VETËVRASJA ARTISTIKE!

  • 10 November 2018 - 09:44
VETËVRASJA ARTISTIKE!

Artistët, si: Van Gog, Xhek London, Ernest Heminguej, Xhim Morrison, Bekim Fehmiu, Merlin Monroe e të tjerë, u vetëvranë duke vendosur se kishin mbetur prapa me jetën e tyre ose nuk e kishin kuptuar

Të vetëvritesh nga ndjenjat është më se e sigurt, ngaqë logjika nuk mund të rezistojë dhe të plotësojë boshllëkun. Por, ç'kuptim do të kishte çdo frymë e harxhuar, sikurse të eliminohej nga vetë njeriu? Ai, në fakt, nga lindja e deri në vdekje është i eliminuar. Por, sikur ta bëjë këtë vetë? Sikur të shkruajë fatin vetë, të përshpejtojë momentin e fundit, të udhëtojë drejt lirive të panjohura. A nuk zgjon ndjenjë frike kjo? Kjo shpërfaqet si pengesë për nxitjen e eliminimit. Ky njeri duhet gërryer që nga gishtat e këmbëve e deri në kokë. Gërryerja e dërgon në një ftohtësi përshtatjesh, apo bindjesh duke e kthyer përgjigjen: "Çdo vepër që bëj tashmë është e njëjta, sikur ta bëja apo sikur të mos e bëja". Pse të bënte diç, kur ai në fakt nuk ekziston. Kërkimi i rrugës së vazhdimit, përshpejtimi i eliminimit nga kotësia e shkretë në të cilën nuk mund të gjesh përgjigje. Jeta nuk ka kuptim, po sikur të mos kishte, nuk do të ishte kështu. Më lehtë jetohet kështu, duke hasur vështirësi për t'u ngjitur në majat e kuptimit. Prapë do të kthehemi duarbosh. Përgjigjja shpesh lëkundet dhe logjika e plotë bën replikë me të. Replika, elektrizimi, lëvizja dhe në fund çka? Prapë zbrazje për t'u mbushur. Kur ky njeri i dirigjuar nga ndjenjat, apo i shtypur totalisht, i kthyer në një zero të ftohtë, ngre këmbëzën nga gërryerja e jetës, çfarë kërkon përtej? Të vazhdojë i lehtësuar. Të fillojë i pastruar nga ajo që i vërtitej? Me siguri që po. Por, a do të jetë kështu? A do të ndihet i lehtësuar duke u dhënë fund dhimbjeve? Po kush mund të flasë mbi përvojën e vdekjes derisa asnjëri nuk arrin të manifestojë këtë përvojë. Vërtet në mendje më rri dilema:Duhet të zgjohem çdo ditë, të dal në punë çdo të hënë, për të vazhduar njësoj edhe gjatë ditëve të tjera, të cilat ditë përfundojnë me mbrëmjet. Jam i vetëdijshëm se duke jetuar nën këtë qiell grishës, mbytës, monoton, jo vetëm mua, por secilit do t'i lindë pyetja: përse ndodh kjo? Përse unë në këtë mes? Detyrimi na bënë ose të qëndrojmë brenda, ose të kërkojmë daljen, shpëtimin nga e tëra.

