Çka tregon lista e kandidatëve për çmimin "Man Booker"

  • 23 September 2018 - 19:49
Çka tregon lista e kandidatëve për çmimin

Kwame Anthony Appiah, kreu i jurisë, tha se lista e ngushtë prej gjashtë titujve ishte më e veçanta për nga zymtia e personazheve të tij, midis tjerash me shkatërrim ekologjik, jetë në burg, racizëm institucional dhe skllavër

L ista e ngushtë e kandidatëve të sivjetmë për çmimin "Man Booker", njërit prej shpërblimeve më prestigjioze letrare, përfshin për herë të parë një roman të shkruar në vargje. Libri me titull "The Long Take", i shkruar nga poeti Robin Robertson, përzien prozën, poezinë dhe fotografitë për ta ndjekur rrëfimin e një veterani të Luftës së dytë botërore nëpër SHBA, në epokën e artë të Hollivudit. Njëri ndër anëtarët e jurisë, kritikja letrare dhe shkrimtarja feministe, Jacqueline Rose, këtë roman e përshkruan si 'roman që sfidon zhanret' dhe që ofron një zë dhe formë tërësisht unike. Anëtarët e jurisë thonë se e dinë që përfshirja e këtij libri në listën e ngushtë të garuesve kishte të ngjarë të ngjallte një debat, por ata thonë se nuk kanë diskutuar rreth stilit të librit. Val McDermid, shkrimtare e librave kriminalistikë, ka pasur fjalë miradije për personazhet e këtij libri, për gjuhën dhe vetëdijen që ky libër ka sjellë në botë."Nuk e di çka tjetër mund të pritet nga një roman", tha ajo.

SHPRESA VJEN NË FORMË TË KUALITETIT TË TË SHKRUARIT

Kwame Anthony Appiah, kreu i jurisë, tha se lista e ngushtë prej gjashtë titujve ishte më e veçanta për nga zymtia e personazheve të tij, midis tjerash me shkatërrim ekologjik, jetë në burg, racizëm institucional dhe skllavëri. "Njerëzit që do t'i lexojnë librat tanë pas 100 vjetësh, do të kuptojnë se ne kemi jetuar në kohë të errëta", thotë Appiah said. "Tema dominuese e romaneve në anglisht sot është ajo e species tonë dhe, ndonjëherë edhe e specieve tjera, me të cilat ndajmë këtë planet të vogël, të sfiduar nga ankthi, vuajtjet nga dhembjet dhe nga institucionet dhe ambienti, që është i rrezikuar nga ne". Shpresa vjen në formë të kualitetit të të shkruarit dhe guximit të autorëve që trajtojnë tema të tilla, thotë ai. "Duke lexuar këta libra nuk kam mbetur në gjendje depresioni", thotë McDermid, duke shtuar se, përkundrazi, disa nga librat e kishin bërë për të qeshur. "Po flas për aftësinë e njeriut që të gjejë humor edhe në momentet më të errë- ta", thotë ajo, duke shtuar se, për këtë, punëtorët e emergjencës i kanë shakatë më të mira. Përpos Robertsonit, në listën e ngushtë - dy të tretat e së cilës i kanë shkruar femrat - përfshihen: • Anna Burns me librin "Milkman", një roman eksperimental i cili flet për Irlandën në kohë trazirash, nga perspektiva e një vajze të vogël. • Esi Edugyan me romanin "Washington Black", në të cilin një djalë i skllavëruar dhe vëllai i zotërisë së tij ikin nga një plantacion në Barbados, duke krijuar një lidhje të pazakontë. Zonja Edugyan, e cila është nga Kalgari, Alberta, ishte pjesë e listës së ngushtë edhe në vitin 2011 me librin "Half Blood Blues." • Daisy Johnson me romanin e saj debutues, "Everything Under", në të cilin një nënë dhe bijë, të ribashkuara, analizojnë të kaluarën e tyre. Zonja Johnson, 27 vjeçe, është shkrimtari më i ri në këtë listë. • Rachel Kushner me librin "The Mars Room", një roman me humor të zi, me një ngjarje që zhvillohet në një burg grash në Kaliforni. • Richard Powers me epin ekologjik, "The Overstory", rreth nëntë të huajve që tentojnë ta shpëtojnë njërën nga zonat e fundit të mbetura në një mal të egër. Kjo është hera e parë që Powers paraqitet në listën e ngushtë për këtë shpërblim. Ai kishte qenë në listën e gjerë në vitin 2014 me romanin "Orfeo." Sivjet nuk arritën që të përfshiheshin në këtë listë Michael Ondaatje, i cili fitoi shpërblimin "Booker" në vitin 1992, e as romancierja e njohur irlandeze, Sally Rooney. Në listë nuk arriti që të përfshihej as Nick Drnaso me librin "Sabrina", romanin e parë grafik i cili ishte përfshirë në listën e gjerë.

SPONSORI KRYESOR

Me titullin origjinal Çmimi "BookerMcConnell", ky çmim u nda për herë të parë në vitin 1969. U riemërua në vitin 2002, kur një kompani investimesh, "Man Group", u bë sponsori kryesor. Me vite ka pasur debat se a duhet që shkrimtarët amerikanë të kenë të drejtë të konkurrojnë për këtë çmim. Në vitin 2013 u ndryshuan rregullat, për t'ia lejuar çdo shkrimtari që shkruan në anglisht që të konkurrojë. Në fillim ky shpërblim iu dedikohej vetëm shkrimtarëve nga Britania, Irlanda, Zimbabveja dhe vendet e Komonveltit. Që nga atëherë, këtë çmim e kanë fituar dy amerikanë: George Saunders në vitin 2017, me librin "Lincoln in the Bardo"; dhe Paul Beatty në vitin 2016, me librin "The Sellout". Këtë pranverë, një shoqatë letrare e cila përfshin edhe emrat, si Margaret Atwood, Ian McEwan dhe Zadie Smith, ka kërkuar që rregullat të kthehen përsëri sikur që ishin më parë. Ky debat mund të fitojë një fuqi të re nëse fitojnë Powers ose Kushner. Por, Appiah ka refuzuar sulmet. "Mendoj se nuk është me vend që të shikosh pasaportat e njerëzve, për të vendosur se a do të lexosh librat e tyre, apo jo", tha ai. Fituesi, i cili merr 50,000 funte, do të shpallet më 16 tetor. 

 

(Kosova Sot)