Shoferi i bardhë dhe pianisti zezak

  • 24 September 2018 - 17:56
Shoferi i bardhë dhe pianisti zezak

Mahershala Ali dhe Viggo Mortensen luajnë rolet kryesore në filmin e regjisorit Peter Farrelly rreth një truproje italianamerikan, i cili është shofer i një pianisti afrikan-amerikan në jug të SHBA-së gjatë viteve 1960

 

"Green Book" mund të thuhet se është gati kontradiktor, një dramë komike e cila të bën të ndihesh mirë, ku në rolin kryesor është një muzikant elegant zezak dhe shoferi i tij i racës së bardhë, në turne në Jugun amerikan para integrimit, në vitin 1962. Me një ngjarje që zhvillohet në kohën para se të ishte bërë ndonjë film rreth çështjeve racore, filmi i studios "Universal" paraqet një qasje mesatare liberale ndaj një rrëfimi i cili, pak a shumë, do të mund të tregohej kurdo që nga vitet 1960. Aktrimi i veçantë dhe argëtues i aktorëve Viggo Mortensen dhe Mahershala Ali e bëjnë filmin e regjisorit Peter Farrelly të jetë i gjallë dhe i kënaqshëm. Ky është filmi i parë regjinë e të cilit në tërësi e bën Peter Farrelly.

Regjisori u frymëzua nga turneu i muzikantit të talentuar

Don Shirley (Ali) Që nga bashkëpunimi i tij me vëllain Bobby, me filmin "Dumb and Dumber To", në vitin 2014, Farrelly bëri regjinë e një filmi TV, "Cuckoo", në vitin 2015 dhe ishte prapa kamerave gjatë të gjitha 10 episodeve të serisë TV "Loudermilk". Skenari i shkruar nga Nick Vallelonga, Brian Currie dhe regjisori ishte frymëzuar nga një turne aktual i bërë nga muzikanti i talentuar Don Shirley (Ali). Sikur që tregon filmi, Shirley i lindur në Xhamajka mund të luajë për mrekulli çdo lloj të muzikës, duke filluar nga ajo klasikja, e deri te xhazi; të flasë shumë gjuhë (duke përfshirë edhe rusishten); dhe e mbante veten për aristokrat. Megjithatë, për një kthesë e cila do të fillonte në Veri, por që pjesët më të madhe do t'i zhvillonte në jug të linjës Mason-Dixon, Shirley kupton se ka nevojë për një shofer të bardhë. Ai e gjen një të tillë te Tony "Lip" Vallelonga (Mortensen), një truproje italianeamerikane i cili do të mund të ishte lirisht baba i cilitdo personazh nga seria "The Sopranos". Tony ka një 'fitil' tepër të shkurtër, një apetit jo aq të preferuar (fiton 50 dollarë duke ngrënë 26 salsiçe në një garë), një grua të mirë (Linda Cardellini) dhe dy djem të rinj. Për ta luajtur këtë rol në një mënyrë sa më bindëse, Mortensen ka shtuar në peshë, ka marrë një qëndrim të ri dhe ka përvetësuar një theks shumë real italianamerikan, duke u dukur sikur një mafioz nga jeta reale.

Udhërrëfimi për udhëtarët zezakë

Edhe roli i Shirley-t kërkon një transformim të tillë nga aktori Ali, por në një drejtim krejt tjetër. Në një apartament mbi Carnegie Hall, Shirley jeton në një bollëk mirë të dekoruar dhe e interviston në mënyrë aristokrate Tony-n, derisa qëndron ulur në një fron, me rroba të bardha dhe me stoli të arta. Këta dy njerëz zor se mund të duken të përshtatshëm me njëritjetrin, por Shirley insiston se Tony, ky njeri i ashpër, por me natyrë të mirë, është mu ai që i duhet për ta ruajtur gjatë udhë- timit të tij në Jug. Titulli i filmit i referohet librit të zezakut Victor Hugo Green me titull "The Negro Motorist Green Book", të botuar çdo vit midis viteve 1936-1966, si udhërrëfim për udhëtarët zezakë se ku mund të qëndrojnë, hanë dhe të marrin shërbime gjatë ditëve të rrezikshme të Jim Crow-t.

Qëndrimi stoik i Shirley-t 

Derisa ata nisen nga Nju- Jorku në një "Cadillac" luksoz ngjyrë tirkizi (dy anëtarët e tjerë të treshes së pianistit udhëtojnë ndaras), Shirley mban një qëndrim stoik, derisa rri ulur prapa me një qëndrim prej aristokrati dhe, me ironi, ia bën të qartë Tony-t se ai duhet ta dijë vendin e vet. Dinamika e këtyre dy njerëzve të papërshtatshëm është gati e njëjtë me atë të filmit "The Odd Couple".

 

 

(Kosova Sot)