VETËVRASJA CILËSOHET SI DUKURI SHOQËRORE

Shumë njerëz nuk kanë mendime të ndryshme, përshtaten me gurët, peizazhet, oqeanet dhe të gjitha këto i pohojnë si farefis i tyre. Ky pohim ngre pyetjen se të gjitha këto në thelb ruajnë shkatërrimin e njeriut. Të gjitha këto janë dekoruese, por të ashpra, të egra vetëm për t'u barazuar me veten. A mos vallë këto janë të panjohura për mua dhe për gjithë njerëzit? Mos ndoshta këto janë të heshtura, lëvizin pa ndonjë interes, për t'i shërbyer në radhë të parë vetes e pastaj kontaktit me njeriun. Po, këto vijnë nga askush, gjithmonë kanë qenë kështu dhe në asnjë shkallë të ndryshueshmërisë, por absolutes, sikurse njeriu. Atëherë, ky mes, ky kontakt kontradiktor rreth asgjësë, që ishte dhe është, na ngjall pyetjen më absurde: pse të jetë kështu dhe kah do të përfundojë? Ose, nëse nuk do të përfundojë, gjithmonë do të jetë që nga paralindja e deri te vdekja. Atëherë çfarë na qenka vetëvrasja, një vetëlindje e lehtësuar duke zëvendësuar të gjitha përgjigjet dhe dhimbjet të cilat vijnë nga ndjenjat, duke mos u kufizuar nga logjika. Lidhja e njeriut me jetën është një mrekulli force nga e cila vështirë dilet. Shpirti me trupin nuk mund të asgjësohen. Ose shpirti nuk mund të lehtësohet me shkrepjen e këmbëzës duke i dhënë fund trupit, ose vdekja e shpirtit para trupit, e cila buron nga asnjë përvojë idealiste filozofike. Këtu do të prek çështjen se të gjitha fetë në botë e ndalojnë vetëvrasjen. Por, si mund ta bëjnë këtë kur ata vetëvriten, të mbushur me eksploziv në emër të xhihadit që në kuptimin fetar ka koncept të rëndësishëm të fesë islame, përpjekjet ose luftën në rrugën e zotit. Semantikisht ka kuptimin e mundimit në një drejtim të caktuar. Në librin e shenjtë, Kuran, ky term nënkupton në radhë të parë luftën e armatosur. Kurani nuk e përcakton qartë nëse bëhet fjalë për luftën universale (të gjithanshme) kundër besimeve të tjera, apo nëse kjo luftë ndjek vetëm qëllime defensive (mbrojtjeje). Por, sido që të jetë, këta njerëz që bëjnë këtë, nuk janë të dobët. Këta kamikazë vrasin veten dhe të tjerët për mospërshtatje fetare dhe për padrejtësi. Mirëpo, ne fitojmë një zakon, të jetuarit. Vetëvrasja (vetëlindja e panjohur) duke shkatërruar trupin si akt është vetëm ndaj vetes, jo edhe ndaj të tjerëve. Kjo bindje vjen si mospajtim me atë që është dhe me idenë e fuqizimit të të përtejmes së panjohur, duke krijuar besim brenda logjikës, i cili më pastaj u nënshtrohet ndjenjave. Vetëvrasja edhe në shumë gazeta cilësohet si dukuri shoqërore. Pikërisht është kështu. Ky veprim stërvitet dhe përgatitet nga heshtja me kulminante shpirtërore. Shpesh kjo spërkatet me padituri të njeriut. Në mbrëmje varet me litar. Një tjetër hidhet nga kati i fundit i ndërtesës, ndërsa një tjetër ngre këmbëzën. Di rastin e një vajze, familja e së cilës është vetëvrarë, përveç vëllait, të cilin e kishte shkelur treni. Njoh edhe një rast, të një djaloshi i cili për shkaqe të dobëta ekonomike është vetëvrarë. Edhe vajza e vetëvrarë edhe djaloshi në shpirt kishin krimbin, i cili i ka gërryer deri në momentin kulmor. Shoqëria nuk mund ta ndalojë gërryerjen. Vetmia përballet me këtë.

