Shefik Shkodra sjell librin

  • 12 November 2018 - 10:08
Shefik Shkodra sjell librin

Libri 'Adhuruesit e kulturës europiane' i Shefik Shkodrës është një studim që flet për binomët, Faik Konica dhe Gijom Apolineri, dy miq dhe dy përkrahës të idesë për europerëndimin. Njëri në Paris dhe tjetri në Londër. Pra, flitet për jetën e tyre, njohjen e këtyre në mes vete, miqësinë që e kishin ruajtur dhe e kishin zgjatur për më tepër se 10 vjet, me korrespondenca dhe dy takimet e tyre të njohura në Londër. Mbresa më e thekësuar na paraqitet te poeti frëng, Apolineri, respekti dhe vlerësimi në kulturë, atdhedashuri e politikë që kishte për Faik Konicën. Në kuadër të kësaj do të njihemi me fëmijërinë, rininë e G. Apolinerit, poetit frëng, gjithashtu dhe të Faik Konicës deri para pavarësisë. Por, te Konica do të gjejmë edhe veprimtarinë që menjëherë pas shkollimit, si djalë i ri u përpoq që të shpërndajë rreze drite në kulturë te shqiptarët e asaj kohe, duke u rrekur pas një gjuhe kombëtare, alfabetit dhe një pavarësie të tokave shqiptare, sidomos gjatë kohës sa e botonte revistën Albania në Bruksel dhe Londër (1897 - 1909). Ky ishte një erudit i vërtetë me përmasa europiane, për këtë na dëshmon disa herë miku i tij, poeti frëng G. Apolineri. 

 

(Kosova Sot)