Orkestra e Filarmonisë së Kosovës premton një koncert të paharrueshëm me Gregory Charette dhe Rudens Turku

  • 23 October 2018 - 17:13
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës premton një koncert të paharrueshëm me Gregory Charette dhe Rudens Turku

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës vetëm se ka finalizuar provat e fundit me dirigjentin Gregory Charette, në zbërthimin final të veprave "Uverturë shqiptare" të kompozitorit kosovar Hajrullah Syla, Suitën simfonike "Sheherzadja", op. 35 të Nikolai Rimsky- Korsakov dhe "Koncert për violinë dhe orkestër nr. 1 në g-mol, op. 26" nga Max Brunch, në të cilën solist është violinisti i njohur shqiptar Rudens Turku. Ky koncert vjen si bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale, Kamerfest dhe rrumbullakon edhe koncertin e katërt të tij. Filarmonia e Kosovës këtë muaj ka hapur sezonin koncertal, ndërsa po këtë muaj po e përmbyll me koncertin e tretë. Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tha se ky fakt tregon për një dinamikë të re të Filarmonisë së Kosovës dhe për prurje të reja të solistëve. Jashari në një konferencë për media, tutje tha se koncerti i nesërm është i veçantë, pasi që është koncerti i rregullt i Orkestrës Simfonike të Filarmonisë së Kosovës dhe shënon bashkëpunimin që çdo tetor kanë me Festivalin "Kamerfest", i cili kësaj radhe e ka sjellë një violinist të përmasave botërore.

(Kosova Sot)