TË JETUARIT MANIFESTON ASGJËNË

Artistët, si: Van Gog, Xhek London, Ernest Heminguej, Xhim Morrison, Bekim Fehmiu, Merlin Monroe e të tjerë, u vetëvranë duke vendosur se kishin mbetur prapa me jetën e tyre ose nuk e kishin kuptuar. Këto veprime ishin të imponuara nga ekzistenca e tyre. Kjo ndarje nga atdheu, ky migrim në një pafundësi iluzioniste të papërvojë tregon një karakter komik e aspak të ndërgjegjshëm. Ndoshta krimi rrjedh nga ndërgjegjja, sepse të gjitha pakënaqësitë mblidhen në një sekondë dhe kështu ndodh akti. Nëse i rrekemi nga aspekti filozofik, atëherë vetëvrasja na del si problem shumë serioz. Kjo merr kahe në të jetuarit dhe në të refuzuarit e jetës. Të jetuarit manifeston asgjënë. Te i vetëvrari pyetja filozofike do të vazhdojë përjetësisht. Më shumë njoh njerëz që janë vetëvrarë për shkak të leximit të ndonjë libri sesa se kanë shikuar një pikturë, apo se kanë dëgjuar muzikë. Vetëvrasja shkon me ndjenjën, e tejkalon atë, mirëpo njëherë arrin barazimin. Idetë që rrjedhin nga shkrimtari lindin iluzione dhembshurie që i japin kuptim jetës së tyre. "Ajo gjë që quhet arsye për të jetuar është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur", thotë Kamyja. Kuptimin e jetës ai e cilëson si të ngutshëm. Atëherë, si t'i përgjigjemi? Problemet thelbësore i radhit te vdekja, ose shumëfishimin e dashurisë për jetën. Nuk kemi barazi, edhe pse lufta drejt idealit nuk mungon. Njeriu e di mungesën e aplikimit momental të identikes që nuk mund të arrihet. Atëherë, më mirë ta teprojmë. Teprimi kërkon ose gjithçka, ose asgjë. Parapërgatitja e vetëvrasjes ka dy mendime: njëri është vetjak dhe tjetri vetëvrasës. Veprim i tillë jeton në heshtjen e shpirtit. Aktivizimi mund të ndodhë menjëherë, vetëm se një kohë shpirti turbullohet nga kjo ndjenjë. Vetëvrasja buron nga realiteti e realiteti është i papërballueshëm për shpirtin, për zgjidhjen në shuarjen e gjithçkaje, qetësinë e absolutes, lirinë e kufizuare, cila supozohet të arrihet më pastaj. A nuk flasim për një shqetësim apo mungesë që duhet të arrihet nga braktisja e realitetit të zymtë. Nganjëherë njeriu edhe mund të mos e dijë. Tërheq këmbëzën, apo hidhet nga ndërtesa. Në çastin kur fillon të mendojë, njeriun e gërryen e vërteta nga brenda. Parapërgatitja ndodhet te shpirti, aty duhet të kërkohet. Këtë lojë idiote që të dërgon drejt qartësisë reale karshi ekzistencës duhet ta kuptosh dhe ta sfidosh. Cilat janë shkaqet e vetëvrasjes? Ato më të dukshmet nuk janë të efektshme. Gjithçka fillon nga moskontrolli. Në medie flitet për sëmundje të pashërueshme, depresione të ndryshme, të cilat vërtet janë publikime të vlefshme. A mund të ndodhë që një ditë një mik i një njeriu depresiv t'i flasë atij ftohtë? Kaq mund të mjaftojë për t'u dhënë fund pakënaqësive. Nëse mendojmë që është i vështirëkuptimit i çastit të saktë, arsyeja e tendosur ka përzgjedhur vdekjen. Nëse shkojmë më thellë, analizojmë vetëvrasjen tok me absurdin, atëherë na del e vërtetë brohoritja e Kamysë që vetëvrasja shërben si zgjidhje për absurdin. Në çfarë parimi? Besimi i njeriut në të vërtetën përligj veprimin e tij. "Pra, besimi në absurditetin e ekzistencës duhet t'i prijë sjelljes së tij", përshkruan Kamyja. Atëherë vazhdojmë së menduari se kureshtja e përligjur, pa lot të rremë, kërkon një përfundim të tillë që i rreket braktisjes së gjendjes së pakuptueshme. "Vetëkuptohet", thërret Kamyja. Pajtimi me vetveten ngre mendimin. Ai pranon çdo gjë nga vetja, nuk refuzon dhe kështu bëhet i përshtatshëm për veten.

