Kënga "Vitin tjetër në Prizren" - thirrje për luftë

  • 17 November 2018 - 15:03
Kënga

SHKRUAN: ADIL FETAHU

Edhe Vuk Jeremiqi, edhe ansambli "Beogradski sindikat", kur e përdorin sintagmën "Dogodine u Prizrenu", aludojnë në atë sintagmën e hebrenjve - Vitin tjetër në Jerusalem, sepse këta e krahasojnë veten e tyre me vuajtjet dhe padrejtësitë që u janë bërë hebrenjve, ndonëse këta vetë kanë bërë pushtime e kanë shkaktuar padrejtësi, vuajtje e krime m monstruoze që i njeh historia njerëzore Muajin e kaluar (tetor 2018), në "Yutube" u përhap një këngë e gjatë propaganduese serbe, me titull: "Vitin tjetër në Prizren", e përcjellë me video-spote situatash tmerruese, gjoja se shqiptarët e Kosovës ua kanë bërë serbëve. Këngën e paskan sajuar një ansambël reperësh beogradas, i quajtur "Beogradski sindikata" (Sindikata e Beogradit), në bashkëpunim me etno-grupin "Trag" (Gjurmët) nga Banjalluka. Esenca e përmbajtjes së këngës është rikthimi i Serbisë në Kosovë, me luftë natyrisht. Pas shumë frazave me mite, gënjeshtra e propagandë tjetër, vjelljes së urrejtjes kundër "dushmanëve" (shqiptarë),kënga porosit që në çdo takim dhe ndarje midis serbëve, madje të fëmijëve të shkollave, përshëndetje e përgjithshme dhe kryesore midis tyre të jetë sintagma: "Dogodine u Prizrenu" (Vitin tjetër në Prizren). Ata lavdërohen se ditën e parë që është vënë në "Youtube", kënga dhe spoti janë përcjellë (dëgjuar e shikuar) nga 150 mijë veta, prandaj janë shumë të kënaqur me "suksesin e arritur". Thonë se nga Platforma e "Yutube-s" kanë marrë sugjerimin për ta tërhequr spotin e këngës, ngase ka përmbajtje shqetësuese, por as e kanë ndërmend ta tërheqin. Përkundrazi, i gëzon fakti se me atë këngë dhe spot, paskan goditur "mu në qendër". Dhe premtojnë, se jo që nuk do ta heqin prej emetimi, por edhe do ta përkthejnë tekstin e këngës dhe një hyrje historike, në sa ma shumë gjuhë të huaja, në mënyrë që të huajt a dinë "të vërtetën" për Kosovën, për padrejtësitë, vuajtjet dhe viktimat e popullit serb. Së shpejti do të emetohet edhe në versionin kinezisht të "Jutube-s". PËRMBAJTJA TRISHTUESE Përkrah përmbajtja, ideja dhe porosia, thuajse kënga buron nga Memorandumi famëkeq i Akademisë së Shkencave të Serbisë (1986),apo nga errësira mesjetare e Kishës Ortodokse Serbe, veçse si këngë e përpunuar në formë artistike, dhe e përhapur në botë, përmes elektronikës, do ta ketë efektin më të madh në mesin e rinisë dhe fëmijëve, duke indoktrinuar ata me urrejtje, sidomos nga pamjet e spotit të përgatitur enkas për efekt, përplot skena trishtuese. "Kosova është zemra e Serbisë, prej së cilës nuk heqim dorë; për atë në të cilën beson njeriu,nuk ka tërheqje prapa as dorëzim, sepse aty është e kaluara jonë, kurse populli pa të kaluar është si kungulli pa rrënjë", thonë autorët e këngës. Me termat: dushmanët (shqiptarë), viktimat (serbë), padrejtësitë, thyerja e kryqeve,përdhosja e varrezave dhe freskave; prapë do të rilindë populli serb aty, e të tjera, kënga shkakton emocione të thella dhe efekt te popullata së cilës i dedikohet. Ka në atë këngë edhe kritikë kundër regjimit dhe kundër atyre që mendojnë ta zgjidhin problemin e Kosovës me dialog. Nga komentet e botuara për këngën, shihet se çfarë efekti ka bërë, kur komentuesit janë "të mahnitur" me këngën "aq të mirë". "Secila fjalë të prekë në zemër; po afrohet dita