Brezi i fundit i rapsodëve po vdes

  • 23 September 2018 - 08:41
Brezi i fundit i rapsodëve po vdes

SHKRUAN: AVNI RUDAKU 

Mediet raportuan në bazë të një postimi në mediet sociale, se rapsodi i mirënjohur edhe për brezin tim të lindur më 1984, se Hashim Shala vdiq. Me shkas vdekjen e tij, ne do të merremi me kontributin e tij të pashoq në folklorin muzikor shqiptar, por edhe refleksionet mbi trendët e këtij zhanri tradicional e popullor. Ne u themi rapsodë, zakonisht atyre që marrin një lahutë, çifteli dhe ua thonë këngëve, përmes teksteve të gjata, mbi jetën e trimave, luftëtarëve, atdheut e shumë rrëfime të tjera nga përditshmëria dhe koha e shkuar. Nëpërmjet telave të këtyre instrumenteve tradicionale, rrëfehen lloj-lloj tragjedie kolektive dhe herë pas herë edhe fate luftëtarësh dhe personalitetesh të forta nga lufta, rezistenca, por edhe nga fatkeqësia familjare e personale. Si parim, edhe përmes fatit personal të këtyre figurave heroike në rapsodi, sendërtohet rrëfimi dhe fati i kolektivitetit, i kombit. Nëse kërkoni në fjalorë të ndryshëm për rapsodinë, do të gjeni se nuk njihet me origjinë shqipe, por greke e latine. Grekët e vjetër, rapsodinë, e shihnin si pjesë të këngëve poemike, legjendare, epike e historike. Gjersa historia dhe legjendat dikur ishin të pashkëputura qartë me njëra-tjetrën, sot bëhet dallim në mes të një përralle a legjende, me historinë. Gjersa në legjendë nuk mësojmë kohën e saktë, historia përpiqet të na jap datën e saktë apo të përafërt të ndodhisë. Me fjalë të tjera, rapsodia edhe dikur te grekët e vjetër, edhe te shqiptarët e sotëm, ka qenë këndim, recitim e rrëfim, herë poetik, herë prozaik, herë historik, herë epik, legjendar, mitik, përrallor etj. Rapsodia te shqiptarët përkthehet edhe si çifteli. Shqiptarët pastaj edhe emrin çifteli, e kanë përdorur si sinonim për cilësorët: kokëfortë, i pabindur, duke e formuluar shpesh frazeologjinë: "Kokën e ka çifteli". Është kokëfortë, duke e lidhur me drurin e fortë (kasën e bishtin e gjatë) të çiftelisë. Sidoqoftë, rapsodia shqiptare është zhvilluar në mënyrë të veçantë, por edhe me shumë elemente të ngjashme të traditës së këngëtarëve të Greqisë antike, ku këndoheshin poemat (tekstet e gjata) të Homerit dhe të legjendave të ndryshme. Ajo që është për t'u shënuar me rastin e vdekjes së rapsodit Hashim Shala, është edhe shuarja e thuajse brezit të kultivimit aktiv të rapsodisë, këngëve me çifteli dhe muzikës tradicionale shqiptare. Rapsodi Augustin Ukaj nga Gjakova, vdiq para rreth 15 vjetësh, ndërsa rapsodi tjetër emblematik Dervish Shaqa nga Deçani, kishte vdekur edhe shumë më herët, para mbi tri dekadash. Me fjalë të tjera, rapsodët më të njohur vdiqën dhe tash mbetet arkivimi i tyre në këndin për ruajtjen e fondit të muzikës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, apo edhe hapjen e një muzeu vetëm për rapsodët më të famshëm, duke vendosur në shumë pika edhe kufje për vizitorët, duke dëgjuar disa nga këngët më të famshme të rapsodëve të njohur. Po ashtu, rapsodia duhet kultivuar edhe te brezi i ri dhe nuk ka nevojë as t'i shpallet luftë e pakuptimtë kitarës, por vetëm të plotësohen me njëra-tjetrën. Në kohën kur prindërit janë krenarë që fëmijët e tyre tri vjeç më shumë flasin gjuhën angleze sesa shqipen e rrjedhshme, është më se e kuptueshme se ato që janë tradicionale, lokale, përballë trendëve të rinj globalë në gjuhë, muzikë etj., janë shumë të dobëta. Por me rëndësi është se çiftelia sado që nuk e zëvendëson kitarën, as kjo e fundit nuk e zëvendëson atë. Ato mund të plotësojnë njëra-tjetrën. Pse të mos zhvillohet edhe ritmi lokal, vallja lokale, karshi asaj globale, amerikanolatine, amerikane-veriore, angleze etj.?! Tradicionalja po zëvendësohet me modernen, nacionalizmi folklorik muzikor me kozmopolitizmin, Perëndimin e globalizmin muzikor. Gjeneratat e lindura pas luftës, nuk kanë qenë të lidhur me Hashim Shalën - me këtë ikonë folkloriste muzikore, por sidomos të moshuarit, sikurse ishte gjyshi im, ishin të lidhur tej mase me këngët e tij. Gjyshi im m'i paguante katër video-kaseta në 'videoklub', nëse do t'i merrja edhe video-kaseta me çiftelia, e me këngë rapsodike edhe të Hashim Shalës!

