonin me frikë e droje nga këta njerëz shqipfolës, që i paguante pushteti vetëm e vetëm që ta ruajë rendin. Në të kundërtën, populli sa më shumë që urrehej e maltretohej nga këta Rrushat e pushtetit, ai mobilizohej dhe bëhej më i fortë për një rezistencë tek një përballje të drejtpërdrejt me aparatin e sigurimit shtetëror. Sepse, kishte ardhur koha që, torturat, vuajtjet, varfëria, dhuna e paparë e pushtetit me këlyshët e tij, Rrushat, të përfundojnë me kthesa të mëdha në vend. Andaj, njerëzit iknin sa më larg prej këtyre lakenjve apo Rrushave. Iknin, sepse hëpërhë, ziheshin me këta njerëz që u duheshin për bashkëpunim. Vinin "selamet" nga Rrushat, ku popull me revoltë shtonte që sa më parë të hiqen fare. Ishte kohë, vërtet e pakohë. Kohë me përcjellje. Kohë e ligë dhe e paduruar. Sidomos, bëhej trysni e fortë tek punëtorët e arsimit. E dinin se ata lexojnë vepra të "ndaluara" për pushtuesin. I pyesnin të tjerët mos kanë lexuar veprën "Kryengritja fshatare" të August Shenoas etj. 


NJË TIP NJERIU PA VLERË
Autori bën fjalë për urrejtjen që kanë edhe gratë e Damidollit, të cilat, nga kjo heqamë e zezonës së Rrushave, ato kanë krijuar një këngë për vashat që do duhej të ruheshin nga zyrtari përvijues i Rrushave. Ja kënga si ia thotë: "Mori e mirë fytyrën si prushi/ Fshiu pak, të t'mos shohë Rrushi..."(f.50). E, autori, për të shpërthyer vrerin ndaj këtyre lakenjve të tillë, ai në një vend shton: "Lapsi im, z. Rrush, shpërthen shumë më thellë se plumbi yt" (po aty f.50). Apo: "Unë, në vazhdimësi i fryj rrëshiqit të lirisë, të cilin ju po orvateni të ma fikni e të ma uzurponi. Nuk ia arrini dot, vetëm sa po tregoheni skajshmërisht të ligj dhe të zhytur në pellgun e injorancës, nga ku nuk ka kush që mund t'ju nxjerrë, assesi. Unë dua hisen time të diellit, asgjë më tepër"(f.51). Shih për këtë "realitet" të një kohe, edhe autorit i këtij romani iu desh të depërtojë në botën e brendshme jo vetëm të Rrushit, por edhe të personazheve të tjerë, të cilët, me intuitën e tij prej krijuesi e me argumente të bollshme, ka arritur t'i godasë dhe ti individualizojë, duke i vënë në spikamë të vëmendjes për veprën budallaqe të injorantit e të shkaktarit të kësaj kohe, për të cilën rrëfen autori. Pra, është fjala për Rrushin dhe për ngjarjet të ndodhura në fshatin Damidoll të Gollakut. Rrushi, sipas autorit, është një dallkauk, miop, diletant dhe njeri i pavlerë në të gjitha pikëpamjet e tij. Ai ishte një shërbëtor që i shërbeu një sistemi të një kohe, i cili, si i tillë, veproi kundër popullit të vet, vetëm e vetëm ta ruajë vendin nga pushtuesi shekullor. Është një fatkeqësi e popullit që pati të tillë Rrusha e lakenj të tjerë, të cilët e sollën popullin gjer në vuajtje, madje edhe të hyjë nëpër birucat e kazamateve serbe. Autori, H. Bunjaku, figurën e Rrushit e paraqet një tip njeriu pa vlerë, torollak, mendjetrashë, sahanlëpirës, tragjik dhe fundi i tij është një mbarim tejet i keq për veprat e bëra ndaj popullit të tij, të cilat mëkate marrin një përfundim të turpshëm pa asnjë meritë në jetë. Ai (Rrushi), gishtin e tij e kishte drejtuar kundër njerëzve që merreshin me shkrime të ndryshme. Këto "sende" me vlerë, Rrushi me shokë, ua konfiskonte veprat dhe autorët e tyre ftoheshin në biseda informative, ku ndaj tyre bëhej presion i rëndë dhe, në disa raste, autorët e shkrimeve pësonin me rrahje në burg gjer në vdekje. Rrushi u thoshte autorëve: "Kur ti na duhesh, në grusht të kemi"(f.169). Pra, Haki Bunjaku, autor, këtë kohë të pakohë, e ka përshkruar në mënyrë objektive, duke i zënë në fjalë personazhet e Rrushit, të cilët kanë qenë shkaktarë të këtyre veprave të ndyta ndaj qytetarëve të pafajshëm, të cilët kanë dashur të jenë e të mendojnë lirshëm si të gjithë njerëzit e botës. Andaj, personazhi në fjalë do të hyjë në pjesën më të errët të historisë së popullit shqiptar, i cili do të mbesë pa asnjë shenjtë respekti e nderimi. E tillë ishte Koha e Rrushit, i cili, një ditë vdes dhe vdekja e tij bëhet në mënyrën më të keqe e të urrejtur nga masa. Vdes si derr, ku populli e mallkon me këto fjalë: "Ty, he farë e fëlliqët, mos të mbajttë as dheu brenda!"(f.159). 

(Kosova Sot)