kur do ta kthejmë atë që është e jona; politikanët tanë nuk kanë nevojë të flasin kur shkojnë e takohen jashtë më të huajt, mjafton ta lëshojnë spotin", shkruajnë komentuesit e shumtë, të cilët kanë dëgjuar këngën e shikuar spotet. Natyrisht, komentet janë (edhe) të porositura për përkrahje të këngës, gjoja nga vende të ndryshme dhe nga shikues të huaj, por edhe kjo bënë efekt te shikuesit serbë. Mendojmë se kjo këngë propaganduese, nëse nuk është e porositur, të paktën është bërë në marrëveshje e me pajtim të plotë të udhëheqësve politikë dhe të strukturave tjera të shoqërisë serbe, për të bërë efekt në këtë faze të bisedimeve më intensive midis përfaqësuesve të Kosovës e të Serbisë. Fundja, sintagma "Dogodine u Prizrenu", nuk është zbulim i ansamblit që ka prodhuar këngën. Këtë e ka thënë dhe e ka përhapur në "Twiter" Vuk Jeremiqi qysh në dhjetor të vitit 2012, derisa ishte kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai, duke komunikuar me një mikun e tij, më 24 dhjetor 2012, shkruan në "Twiter" dhe premton se vitin e tjetër do t'i lajmërohet prej Prizreni. Duke reaguar nga ajo paraqitje prepotente e Jeremiqit, unë iu përgjigja atij me një koment, paksa ironik, botuar në gazetën "Kurir" të Beogradit, e cila e kishte botuar shkrimin e Jeremiqit. Ja reagimi im i plotë, ndaj paraqitjes së Jeremiqit si "Kryetar i Kombeve të Bashkuara": "Nuk është Jeremiqi kurrfarë kryetari,i askujt,veçse është kryesues i mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të KB. Sa i përket paraqitjes së tij vitin e ardhshëm nga Prizreni, kjo varet nëse Hashim Thaçi ia lejon hyrjen në Kosovë, gjë që dyshoj, duke pasur parasysh aktivitetin destruktiv të Jeremiqit kundër Kosovës. Apo, ndoshta Jeremiqi ka parandjenjë, ose ka marrë vesh, se vitin e ardhshëm Kosova do bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara, e Jeremiqi si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të asaj Organizate,nga vendi fqinj, shkon në Kosovë që Thaçit t'ia urojë anëtarësimin në KB dhe t'i kërkojë falje për të gjitha përpjekjet e tij të dështuara si ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë ka bërë kundër Kosovës. Nuk ka asnjë mundësi as arsye tjetër që Jeremiqi të lajmërohet nga Prizreni. (Adil Fetahu, "Kurir", 25.12.2012)". Ky reagim imi është botuar edhe në "Facebook", më 25 dhjetor 2012. KRIMET MONSTRUOZE KUNDËR SHQIPTARËVE Edhe Jeremiqi, edhe ansambli "Beogradski sindikat", kur e përdorin sintagmën "Dogodine u Prizrenu", aludojnë në atë sintagmën e hebrenjve - Vitin tjetër në Jerusalem, sepse këta e krahasojnë veten e tyre me vuajtjet dhe padrejtësitë që u janë bërë hebrenjve, ndonëse këta vet kanë bërë pushtime e kanë shkaktuar padrejtësi, vuajtje e krime ma monstruoze që i njeh historia njerëzore. Për të parë se çfarë përmbajtje e çfarë propaganda bënë kënga "Dogodine u Prizrenu", për lexuesit shqiptar unë i përktheva vargjet e asaj kënge dhe po e botoj këtu më poshtë (pa kërkuar leje as honorar nga autorët këngës!). Këngën dhe spotet mund t'i gjeni në "Yutube", duke kërkuar me fjalët: "Dogodine u Prizrenu": Nga do shkoja sikur të mos e dija se cila është pikënisja jonë, Ku janë varrezat tona si një fushë lulëkuqe, Dëshmitarë memecë të të gjithë shekujve të fitoreve të fuqishme Trimave të cilët më me dëshirë vdisnin në këmbë? A thua tokën e plleshme ata e ushqyen