DOKUMENTARI PËR HASHIM SHALËN

Rëndësia e dokumentarëve për personalitete të njohura në fusha të ndryshme, rritet sidomos pas amshimit. Nëse do të kërkonit për vitin e vdekjes së rapsodit Shala, në faqe që është bërë e përshtatshme edhe për lexues dembelë, si 'uikipedia', do ta gjeni datën e gabuar të vdekjes, në vitin 2017. Prandaj, na duhen libra e dokumentarë seriozë, për të njohur më shumë jetëshkrimin e këtyre rapsodëve. Në një dokumentar mbi rapsodin Shala, të publikuar edhe në kanalin e popullarizuar 'youtube.com', jepen të paktën disa të dhëna më të plota dhe disa intervista direkte të tij: "Ishte viti 1936, u lind Hashim Shala, në fshatin Vërbovc të Drenicës nga një familje bujare me traditë kombëtare. Qysh si fëmijë, e pastaj në rini e më vonë në moshën e pjekurisë i fjeti në zemër të kënduarit e melodisë popullore, në solo, si dhe së bashku me vëllezërit e tij: Mustafën, Hysenin dhe Habibin. Kjo dashuri ndaj këngës jo vetëm se u zgjerua, kështu që ky këngëtar tani fillon të këndojë edhe me mikun e tij Tahir Drenicën…" Naser Fejzullahu. (7 prill 2016). "Hashim Shala - Dokumentar" [YouTube Kanal]. Marrë prej https://www.youtube.com/watch?v=lEd E36TxJBë Po në të njëjtin dokumentar, informohemi se "Hashim Shala ka komponuar më shumë se 170 këngë, nxori 60 albume muzikore si dhe botoi shumë libra. Shumë këngë të tina në fillim janë të incizuara në pllaka të gramafonit, audiokaseta, e videokaseta tetë milimetërshe. Shumë koncerte, shumë radioprograme, po ashtu edhe programe televizive dhe ka kënduar këngën popullore. Pos këndimit, Hashim Shala është edhe poet, i cili të gjitha këngët e tina, të cilat i ka shkruar, i këndojnë edhe rapsodët e tjerë." [Po aty]. Është interesante momenti kur rrëfehet për "momentet më të vështira të jetës, për presionin nga policia që i kanë hyrë në shtëpi, e kanë përplasur derën, e kanë fyer… Jo shumë, por veç i kanë kontrolluar tekstet e këngëve… Kasetat i kanë ngue në treg e në shumë vene… E kanë rreh aty tuj shit kasetat… ja ky po kënon, nacionalist…", për të kuptuar se si regjimi i atëhershëm, rapsodinë, e ka quajtur "nacionalizëm shqiptar", me veprime përndjekëse dhe tone negative në përkufizim. 

KËNGËT E RAPSODIT SHALA

'Isa Boletini', 'Azem Bejta', 'Shaban Polluzha', 'Ramiz Cernica', 'Tahir Meha', 'Adem Jashari', 'Në Mitrovicë rrehi teli' etj., janë vetëm disa nga këngët e tij në solo e në duete me të tjerët. Shala i ka kënduar edhe Ibrahim Rugovës. Në përgjithësi, shumë rapsodë i kanë kushtuar këngë liderëve, politikanëve, saqë rapsodë si Augustin Ukaj, i kanë kënduar edhe këngë Josip Bros Titos, sikur dikur shumë poetë e shkrimtarë shqiptarë, që i kanë thurur lavde të mëdha liderit të ish-Jugosllavisë. Edhe sot shohim se si rapsodë edhe kiç dhe hajgarexhinj, i kushtojnë këngë udhëheqësve të aktualë të vendit. Si duket, në telat e çiftelisë, tashmë është bërë zakon, lakimi i emrave të udhëheqësve, njerëzve me ndikim etj. 