TE NOVELA E ÇEHOVIT, CERVIAKOVI VRET VETEN PËR NJË TESHTITJE TË PAVËRTETË

Më shumë do ta shtroj si problem vetëvrasjen filozofike, e cila ka ponë dhe jonë. Jo-ja qëndron te shumica, ndoshta sepse është pak ironizuese dhe satirizuese. "Ata që përgjigjen me "jo", veprojnë sikur mendojnë të kundërtën", vazhdon Kamyja. Ai pranon kriterin niçean me ponë. Vrasja e vetvetes ndodh edhe për shkak të kapjes së kuptimit të jetës. Në një farë forme, ai do të rrijë, por edhe të vetëbraktiset nga kjo botë. "Këto janë kontradikta të përhershme". Mprehtësia e tyre shpërfaqej nga logjika që dukej qesharake, ngaqë aty nuhatej esenca dhe kuptimi i vërtetë, ndonëse përulej. Krilovi, Peregrinosi, Zhyl Lekjesë, sipas Kamysë, nuk shkuan deri atje sa ta mohonin kuptimin e jetës. Ata nuk e kanë pranuar kuptimin e jetës, pasi jeta nuk ka ndonjë kuptim, sepse, po të kishte, ai tashmë do të duhej arritur. Njerëzit si Shopenhaueri flisnin për vetëvrasjen sikurse Kamyja që shkruante për të. Nuk ka hapësirë për tallje me këtë tragjikë. "Ajo së fundi bën portretin e njeriut që e ka përqafuar", thërret Kamyja para se ta mohonte vetë jetën. Ai përpiqet të dijë më shumë se momenti real i vetëvrasjes bën hop më shumë se ndjenja dhe e vërteta. Parakupton arsyen e vetëvrasjes, por nuk e ndien aktin e vendimit. Shkrimtarët, si Heminguej e London, vetëvrasjen e bënë me përgjegjësi të madhe, me revoltë të pastër. Ata kanë mbajtur timonin e jetës në larmi të ndryshme të formave dhe përnjëherë janë futur në shpellën me labirint. Kjo ndodh te shkrimtarët. Te gjenitë është më ndryshe. Trupi arrin ndarjen me shpirtin duke përjetuar divorc. Realisht asnjëherë nuk ishin bashkë. Trupi dhe shpirti vështrohen nga këndvështrimi i tyre vetëm në pasqyrë. Disa bëjnë vetëvrasja edhe kur ndihen më së miri në jetë. Në vetëvrasje nuk ekziston koha e korrigjimit të aktit, nuk ka prapakthim dhe këtë gjë i vetëvrari e di. Njeriu është i lidhur ngushtë me jetën, mirëpo ekziston diçka më e fuqishme se kaq. Atë që ia bën trupit, në të njëjtën kohë ia bën edhe shpirtit, vetëm se trupi sprapset para aktit. Jeta është para mendimit, por në garë të njëjtë. Gjatë rrugës ekziston edhe shmangia e kësaj tragjedie,"shpresa", siç e quan Kamyja. Ndoshta për një jetë tjetër të menduar si të merituar këta nuk jetojnë për veten, por për një iluzion "më të madh" se jeta e tyre. Vetë Kamyja e detyron njeriun të mos mashtrohet nga paqartësitë, papajtueshmëritë dhe ikonosekuencat. Atëherë, duhet të merremi drejtpërdrejt me të vërtetën. Cilën të vërtetë? Atë që dyshojmë që është e vërtetë. E vërteta përcaktohet dhe pranohet nga vetë individi dhe sipas tij s'ka të vërtetë më të madhe se kjo. Realisht ajo është e vërtetë personale. Shumë prej tyre vrasin veten duke menduar se nuk ia vlen të jetohet. Kjo është një e vërtetë që,sipas Kamysë,është shterpë dhe kështu duhet të jetë. A mos ndoshta vjen nga mungesa e kuptimit ky poshtërim i ekzistencës? Kamyja këtu vë në thelb absurdin i cili kërkon të shpëtojë kuptimin përmes shpresës dhe vetëvrasjes. Të shpëtojmë këtë kuptim nuk duhet ta kërkojmë, por duhet të jetojmë jetën ashtu siç na është dhënë. Vetëm se njeriu i thellë mendon ndryshe. Këtë të dhënë ai e shkrin në vetvete duke e manifestuar nga vetvetja. "Njerëzit që vetëvriten ndjekin deri në fund rrjedhën e ndjenjave të tyre", shpreh interesimin logjik Kamyja duke e cilësuar si të padrejtë. Të jesh logjik është e pëlqyeshme. A na përcjell logjika deri në vdekje? Nëse kërkojmë arsyen, atëherë Kamyja e ngre tek absurdi. Ajo mund të kuptohet vetëm nëse ndiqet pa pasione. Nëse një çoban 18-vjeçar vret veten për shkak të dashurisë, nuk mund të krahasohet me vetëvrasjen e shkrimtarëve që mbetën të pavdekshëm në këtë jetë. Të dytë arrijnë kulmin e guximit për aktin e njëjtë, mirëpo për motive dhe arsye të ndryshme. Te Novela e Çehovit, Cerviakovi vret veten për një teshtitje të pavërtetë nga ana e tij. Atij i fiksohet në kokë se ka bërë një vepër të papranueshme. Gjykon veten për këtë akt, përplaset në kolltuk dhe vdes. Kaq mjafton për ta vrarë veten.

 

(Kosova Sot)