me eshtra Që ne sot të heshtim, derisa forca na e rrëmben? A është me rëndësi se jam nga Metohia apo nga Dorçolli, Që për shkak të padrejtësisë, shpirti të më dhemb? Në këtë luftë jo me avionë, Vlejnë librat shkollorë në të cilat shkruan qartë: Kush i ka ngritur pallatet, kush e ka përdhosur altarin, Cila trashëgimi është nder e përjetshme, e cila është turp. As bombat, as votat nuk e fshijnë Llazarin, Përderisa gjenerata e re rritet në te. Kurrë nuk është e humbur ajo që është e shenjtë, Me shpresë rritu lulëkuqe, se përsëri dikush do të të vjelë. Kompasi im është rrënja jote, në gjoksin e zemrës sime, Pa te jam, për para, pa mëshirë rrugës i mallkuar Dhe si varkë prej letre, që qanë detin, Në të vërtetë, vetëm fundosem… Gjithnjë më pyetni ju mua se ç'do të thotë për mua Kosova, Nuk e keni të qartë? Do t'ua shpjegoj përsëri: Kosova është fara prej së cilës unë kam mbirë, Burimi dhe shtrati prej të cilit populli ka rrjedhur. Na thonë gojëkëqijtë se Kosova mbaroi, Të pabesët dhe të dobëtit thonë: Kosova është e mbaruar, Por unë iu them të gjithëve se Kosova vetëm është (e) grabitur, Rrënuar e djegur nga dushmani i mallkuar. Çuditeni përse fëmijët e qytetit nuk kanë ndonjë temë tjetër, Ngase sot koha është e tillë - secili shikon veten e tij, Jetojmë pa besim, pa shpresë e pa dëshirë, Ndërtojmë kulla por e harrojmë themelin. Sepse, populli pa prejardhje është (si) lumë i tharë, Pa nënë, ne jemi fëmijë të mbetur pa qumësht. Por aty në vendin e vjetër, ku Milloshi (Obiliqi,v.j.) ka dhënë jetën I udhëhequr nga drejtësia e Llazarit, përsëri do të rilindë populli, Sepse në ne edhe më tutje jeton profecia, Betimi i Kosovës, i cili do të zgjatë për gjithmonë. Prandaj, t'i mësojmë fëmijët ta dinë të vërtetën, Dhe përshëndetja jonë të jetë: "Vitin tjetër në Prizren"! E unë lutem: Vatrës sime t'i kthehem, Shpirti yt i lënduar, Tokë e shenjtë e blerë prej Qiellit. Oj Kosovë, Kosovë, vendi im i dashur, Je shqiponjë e qiellit tim, por krahët të janë thyer, Loti im i hidhur, në gjoksin tim zbrazësi, Zemra e atdheut tim, esenca e personalitetit tim… Në fushë mbirë lulëkuqet, nga gjaku i trimave të patrembur, Në vendin ku atdheu im ngritet deri në qiell, Na ka treguar sundimtari për çfarë ia vlen të flijohemi, Për Kosmet-in Llazari na ka lidhur me mit e me mallkim. Djalli atëherë nuk është ndalë, por edhe më tutje të këqija ka sjellë, Dushmanë të ndytë e bajga, mbi këta që ne mbetëm pak, Dikur ishin Turqit, e pastaj erdhën ujqit e uritur, Dje na venin në hu, tash nga mundojnë në "Shtëpinë e Verdhë". Madje, ma ndalojnë të mos guxoj të shikojë freskat e mia, Ngase do të m'i kujtonin të parët e mi krenarë, Të mos dëgjojë kurrë këngën e kallogjerëve të Deçanit, Në zemrën Millosh trimit, forca të mos ringjallet. I dij të gjitha këto tradhti dhe shumë herë i kam parë, Kryqat kur na i thyejnë e përdhosin Vidovdanin, Por s'e kemi për herë të parë këtu ikjen dhe shpërnguljen, Veçse kur të kalojë koha, bujku i kthehet të vetes arë. Sepse na kemi vdekur çdo kund, për liri gjithmonë, Që fëmija serb nesër të quhet trim, Prandaj dëgjo bir: Edhe më e keqja falet, Veçse për atdhe vdiset shqim. Kosmet, vendi ynë i përjetshëm! E unë lutem, Vatrës sime t'i kthehem, Shpirti yt i lënduar, Tokë e shenjtë prej Qiellit e blerë. Lulëkuqet do të na ringjallën, Kremten, vitin tjetër në Prizren. 

(Kosova Sot)