NACIONALIZMI SHQIPTAR DHE RAPSODIA

Hashim Shala për regjimin serb i takonte nacionalistëve e irredentistëve (!), sepse u këndonte heronjve shqiptarë, betejave të tyre me armikun dhe figurave historike nacionale. Rapsodi Shala edhe ua ngjallte mallin e mallëngjimin shqiptarëve për vendlindjen; ua kujtonte se kush kishte luftuar më parë dhe kjo kishte efektet në odat e Drenicës, Deçanit, Llapit etj. Rapsodia popullore ishte e kultivuar dhe e dashur sidomos në Rajonin e Drenicës dhe të Dukagjinit, por për shumë njerëz nëse i kërkoni ta bëjnë rapsodinë asociacion me ndonjë trevë apo vend shqiptar, do të thonë me Drenicën. Rapsodia nuk është e shkëputshme as me disa nga institucionet e vendimmarrjes, faljes së gjaqeve, vendimeve të Këshillit të Pleqësisë etj., siç ishin dikur odat. Odat nuk ishin vetëm llafe, urtësi, mesele, por edhe tym, çifteli e këngë kreshnikësh; historish për luftëtarët dhe për dashuri, me plot metafora, alegori, hiperbola, epitete etj. Rapsodia është edhe sot sinonim me traditën kombëtare shqiptare, për dallim nga zhanret e tjera muzikore, të cilat kanë hyrë sidomos në vitet e '70-ta e '80-ta në Kosovë, apo në masë të gjerë pas viteve të luftës, duke pasur ndikim të madh në këtë prurje, edhe teknologjia, globalizmi etj.

POROSITË PËR BREZIN E RI

Rapsodia dhe folklori muzikor shqiptar, sikur edhe vallja tradicionale, duhet të ruhen jo vetëm në muze, por edhe të bëhen pjesë e ditëve të shkollave, koncerteve, festivaleve folklorike etj., meqë bota e zhvilluar dhe e pazhvilluar në të njëjtën kohë, na ka dhënë leksione se e vjetra, tradicionalja, lokalja, nuk duhet të zhduket, por të bartet nga një brez në brezin tjetër. Duhet të kultivohet brezi i ri edhe për ta respektuar të paktën muzikën tradicionale, sepse për ta dashur, nuk jemi në diktaturë, për t'i 'dhunuar' me preferenca muzikore. Brezi i ri nëse ka dëgjuar dhe dëgjon lloj-lloj zhanri muzikor, t'i mësohet veshi të dëgjon edhe muzikë me çifteli e lahutë. Nuk jeni demode, sikur e kanë mendimin shumë të rinj, nëse dëgjoni rapsodi popullore. Vlerat autoktone, apo qoftë edhe të ndikuara nga zhvillimet rajonale e më gjerë, duhet të ruhen, por edhe të përpunohen, në mënyrë që të ketë vazhdimësi kultivimi të trashëgimisë kulturore-muzikore. Për Hashim Shalën, Augustin Ukajn, Dervish Shaqën, Feriz Krasniqin etj., duhet të japim edhe emisione, edhe të bëjmë dokumentarë sikur e lakuam njërin prej tyre, të bëjmë analiza këngëve, teksteve dhe vijave të tyre të njëtrajtshme apo edhe atyre kapërcimeve të mëdha vokale, të cilat nëse bëhen me mjeshtëri, gjithmonë shndërrohen edhe në vlera artistike. Hashim Shala do të kujtohet si ikonë e rapsodisë shqiptare dhe kushdo që do të merret me folklorin shqiptar, s'do të mund të shmanget nga njohja me këtë opus rapsodik e poetik të tij. Ka shumë vepra dhe ato duhet MKRS-ja të investojë në krijimin e një fondi të krijimtarisë së tij folklorike. Ai ka hyrë në historinë rapsodike!

 

(Kosova Sot)